Nga Gazeta 'Si'- Kryeministri Edi Rama, në takimin vjetor të Këshillit Koordinues të Diasporës, tha se mazhoranca ka hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Shqipërisë, si vend amë dhe Diasporës.
“Faktikisht, është një mision i ri, por mund të them ka dhënë rezultate domethënëse. Ne jemi kthyer me ministrin mbrëmë shumë vonë nga Brukseli, ku kemi marrë ndjesi jashtëzakonisht pozitive, jo vetëm për faktin që ndaluam në një tjetër stacion, duke hapur edhe një grupkapitujsh tjetër, por për faktin që plani ynë me KE për t’i përfunduar negociatat brenda 2027 dhe për t’i hapur rrugë ratifikimeve për anëtarësimin e Shqipërisë, ka marrë mbështetje nga të gjitha vendet anëtare.
Ambicia jonë për ta ngritur Shqipërinë e 2030 në majë, është e mbështetur jo thjesht në një dëshirë të madhe, por në realitetin objektiv të kësaj marrëdhënie të re me Evropën dhe transformimin që kemi bërë. Më vjen shumë mirë që paralelisht kemi hapur kapitull të ri edhe mes Shqipërisë, si vend amë dhe Diasporës. Diasporës së hershme, diasporës së re", deklaroi Rama.
Ai u shpreh se emigrantët janë mbështetje e rëndësishme financiare për vendin.
Rama gjithashtu theksoi se Banka e Shqipërisë ka regjistruar një rritje të konsiderueshme të dërgesave të emigrantëve në euro krahasuar një vit më parë.
"Diaspora mbetet një mbështetje e rëndësishme në aspektin financiar për vendin. Këtë vit Banka e Shqipërisë ka regjistruar një rritje të konsiderueshme të dërgesave të emigrantëve në euro krahasuar një vit më parë, janë 100 mln euro plus, dërgesat më të mëdha janë nga Italia, SHBA.
Kjo i bashkohet prurjes domethënëse të të ardhurave të rritjes sonë ekonomike që është rezultat i një sërë reformash të rëndësishme, por besoj se është mbi të gjitha rezultat i pozicionimit të ri politik të Shqipërisë. Jam shumë krenar për faktin që kemi arritur tu mundësojmë të gjithë shqiptarëve, duke filluar nga ata që jetojnë jashtë vendit, shqiptimin me plot gojë të emrit shqiptar dhe përgjigjen me plot gojën 'jam shqiptar' të pyetjes nga je", deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.