Nga Elisabetta Ambrosi- Dieta mesdhetare? Të gjithë flasin për të, por në Itali po praktikohet gjithnjë e më pak. Të varfrit hanë më mirë? Një gënjeshtër, sepse në fakt ata blejnë më shumë ushqime që prishen shpejt, duke shtuar sasinë e mbeturinave por edhe ushqimet pa vlera që e dëmtojnë shëndetin.
Në kuadër të Ditës Botërore të Obezitetit, Andrea Segré, themelues i Last Minute Market si dhe drejtor shkencor i fushatës publike “Zero shpërdorim të ushqimit”, ka botuar romanin e tij të parë, Globeziteti, të fokusuar mbi ushqimin dhe zakonet e të ngrënit.
Protagonisti është një doktorant i ri, që përfshihet në një komplot të errët, ku studiuesit në shërbim të kompanive shumëkombëshe të ushqimit të padëshiruar, po synojnë të krijojnë një molekulë të re për të modifikuar metabolizmin e njeriut, dhe për ta bërë njerëzimin të varur nga ushqimi pa vlera. Një roman shumë aktual, duke pasur parasysh epideminë globale të obezitetit.
Profesor pse zgjodhët këtë zhanër mbi folur për temat tuaja?
Libri im, një “thriller ushqimor”, është një trillim që tingëllon shumë realist. Pavarësisht se është e trilluar, ajo që unë them mund të ndodhë vërtet. Por në vend të hetuesit klasik, protagonist është një studiues i ri, i cili e gjen veten të përfshirë në një komplot ndërkombëtar studiuesish, që në vend që të bëjnë mirë shkaktojnë dëme. Ata duan të shantazhojnë botën dhe ta bombardojnë me kalori. Ideja është të përçoj mesazhet që i njoh mirë, por me një formë tjetër shprehjeje që të mbërrijë tek sa më shumë njerëz.
Sot jetojmë në një paradoks të dyfishtë: Nga njëra anë vendet “e pasura” janë prekur nga obeziteti, nga ana tjetër sipas FAO-s mbi 800 milionë njerëz vuajnë nga uria. Si arritëm në këtë pikë?
Mbipesha dhe obeziteti, është një problem që prek më shumë se 2-dyfishin e numrit të të uriturve, të cilët janë ende një numër shumë i madh, 860 milionë, nga të cilët miliona edhe në Itali. Por numerikisht ka më shumë njerëz mbipeshë dhe obezë sesa të uritur dhe të dobët.
Pra një pjesë e botës ha shumë pak, një pjesë ha shumë dhe keq, dhe një e treta e asaj që prodhohet nuk arrin dot në tryezat tona. Si arritëm në këtë pikë? Kjo ka ndodhur sepse bota jeton me disbalanca që ne nuk kemi arritur t’i ngushtojmë, përkundrazi i kemi thelluar. Prandaj objektivi që i vendosa vetes në përballjen me atë që unë e quaj “Globesitet”, është të gjej një ekuilibër që fillon nga ushqimi.
Një tjetër shenjë e çekuilibrit për të cilin flisni, është tendenca e dietave nga më absurdet, nga agjërimi ketogjenik tek agjërimi me ndërprerje. Ne kemi sot ushqim të bollshëm, por nuk e dimë më se cili është i duhuri…
Një nga paradokset më të dukshme, është pikërisht ai i larmisë së dietave. Është absurde që në botë të shpenzohet më shumë për dieta sesa për të ngrënë. Kjo është një kontradiktë e madhe. Ka gjithmonë një dietë që është më e mirë se një tjetër, por që nuk ka të bëjë fare me historinë tonë personale.
Ne e kemi humbur vetëdijen mbi vlerën e ushqimit, dhe për efektin që ka të ngrënit në shëndetin tonë dhe atë të botës. Dhe fakti që gjithçka sillet rreth blogerëve të ushqimit, si dhe guru-ve që shkruajnë libra dhe dalin në televizione, është shenjë e një çekuilibri të mëtejshëm.
Sheqerna me bollëk, miell i rafinuar, vajra të të gjitha llojeve etj. Vetëm konsumatorët me një kulturë të caktuar mund të mbrojnë veten, dhe madje me vështirësi. Po çfarë ndodh me të tjerët? A janë të destinuar të sëmuren?
Është e habitshme që ne nuk jemi më sovran mbi ushqimin që konsumojmë, pasi këtë të drejtë ia kemi deleguar dikujt tjetër. Duket sikur kur bëjmë pazar, nuk jemi ne që shtyjmë karrocën në supermarket, por ka një motor që na nxit të blejmë atë që reklamohet. Le të mendojmë më pas për reklamat që bëhen në programet për fëmijë. Dhe le të kthehemi tel pikënisja, pra te ndërgjegjësimi, te edukimi ushqimor dhe zgjedhja e ushqimit të duhur.
Javët e fundit, bujqësia ka qenë në qendër të debatit publik dhe politik. Por a mjaftojnë zgjedhjet tona të konsumatorëve për të ndihmuar fermerët e vegjël dhe të mesëm?
Nga njëra anë fermerët, të cilët përbëjnë vetëm 2 ose 3 për qind të të punësuarve, po protestojnë sepse nuk janë në gjendje të mbulojnë kostot e prodhimit (dikush do të kujtojë tepricat bujqësore të viteve 1980, kur u shkatërruan agrumet dhe jo domatet, dhe kur u derdhën në kanal shumë hektolitra qumësht).
Nga ana tjetër, shoqëria jonë i jep pak vlerë ushqimit, dëshiron të paguajë pak për të, dhe madje e lejon veten që ta shpërdorojë atë. Vetëm në zinxhirin tonë të furnizimit, shpërdorimet shtëpiake zënë një vlerë rreth 7 miliardë euro. Ndoshta duhet ta përkufizojmë veten si shpërdorues të ushqimit dhe jo konsumatorëve, dhe duhet të paguajmë pak më shumë për të.
Edhe pse nuk ka gjithmonë një lidhje midis çmimit të lartë dhe cilësisë së lartë, kur përballemi me ushqime që kushtojnë shumë pak, duhet të pyesim veten mos ka një shfrytëzim të dikujt, nëse ka një proces të saktë të prodhimit nga pikëpamja teknologjike, nëse lënda e parë është e cilësisë së lartë. Pra jemi sërish në pikën fillestare: dije, edukim ushqimor. Duhet t’ia fillojmë nga shkolla…
Të dhënat e fundit mbi mbetjet ushqimore, treguan se sasia e tyre ka nisur të rritet sërish…
Shpërdorimi i ushqimit dhe varfëria janë shumë të lidhura midis tyre. Prej 3 vitesh ne në observatorin tonë “Waste Watcher”, kemi vënë re se të varfrit jo vetëm që hanë keq, por edhe shpërdorojnë më shumë, ndryshe nga sa pretendonte Ministri i Bujqësisë.
Tendenca drejt rënies së cilësisë së produkteve ushqimore është në rritje, kjo edhe për shkak të inflacionit të ushqimeve, gjë që prek më të varfrit dhe të gjithë ne. Për shembull, ata me të ardhura të ulëta blejnë ushqime që prishen dhe që janë afër datës së skadencës. Njëkohësisht, po shtohet ushqimi i pashëndetshëm, gjë që shkakton sëmundje të lidhura me kequshqyerjen, si diabeti, sëmundjet kardiovaskulare etj, të cilat sjellin një rritje relative të kostove të kujdesit shëndetësor.
Dieta mesdhetare do të ishte një zgjidhje, për ne dhe për mjedisin. Por siç e vini re, nuk shihet më si një opsion…
Të gjithë flasin për dietën mesdhetare por askush nuk e praktikon atë. Nutricionistët llogaritin indeksin mesdhetar, dhe për vendin tonë në një shkallë nga 0 deri në 24, jemi tek 12, pra do të thotë që nuk e ndjekim. Jo vetëm kaq: fëmijët më obezë në Itali janë para-adoleshentët në rajonin e Kampanjës, si për ironi në vendin ku lindi kjo dietë.
Burimi: Il Fatto Quotidiano. Përshtati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




