Ne rrjet

Një president i ri kundër gangsterëve të vjetër

Andrés Manuel López Obrador u zgjodh Presidenti i ri i Meksikës në një fitore të madhe më 1 korrik. Sipas shifrave të Instituti Kombëtar të Zgjedhjeve, López Obrador mori rreth 53 përqind të votave, duke shënuar kështu herën e parë që nga viti 1988 që një kandidat presidencial është zgjedhur me shumicë absolute. Partia e tij e krahut të majtë, Lëvizja Kombëtare e Rindërtimit, pritet të vulosë gjithashtu edhe shumicën parlamentare.

López Obrador ka deklaruar se presidenca e tij do të sinjalizojë transformimin e Meksikës dhe shkatërrimin e grupeve kriminale.  Rrjetet e trafikimit të drogës punësojnë 600,000 persona në Meksikë. Këto kartele fitojnë nga 19 miliardë deri në 29 miliardë dollarë në vit. Përafërsisht 15,000 të rinj të trajnuar punojnë për kartelet, të cilat janë të pajisura me drone, granata, mitralozë dhe madje edhe automjete të blinduara. Të gjitha këto para dhe armatime shpërndahen nga “gangsterët e vjetër të drogës” të cilët kontrollojnë mbi 45 përqind të Meksikës, duke përfshirë edhe shtetet perëndimore dhe ato kufitare.

Andres Manuel Lopez Obrador

Mbi 239,000 persona janë vrarë në Meksikë që kur Presidenti Felipe Calderón u shpalli luftë karteleve në vitin 2006. Disa fajësojnë dhunën e kriminelëve, të tjerë dhunën e policisë. Meksika është në rrugën e duhur për të tejkaluar 30,000 vrasje në vit. Gangsterët e karteleve po vrasin edhe zyrtarët qeveritarë; 97 politikanë dhe 48 kandidatë politikë janë vrarë që nga shtatori i kaluar. Presidenti i ri ka premtuar të luftojë dhunën dhe të zhdukë korrupsionin politik. Për të arritur këto qëllime, ai ka sugjeruar që të rishkruhen rregullat e luftës kundër drogës dhe të negociojnë armëpushimin me të gjitha kartelet. Deri më tani, propozimet e tij mbeten të paqarta. Por në prill ai sugjeroi dhënien e amnistisë për trafikantët e drogës dhe ka premtuar një strategji jo të dhunshme, nën sloganin "Përqafime, jo Plumba". Kjo strategji synon të zvogëlojë dhunën e lidhur me drogën duke krijuar vende pune për të rinjtë në vend që t'i ndëshkojë ata për rolin e tyre në tregtinë e drogës”.

"Ne do të ndryshojmë këtë regjim të korruptuar dhe të padrejtë dhe do të promovojmë zhvillimin- tha ai gjatë një tubimi në Mazatlan-Po j’ua përmbledh me një fjali: punë, paga të mira dhe përqafime, jo plumba. Njerëzit e Sinaloas nuk janë të këqinj nga natyra. Shumë prej tyre janë detyruar të marrin rrugën e krimit, shumë kanë humbur të ardhmen e tyre, veçanërisht të rinjtë. Kjo nuk do të ndodhë më ".

Shpërndarja e karteleve te drogës në Meksikë

Presidenti Lopez gjithashtu ka treguar se është i hapur për mundësinë e legalizimit të disa drogave."Të gjitha temat duhet të analizohen- tha ai në maj në një aktivitet të organizuar nga disa organizata joqeveritare-Shëndeti ndikohet më shumë nga alkooli dhe duhani sesa nga droga të tjera dhe ndalimi i tyre krijon më shumë dhunë. Pse të mos flasim për këtë? Dhe pse jo, nëse është gjëja më e mirë për vendin, t’i legalizojmë? "

Përveç amnistisë dhe legalizimit të drogës, López Obrador po shqyrton gjithashtu negociatat me udhëheqësit e karteleve. "Ne do të ftojmë Papën, Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në mënyrë që me ekspertët lokalë dhe me familjet e viktimave, të elaborojmë një plan të përbashkët për të arritur paqen në këtë vend", tha ai.

Shumë njerëz në Meksikë janë optimistë se zgjedhja e López Obrador është një shenjë se luftës së tyre të përgjakshme kundër karteleve të drogës po i vjen fundi. Strategjia “Përqafime jo Plumba" përfaqëson një armëpushim, por nuk është një zgjidhje përfundimtare. Shkalla e vrasjeve në Meksikë mund të bjerë nëse qeveria meksikane ndalon së luftuari me trafikantët e drogës, por bosët e karteleve do të vazhdojnë të kontrollojnë gjysmën e vendit dhe do të përballen me më pak rezistencë. Dhe nëse plani i revolucionit Obrador nuk arrin të joshë të rinjtë që të rrinë larg rrjeteve kriminale, armëpushimi i tij mund t'u japë karteleve kohë të vlefshme për të rigrupuar dhe rimobilizuar.

"Njerëzit duhet të jenë të arsyeshëm me pritshmëritë e tyre- tha për Al-Jazeera një profesor i historisë meksikane në Universitetin Shtetëror të Chicos- SHBA nuk do t'i ndalë trafikimin e armëve në kufirin meksikan dhe për aq kohë sa amerikanët të blejnë drogë, kartelet do të kontrollojnë pjesë të tëra të vendit dhe shumë njerëz do të vazhdojnë të vdesin.”

Rrënjët e luftës kundër drogës shkojnë shumë më thellë se varfëria. Përafërsisht 25 milionë qytetarë amerikanë dhe 4 milionë qytetarë meksikan përdorin opiumin, heroinën dhe droga të tjera. Dhënia e amnistisë për trafikantët e drogës, negociatat me shefat e karteleve dhe zbatimi i politikave ekonomike nuk do të dobëoojë kartelet e drogës. Ndoshta këto politika do të ndalojnë përkohësisht dhunën në Meksikë, por kartelet rigrumbullohen sërish. /The Trumpet/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë