Analize

Një pakt i fshehtë mes Trump dhe Putin?

 Takimi mes Donald Trump dhe Vladimir Putin në Helsinki është pasuar nga një furi diskutimesh dhe kritkash, sidomos pas konferencës së përbashkët për shtyp mes dy presidentëve, në të cilën Trump fajësoi Shtetet e Bashkuara për marrëdhëniet e këqija me Rusinë dhe e quajti prokurorin special që hetonte ndërhyrjen e Kremlinit në zgjedhjet amerikane si "një turp për Amerikën". Por skandali i vërtetë i Helsinkit mund të jetë ende në zhvillim e sipër.

Disa ditë pas takimit, Putin mbajti një fjalim para diplomatëve rusë, duke pretenduar se ai dhe Trump kishin arritur një sërë marrëveshjesh gjatë një takimi privat, pas samitit, për të cilin këmbënguli se u organizua nga vetë Presidenti amerikan.  Deklarata e Putinit erdhi një ditë pasi ambasadori i tij në Uashington, Anatoly Antonov, tha se Trump kishte rënë dakort për "marrëveshje të rëndësishme" mbi kontrollin e armëve dhe disa çështje të tjera. Rusët, sipas Antonov, ishin gati të bënin të mundur zbatimin e tyre. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë asnjë detaj për marrëveshjet e arritura nga dy liderët gjatë takimit privat, edhe pse Trump shkroi të enjten në mëngjes se ai dhe Putini kishin diskutuar gjithçka, duke filluar nga armët bërthamore, tek Siria, Ukraina dhe tregtia. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Trump planifikon të ftojë Putinin në Uashington, për një tjetër samit i cili duket se do të mbahet në vjeshtë.

Presidenti Donald Trump dhe Vladimir Putin hyjnë në konferencën e përbashkët për shtyp në Helsinki

Edhe pse kanë kaluar disa ditë pas samitit të Helsinkit, këshilltarët e Trump nuk kanë ofruar informacione për arritjen e ndonjë marrëveshjeje të tillë. Qeveria e tij duket se nuk është në dijeni të ndonjë pakti mes Trump dhe Putin, ose të ndonjë plani për një takim të dytë . Ndryshe nga Putini, Trump nuk i informoi diplomatët e tij mbi arritjet e takimit të Helsinkit. Sekretari Amerikan i Shtetit, Këshilltar i Sigurimit Kombëtar dhe Ambasadori Amerikan në Moskë, të cilët morën pjesë në drekën që u mbajt pas takimit privat mes Trump dhe Putin, kanë heshtur publikisht, duke u lënë hapësirë rusëve të bëjnë pretendime nga më të ndryshmet, për atë që u arrit prapa dyerve të mbyllura. Ndërkohë që Putin po fliste publikisht  për "marrëveshjet" e arritura, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, dha një intervistë radiofonike me Hugh Heëitt. Sekretari i Shtetit nuk u pyet mbi atë që ndodhi në Helsinki dhe pyetja e vetme rreth Rusisë ishte nëse Pompeo ishte paralajmëruar para samitit të Helsinkit për akuzat e Departamentit të Drejtësisë ndaj një sërë oficerësh rusë mbi ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane. "Nuk mund të flas për këtë, Hugh," tha Pompeo.

Vladimir Putin dhe Donald Trump takohen në samitin e Helsinkit

Informacionet e dhëna nga diplomatët më të lartë amerikanë, të cilët kanë për detyrë të merren me çështjet që kanë të bëjnë me Rusinë, ishin po ashtu shumë të rralla dhe të të paplota.

“Nuk u përmend asnjë marrëveshje- më tha një zyrtar i lartë amerikan- Pala amerikane nuk ka marrë informacionë nëse u arrit ajo që donte Trump apo ajo që donte Putin? A ishte e mundur të jetë krijuar ndonjë keqkuptim, dhe Trump mendon se nuk u zotua për asnjë angazhim, ndërkohë që Putin mendon se po? Kjo situatë është shumë shqetësuese.”

Një ambasador i SHBA-ve në Evropë tha se as ai dhe as zyrtarë të tjerë të Departamentit të Shtetit nuk kanë marrë njoftime mbi përfundimet e arritura gjatë samitit, edhe pse shpërndarja e informaconit është jetike një pas një takimi kaq të rëndësishëm. "Asgjë- tha ai-Ne ndodhemi në errësirë të plotë"

Në të njëjtën kohë, provat  e fragmentarizuara që kanë dale nga Rusia dhe intervistat e ndryshme të Trump, sugjerojnë se ka vend për shqetësim serioz. Në një intervistë për Fox,  Trump vuri në dyshim angazhimin e Amerikës ndaj nenit 5 të aleancës së NATO-s (i cili nënkupton se sulmi ndaj një vendi anëtar është një sulm ndaj aleancës), duke e konsideruar  Malin e Zi, anëtarin më të ri të NATO-s,  si një vend  të vogël "agresiv" që mund ta çojë drejt një tjetër lufte botërore. Kjo deklaratë duket se ishte një pasqyrim i mendimeve të Putinit për NATO-n dhe Malin e Zi, në të cilin Rusia orkestroi një përpjekje të pasuksesshme për një grusht shteti, për të bllokuar pranimin e tij në NATO. Ky shkëmbimi idesh ka bërë që shumë njerëz të pyesin nëse edhe kjo çështje ishte pjesë e bisedimeve private Trump-Putin. Trump ka sinjalizuar  gjithashtu se diskutimet thelbësore me Putin u përqendruan në çështje të tilla si Siria. Nëse Trump ka arritur vërtet një marrëveshje sekrete me Putin në Helsinki për të tërhequr trupat amerikane nga Siria ose për ta kufizuar praninë ushtarake amerikane, do të hasë në kundërshtimin e shumë personave në partinë e tij.

Vladimir Putin dhe Donald Trump takohen në samitin e Helsinkit

Komentet e Trump kanë ngritur gjithashtu një sërë shqetësimesh, pas sugjerimit se ai po merrte seriozisht kërkesën e Putinit për të marrë në pyetje ish ambasadorin amerikan në Rusi, Michael McFaul dhe një pjesë të madhe të stafit të tij. McFaul dhe stafi u imponuan vendosjen e sanksioneve ndaj zyrtarëve të korruptuar rus pas lobimit të suksesshëm të biznesmenit Bill Broëder, i cili njihet si një nga armiqtë kryesorë të Putinit. A u diskutua dorëzimi i “kokës” së ambasadorit amerikan në Moskë në takimin privat mes Trump dhe Putin? Së fundi, Shtëpia e Bardhë tha se Trump "nuk pajtohet" me propozimin e Rusisë, pavarësisht se ishte bërë "me sinqeritet të plotë” nga Putini.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë