Gazeta Si – Një raport i shumëpritur kritikon FBI-në për trajtimin e hetimit për lidhjet e dyshuara midis Rusisë dhe fushatës së Donald Trump.
Në 306 faqe, Prokurori Special John Durham, thotë se hetimit të agjencisë i mungonte “rreptësia analitike” dhe arrin në përfundimin, se Byrosë Federale i mungonin “prova reale” të marrëveshjes së fshehtë midis fushatës së Trumpit dhe Rusisë përpara se të fillonte hetimin e saj.
Durham, i cili u emërua prokuror special nga Prokurori i Përgjithshëm i Trump, William Barr në vitin 2019, shton se FBI-ja përdori një standard të dyfishtë dhe i trajtoi hetimet e miliarderit dhe ato të rivales së tij për presidencën, Hillary Clinton në mënyra shumë të ndryshme në 2016-ën.
Agjencia u përgjigj se kishte miratuar një sërë reformash të brendshme dhe “veprime korrigjuese”, të cilat – nëse do të kishin qenë në fuqi në vitin 2016 – do të kishin shmangur disa gabime të shënuara në raport.
Trump, megjithatë shkroi në “Truth Social” se raporti i Durham tregon se “amerikanët janë mashtruar”.
Ish-presidenti kishte paditur gjithashtu Hillary Clinton dhe politikanë të tjerë demokratë, duke i akuzuar ata se po përpiqeshin të pengonin kandidimin e tij për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2016, duke përhapur zëra për lidhjet mes fushatës së tij dhe Rusisë; por një gjyqtar i hodhi poshtë këto akuza në janar.
Durham filloi të kryente hetimin e tij, pasi Prokurori Special Mueller paraqiti raportin e tij në fillim të vitit 2019 që tregonte “lidhjet e shumta midis qeverisë ruse dhe fushatës së Trump” dhe vendosi se Moska do ta ndihmonte ish-presidentin të fitonte.
Por Mueller nuk kishte gjetur prova të mjaftueshme për të paditur dikë për komplot me rusët. Nga atje, Trump prezantoi gjetjet e Muellerit, si provë se i gjithë hetimi ishte një “gjueti shtrigash”.
Muajin pasues, ministri i atëhershëm i Drejtësisë zgjodhi Durham, i cili ishte prokuror i Connecticut-it, për të zbardhur gabimet e mundshme në hetimin e Rusisë, duke e emëruar atë “këshilltar special” dhe duke lejuar kështu që puna e tij të vazhdonte edhe pas largimit të Trump nga Shtëpia e Bardhë.
Pas katër vjetësh, megjithatë, vë në dukje gazeta “New York Times”, Durham nuk i ka përmbushur pritshmëritë e Trumpit, pasi hetimi i tij nuk ka çuar në padi ndaj zyrtarëve demokratë nga fushata e Hillary Clinton.
Hetimi i FBI-së për lidhjet e dyshuara midis fushatës së Trump dhe Rusisë çoi në dhjetëra akuza penale kundër stafit të fushatës Trump dhe bashkëpunëtorëve për krime, përfshirë hakerimin dhe krimet financiare.
Megjithatë, nuk zbuloi se fushata e Trump dhe Rusia kishin komplotuar së bashku për të ndikuar në zgjedhje. “Departamenti i Drejtësisë dhe FBI nuk arritën të mbanin misionin e tyre të rëndësishëm të besnikërisë së rreptë ndaj ligjit”, përfundoi raporti.
Megjithatë, republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve, do të thërrasin prokurorin special për të dëshmuar para Kongresit për punën e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje