Politike

Një fraksion i ri opozitar/ Shehi bashkohet me Patozin dhe i vendosin kushte Berishës

Nga gazeta “Si” – Në kohën kur Berisha po synon të bashkojë forcat e djathta rreth tij për zgjedhjet lokale të 14 majit, një pol i ri i së djathtës po krijohet në sfond. Kjo vjen nga lëvizja e fundit e ndërmarrë nga kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, i cili u zgjodh si deputet i Parlamentit nga zgjedhjet e fundit në listën e Partisë Demokratike për Tiranën në kohën kur kjo forcë politike drejtohej nga Lulzim Basha.

Ai do të krijojë një grupim politik me Astrit Patozin e Bindjes Demokratike. Bashkimi mes këtyre dy forcave do të njihet me emrin “Aleanca Progresiste”. Dashamir Shehi u shpreh: “Ne jemi të hapur për parti të reja. Besojmë se do jetë fillimi i një lëvizje që do të vijë duke u zgjeruar.

Dashamir Shehi. Gazeta Si, 17 shkurt 2023

Dëshira është të largojmë Edi Ramën dhe të kemi një kandidat përballë kandidatit socialist. Ne s’kemi një pikë përfundimtare. Ne nuk mund të pranojmë më që dy njerëz të drejtojnë Shqipërinë. Nuk pranojmë më marrëveshjen e 2008-ës mes Berishës dhe Ramës. Ka ardhur dita që Shqipëria të qeveriset ndryshe. Në nuk hyjmë në fushatë të dëmtojmë njeri. Jemi në atë pike, që nëse opozita dërgon 2 ose 3 ne do futemi në garë”.

Ndërsa Astrit Patozi u shpreh se ‘Përderisa ka dy pjesë të PD-së, ne si fraksion opozitar do të kemi përfaqësuesit tanë. Nëse ato do të përçajnë votën opozitare ne do të kandidojmë. Ajo që mund të na bashkojë është kandidati i përbashkët”.

Astrit Patozi. Gazeta Si, 17 shkurt 2023

Astrit Patozi, me largimin e Bashës nga drejtimi i PD-së, ndryshe nga Jofezina Topalli nuk preferoi t’i bashkohet Berishës. Krijimi i këtij poli të ri nga e djathta mund të shihet edhe si një sinjal për largimin e partive të tjera nga gardhi i PD-së, nëse do të ketë pakënaqësi për kandidatët.

Sinjale të tillë ka dhënë edhe Agron Duka. Beteja më e fortë veç kandidatëve të përbashkët zhvillohet dhe për listat e këshilltarëve. Partitë e vogla të djathta ndjehen të kërcënuara nga fakti se pjesën më të madhe të listës së këshilltarëve mund ta marrë Partia e Lirisë së Ilir Metës, e kjo në rastin nëse Gjykata e Apelit njeh si kryetar të PD-së, Lulzim Bashës apo grupimin ‘Alibeaj’.

Nëse Aleanca Progresiste vendos të dalë e vetme, atëherë e djathta do të ndahet në tre grupime: Berisha-Meta, Shehi-Patozi dhe grupimi ‘Alibeaj’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë