Mjedis

Një në tetë europianë jeton në një zonë të rrezikuar nga përmbytjet ekstreme

Një në tetë evropianë jeton në një zonë në rrezik përmbytjeje.

Gjetjet e reja vijnë nga një raport i Agjencisë Europiane të Mjedisit mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike, ku përfshihen gjithashtu dhe thatësira dhe zjarret në pyje.

“Rreth 15% e objekteve industriale në Europë mund të jenë të vendosura në fusha të përmbytura”, shpjegon Aleksandra Kazmierczak, eksperte në Agjencinë Europiane të Mjedisit.

Sipas raportit, 11% e spitaleve ndodhen gjithashtu në zona me rrezik të lartë.

Thatësirat dhe valët e të nxehtit kërcënojnë gjithashtu cilësinë e ujit duke rritur përqendrimin e ndotësve. Këto ngjarje kumulative paraqesin një problem të aksesit në ujë për popullsinë dhe ndikojnë në sistemet e ftohjes së termocentraleve bërthamore dhe bujqësisë.

"Në vitin 2022, ne kemi parë një rënie të prodhimit të misrit dhe vajit të ullirit, për shembull, veçanërisht në Europën Jugore. Humbjet e shkaktuara nga thatësira në sektorët e bujqësisë, furnizimit me ujë dhe energjisë vlerësohen në rreth 9 miliardë euro në vit”, shpjegon Aleksandra Kazmierczak.

Cila është zgjidhja?

“Europa nuk është e përgatitur për atë që do të vijë”, thotë Elena Visnar Malinovska, Shefe në Drejtorinë e Përgjithshme për Veprimin Klimatik në Komisionin Europian.

Duke folur në prezantimin e raportit në Bruksel, ajo kërkoi 'zgjidhje sistematike' për një problem kompleks.

Një masë e thjeshtë që propozon është shmangia e zhvillimeve në zonat në rrezik nga rreziqet e lidhura me klimën, siç janë përmbytjet.

Ajo gjithashtu sugjeron zgjidhje të frymëzuara nga natyra, të tilla si mbjellja e pemëve ose krijimi i zonave me bimësi për të mbajtur ujin e shiut, ose ripërdorimi i ujit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë