Gazeta Si – Lëvizje brenda kampit të djathtë, po na dhurojnë konfigurimin e një Partie Demokratike të ndarë në 3 pjesë. Grupimi Berisha, mbështetësit e Bashës dhe grupimi i “Bardhi” janë pasqyra e re në partinë më të madhe të opozitës.
Krisjen e madhe në PD do ta kishte zili çdo kundërshtar politik, e aq më tepër Partia Socialiste, e cila po qëndron në pushtet prej 10 vitesh, duke “mbretëruar” e qetë në mandatin e tretë politik.
Çarja e madhe që pësoi PD do të kërkojë kohë për të pasur rikuperim, pasi sërish beteja për vulën e tashmë për garën për kreun e PD-së që do të ndodhë më 29 korrik do të përfundojë në dyert e Gjykatave.
Edhe në Parlament do të kemi “tre PD”, me një grup deputetësh të shpërndarë dhe me qëndrime kuturu përballë mazhorancës.
Për këto zhvillime kaotike, kryesocialisti Edi Rama duket se ka në sirtar një plan rezervë, që japin sinjale të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.
Lideri i mazhorancës, në një kohë kur pritej që të shpallte ndryshimet në qeveri, paralajmëroi si rrufe në qiell të hapur, ristrukturimin e PS-së, duke shkrirë komplet sekretariatin.
Pikërisht atë strukturë të lartë drejtuesish që shkaktuan “tërmet” në zgjedhjet 14 majit, duke korrur rezultatit më të mirë dhe rrëmbyer bashkitë bastion të PD-së, si Shkodrën dhe Tropojën.
Riorganizimi i PS-së dhe mbajtja e Kongresit në shtator mund të pasohet me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Vetë Rama që mori mandatin e tretë në prill të 2021 mund të përfitojë nga shkërmoqja e opozitës dhe çojë vendin e drejt zgjedhjeve parlamentare për të pasur mundësi që të qeverisë dhe të zbatojë synimin e tij politik, të shpallur te platforma Shqipëria 2030.
Me rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit dhe dobësimin e opozitës, llogaritet që Rama të zotërojë i vetëm 84 mandatet, një shumicë të cilësuar votash, madje të sigurojë me ndonjë aleat dhe për ndryshimin e Kushtetutës.
Ndërsa në korridoret e PS-së përflitet se në shtator do të ketë ndryshime në qeveri, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të pritet Kongresi i jashtëzakonshëm i PS-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




