Një oficer policie që kishte dalë në pension është identifikuar si vrasësi serial i një sërë vrasjesh e përdhunimesh në vitet ’80- ‘90 në Paris, kohë të cilën ai përdori dokumentin e policisë, prangat dhe teknikat profesionale për të ndaluar gratë dhe vajzat e reja, duke iu shmangur me dredhi për dekada të tëra ndëshkimit derisa ai vrau veten këtë javë.
E konsideruar një dosje e nxehtë dhe ndër më të mëdhatë në historinë e policisë së Parisit, hetuesit kishin kërkuar dëshmi të ADN-së për të identifikuar vrasësin dhe përdhunuesin famëkeq të njohur në atë kohë si “njeriu me shenjë”, i cili kishte shmangur kapjen nga policia për 35 vjet.
Hetuesit kohët e fundit kishin ngushtuar kërkimin tek ish -xhandarët – oficerë të policisë ushtarake – duke thirrur qindra në pyetje.
Por njëri prej tyre, François Vérove, 59 vjeç, i dha fund jetës në një apartament që kishte marrë me qira në jug të Francës këtë javë pasi u thirr për intervistë.
Prokurori i shtetit konfirmoi pas vdekjes se ADN -ja e Vérove përputhej me disa skena krimi.
Mediat franceze raportuan se para se të vdiste ai kishte lënë një shënim ku thuhej se nuk kishte qenë mirë në kohën e krimeve të tij, por nuk kishte dhënë detaje.

Hetuesit rihapën dosjet e vjetra dhe lidhën krimet e ndryshme me disa faktorë që treguan se vrasësi dhe përdhunuesi mund të kishte lidhje me policinë.
Ai kishte kryer vrasje, përdhunime dhe tentativë vrasje nga viti 1986 deri në të paktën 1994 por nuk u kap kurrë
Në një rast përdhunimi, ai ishte identifikuar si polic kur kishte detyruar një vajzë të hipte në makinën e tij.
Në të paktën tre përdhunime, ai u raportua se e kishte identifikuar veten si oficer policie. Ai e njihte se si funksiononte policia, metodat e saj përdorte gjithnjë prangat.
Viktimat e tij përfshinin një vajzë 11-vjeçare, të cilën ai besohet se e kishte ndaluar në ashensorin e ndërtesës së saj, ndërsa ajo po largohej për të shkuar në shkollë në vitin 1986.
Ajo u dhunua, u vra dhe më pas u gjet në bodrum.
Një viktimë tjetër ishte një gjermane 26 vjeçe, e cila u sulmua dhe u vra në një apartamentin e saj në Paris.
Provat e ADN -së u morën më vonë nga një bisht cigareje por kurrë nuk ishte përputhur me një autor.
Në një deklaratë, prokurori i shtetit tha se kishte pasur disa “elementë” që i çuan hetuesit të dyshonin se vrasës kishte qenë dikush që kishte punuar në xhandarmëri.
Muajt e fundit, hetuesit kishin thirrur 750 xhandarë që kishin punuar në rajonin e Parisit në kohën e sulmeve.
Njëri prej tyre, një burrë 59 vjeç që jetonte në jug të Francës, i cili kishte shërbyer si xhandar në atë kohë u kontaktua më 24 shtator dhe u thirr për t’u marrë në pyetje pesë ditë më vonë.
Në kohën e intervistës, ai mori me qira një apartament ku më vonë u gjet i vdekur.
Didier Seban, një avokat i familjes së viktimave, tha për France Info se, “ne ishim të bindur se ishte një oficer policie, si nga dhuna që ai përdori kundër viktimave të tij, ashtu edhe nga teknikat e tij… Ai i dinte të gjitha teknikat e policisë “
Ai shtoi: “Ne do t’i kërkojmë sistemit të drejtësisë të vazhdojë hetimet për të ditur nëse ai ka pasur bashkëpunëtorë. Familjet duhet të kenë përgjigje”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




