Gazeta Si - Çdo përdorues mjeti, i cili parkon dysh, në vendet e taksive, stacionët e autobusëve, vendqëndrimin e biçikletave, apo në vendet ku krijohen probleme për qarkullimin rrugor, Policia Rrugore do të ndërhyjë me një karroatrec.
Për të shmangur trafikun dhe për të ndërgjegjësuar drejtuesit e makinave, policia ka menduar të ashpërsojë kundravajtësit e qarkullimit rrugor.
Në një udhëzim të ministrit të Brendshëm Taulant Balla, makinat e parkuara gabim do të largohen me shërbimin e kontraktuar nga policia.
Një masë, që sipas tij synon të lehtësojë trafikun në rrugë, por nga ana tjetër një qytetari mund t’i kushtojë të paktën 10 mijë lekë të reja.
Duket se masa adminisrative për shoferët me gjobën mbi xhamin e makinës nuk ka mjaftuar për të shmangur bllokimin e rrugëve kryesore, dytësore apo edhe trotuaret ku kalojnë qytetarët.
Megjithatë, lëvizja e mjetit me karoatrec do t’iu kushtojë më shtrenjtë qytetarëve që kryejnë shkelje dhe përdorin makinë.
Nëse një gjobë për një parkim të gabuar shkon deri në 30 mijë lekë, drejtuesi duhet të paguajë edhe 60 mijë lekë të tjera për mjetin e kontraktuar nga policia për zhvendosjen nga rruga.
Nëse qytetari do të përdorë edhe një taksi për të shkuar të marrë mjetin e gjobitur në vendparkimin e posaçëm të Policisë Rrugore në një zonë jashtë Tiranës, duhet të paguajë të paktën 10 mijë lekë.
Kështu, shuma në total që një përdorues mjeti duhet t’i paguajë policisë për gjobën e marrë, shkon deri në 100 mijë lekë të vjetra.
Do të ketë një bashkëpunim edhe nga ana e policisë bashkiake, e cila do të kontribuojë edhe me bllokues të gomave.
Numri i madh i masave për shkeljet e qarkullimit rrugor vetëm ditën e djeshme (26 shtator 2023) në Tiranë, arriti shifrën 1.976 gjoba.
Sipas të dhënave të publikuara nga ministri Balla, nga këto, 1.874 masa janë vendosur për parkim të gabuar; 79 për shpejtësi tej normave dhe 23 masa për mosdhënie përparësi qytetarëve.
“Ne duam mirëkuptimin e drejtueseve të mjeteve, se makina juaj e parkuar gabim është një problem shumë i madh për të tjerët, të cilëve u ke zënë rrugën, po ashtu dhe një karshillëk i madh ndaj Kodit Rrugor”, - tha një ditë më parë ministri i Brendshëm, Taulant Balla.
Sipas të dhënave të policisë, 40% e këtij trafiku ndodh për shkak të parkimeve të gabuara. Numri i gjobave ka vijuar të rritet nga viti në vit, ndërsa Tirana mban rekordin për masat administrative.
Në apelin publik për reflektim dhe bashkëpunim drejtuar përdoruesve të mjeteve, Policia e Shtetit thekson se nuk do ta tolerojë asnjë çast këtë shkelje masive dhe këtë karshillëk.
Brenda pak ditësh çdo mjet i parkuar gabim do të largohet nga vendqëndrimi i gabuar me makineri të specializuar të kontraktuar nga Policia Rrugore dhe do të bllokohet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.