Shendet

Një në dy persona që përballet me verbëri nga katarakti nuk ka akses në ndërhyrjen kirurgjikale

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u bën thirrje vendeve të përshpejtojnë përpjekjet për të siguruar që miliona njerëz që jetojnë me katarakt të kenë akses në një ndërhyrje të thjeshtë kirurgjikale për rikthimin e shikimit, një nga ndërhyrjet më efektive dhe të përballueshme për të parandaluar verbërinë e shmangshme.

Një studim i ri i botuar sot në The Lancet Global Health thekson shkallën e sfidës: pothuajse gjysma e të gjithë njerëzve në të gjithë botën që përballen me verbëri të lidhur me kataraktin ende kanë nevojë për akses në kirurgji.

Katarakti- mjegullimi i syve që shkakton shikim të turbullt dhe mund të çojë në verbëri prek më shumë se 94 milionë njerëz në nivel global. Kirurgjia e kataraktit, një procedurë e thjeshtë 15-minutëshe është një nga procedurat mjekësore më efektive nga ana e kostos, duke siguruar rikthim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm të shikimit.

Gjatë dy dekadave të fundit, mbulimi global i kirurgjisë së kataraktit është rritur me rreth 15%, edhe pse popullsia në plakje dhe rastet në rritje të kataraktit kanë rritur kërkesën e përgjithshme. Modelimi më i fundit parashikon që mbulimi për kirurgjinë e kataraktit të rritet me rreth 8.4% për këtë dekadë. Megjithatë, progresi duhet të përshpejtohet ndjeshëm për të përmbushur objektivin e Asamblesë Botërore të Shëndetësisë për një rritje prej 30% deri në vitin 2030.

“Kirurgjia e kataraktit është një nga mjetet më të fuqishme që kemi për të rikthyer shikimin dhe për të transformuar jetën”, thotë Devora Kestel, Drejtoreshë e Departamentit të Sëmundjeve Jo-Transmetuese dhe Shëndetit Mendor të OBSH-së.

Studimi, i cili analizoi raportet nga 68 vlerësime vendesh për vitin 2023 dhe 2024 tregon se Rajoni Afrikan përballet me hendekun më të madh, me tre në katër persona që kanë nevojë për kirurgji të kataraktit që mbeten të patrajtuar. Gratë preken në mënyrë disproporcionale në të gjitha rajonet, duke përjetuar vazhdimisht akses më të ulët në kujdes sesa burrat.

Përveç kësaj, ndërsa mosha është faktori kryesor i rrezikut për kataraktin, faktorë të tjerë që kontribuojnë, siç janë ekspozimi i zgjatur ndaj rrezeve UV, përdorimi i duhanit dhe diabeti, mund ta përshpejtojnë zhvillimin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë