Ne rrjet

Një populist në krye të Britanisë?

Edhe pse kanë kaluar shumë vite, vazhdoj ta mbaj mend herën e parë që e kam takuar Boris Xhonson dhe birrën që pimë bashkë në Mynih. Ne ishim duke raportuar për një nga samitet e NATO-s në vitet 1990.  Të dy kishim dërguar shkrimet tona, ai tek “The Telegraph” dhe unë tek “The Guardian”. Së bashku me reporterin e “Times”, morëm një taksi në qendër të qytetit dhe e kaluam pjesën tjetër të pasdites duke pirë birra dhe duke biseduar. Xhonson bënte vazhdimisht shaka, disa prej të cilave përfshin edhe komentet pa “kripë” për Hitlerin dhe birrën e Mynihut.

Unë nuk e njihja dhe ende nuk e njoh mirë, por përshtypja që krijova për Xhonson gjatë kohës që ndenjëm në Mynih, nuk më ka lënë kurrë në baltë. Ai është një njeri i këndshëm, por nuk është një person që vepron në mënyrë intelektuale apo morale. Ai tallet jo vetëm me të huajt por me shumicën e njerëzve që e rrethojnë, përveç vetes. Ai është shumë i këndshëm, por jo i zgjuar. Dhe mes shumë gjërave që nuk do t'i besoja kurrë Boris Xhonson, është vendi im, Britania.

Pas dorëheqjes dramatike gjatë samitit të Ballkanit Perëndimor, në Londër, Xhonson nuk është duke i përmbajtur ambiciet për të zënë vendin e Theresa May, si kryeministër i vendit. Ai nuk u mendua dy herë për deklaratat rreth veshjeve të grave myslimane  gjatë kësaj jave. Por duket se u mendua dy herë përpara se të jepte dorëheqjen si ministër i Jashtëm. Tanimë Xhonson po e pozicionon veten për garën e ardhshme konservatore. Tanimë ai po paraqitet si kandidat i së djathtës populiste. Dalëngadalë Xhonson ka përqafuar të gjitha forcat e djathta në Europë dhe SHBA, duke u bërë tanimë aleati më i madh i Presdentit Donald Trump në Britani. Ai po e pozicionon veten si udhëheqës i një partie Konservatore më të izoluar, më pak të moderuar dhe më të ashpër ndaj Bashkimit Europian.

Boris Xhonson dhe Theresa May

Ka shumë njerëz në Partinë Konservatore që ende mendojnë se Xhonson është përgjigja e problemeve të partisë, pavarësisht se puna e tij si Ministër i Jashëm ishte e mbushur plot me kontradikta. Pak para se të jepte dorëheqjen, Xhonson la pas Sajid Javid, Michael Gove dhe Jacob Rees-Mogg në sondazhin për udhëheqësit më të mirë që mund të drejtonin Britaninë në të ardhmen. Por ideja se Xhonson mund të marrë mbështetjen e pjesëve të elektoratit që nuk mund të arrihen nga konservatorët e tjerë, nuk është më e vërtetë. Kohët kanë ndryshuar dhe me kalimin e ditëve, Xhonson ka shfaqur një version më të lig të vetes së tij. Versioni i sotëm është ai një njeriu që ka është pushtuar nga ambicia e pakontrolluar për t’u radhitur në anën e populistëve dhe për të marrë udhëheqjen e vendit, edhe nëse kjo do të thotë se duhet t’i ngulë një “thikë pas shpine” partisë Konservatore. Kjo është pikërisht arsyeja pse ai refuzon të përkulet para Kryeministres May dhe kritikëve të tij.

Lajm i mirë, deri në ketë pikë, është se Xhohnson nuk do të ndërmerrte asnjë politikë serioze. Ai nuk ka një vizion të mirëfilltë. Ai nuk di se si t'i kthejnë sloganet në realitet. Madje isa nga mbështetësit e tij mund të largohen nga qeveria, sapo udhëheqja e tij të ndikojë në ekonominë e tyre. Megjithatë, kjo ngre një pyetje më të madhe edhe më të thellë: Përse asnjë udhëheqës nuk është kurrë i përsosur?

Boris Xhonson 

Pothuajse të gjithë udhëheqësit e demokracive moderne perëndimore duket se po luftojnë më shumë se në të kaluarën për të ruajtur nivelet e mbështetjes politike. Kjo vlen edhe për Theresa May dhe planet e saj për një Brexit më të “butë”. Ndoshta do të ishte e vërtetë për Jeremy Corbyn dhe projektin e tij të ribalancimit ekonomik dhe me siguri kjo do të vlejë edhe për Xhohnson dhe planin e tij për ta bërë Britaninë “madhështore”.

Megjithatë, në këto kohë Perëndimi ka nevojë më shumë se kurrë për udhëheqës efektivë. Përplasja financiare, shtrëngimi, pabarazia, tensionet e Brexit, fuqizimi i Kinës dhe agresion i Trump kanë krijuar një botë të ashpër. Pasi lexova biografinë e re të Julian Jackson për Charles de Gaulle, u habita nga krahasimi instiktiv i situatës ku ndodhemi sot me atë të viteve 1930, kur natyra e krizës ekonomike dhe dështimi për t'u ballafaquar me këtë çoi drejt autoritarizmit. Megjithatë, epoka e diktatorëve prodhoi gjithashtu një nga kundërhelmet më të mëdha ndaj diktaturës: strategjinë e Franklin Roosevelt. Ai e dinte se çfarë të bënte për të luftuar pabarazinë dhe stagnacionin: bindi votuesit, bleu hapësirën politike dhe përdori fuqinë e shtetit për të vënë themelet e demokracisë. Xhonson nga ana tjetër e paraqet veten si Churchill. Por ai është një imitim në karikaturë i tij. Ai sigurisht nuk është Roosevelti modern për të cilin ka nevojë vendi. As De Gaulle. Xhonson nuk do të jetë kurrë një nga ata./ The Guardian/ 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë