Nga Derrick Wyatt* – A mund të fitojë Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të këtij viti në SHBA? Ndërsa është përpara presidentit aktual Joe Biden në disa sondazhe, dhe në kushtet kur rezultati i betejave të tij të shumta me drejtësinë mbetet ende objekt spekulimi, një fitore e tij në nëntor është sigurisht e mundshme.
Kur ishte president në mandatin e tij të parë në vitet 2016-2020, Trump mori seriozisht në konsideratë largimin e SHBA-së nga NATO. Dhe ish-këshilltari i tij mbi sigurinë kombëtare, John Bolton, ka deklaruar se ai do ta bëjë këtë nëse merr mandatin e dytë.
Në vitin 2020, thuhet se Trump i tha në një bisedë kokë më kokë presidentes së Komisionit të BE-së Ursula Von der Leyen se NATO-ja kishte marrë fund, dhe se SHBA-ja nuk do t’i vinte asnjëherë në ndihmë Evropës në rast se ajo do të sulmohej ushtarakisht.
Po ashtu, Trump është mburrur shpeshherë 2 vitet e fundit, se mund të arrijë “brenda 24 orëve” një marrëveshje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës, me pasojën që kjo e fundit duhet t’i dorëzojë zyrtarisht Moskës një pjesë të territorit të saj aktualisht të pushtuar.
Kjo qasje do të vinte në dyshim mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën dhe angazhimin ndaj NATO-s, dhe madje mund të çojë në tërheqjen zyrtare të SHBA-së nga aleanca. Në këto kushte, a do të mundet NATO dhe BE të bashkojnë forcat dhe të mbushin boshllëkun që do të krijohet nga ikja e SHBA-s?
Suksesi i rezistencës së Ukrainës ndaj agresionit rus, ka treguar se një vend me një popullsi sa ajo e Spanjës, mund të përballet si duhet me ushtrinë ruse, nëse urdhëron një mobilizim masiv dhe merr mbështetje të mjaftueshme nga aleatët e tij.
SHBA-ja është ofruesja më e madh e ndihmës ushtarake për Ukrainën, përfshirë të dhënat jetike nga shërbimi sekret ushtarak, dhe armë siç është sistemi raketor Patriot, që ka garantuar një ombrellë shumë efektive kundër sulmeve ajrore ruse. Aftësia luftarake ruse, është zvogëluar shumë për shkak të luftës në Ukrainë.
Dhe vlerësohet se Moskës mund t’i duhet një dekadë që të arrijë sërish gjendjen e mëparshme të gatishmërisë ushtarake. Sidoqoftë rezultati i luftës në Ukrainë, fitimi apo humbje territoriale për Ukrainën, një NATO e privuar nga angazhimi politik i SHBA-së, apo edhe largimi i saj zyrtar, mund të grumbullojë ende mjaftueshëm aftësi ushtarake për të krijuar një pengesë konvencionale ushtarake të besueshme përballë Rusisë.
Kjo me kushtin që më shumë vende të rritin ndjeshëm shpenzimet ushtarake, siç po ndodh aktualisht me Finlandën, Gjermaninë, Poloninë dhe Suedinë. Por humbja e “ombrellës” bërthamore të SHBA-së, do ta përballte Evropën me një sfidë ushtarake të fortë, të cilën ajo do ta kishte të vështirë që ta menaxhonte.
Por problematika nuk mbaron vetëm me aftësitë ushtarake konvencionale. Sepse në lojë është edhe çështja delikate e arsenaleve bërthamore të NATO-s dhe Rusisë, sa i përket armëve taktike dhe atyre strategjike. Doktrina ruse, thotë se armët bërthamore taktike me një rreze të kufizuar, janë “një pjesë e kontrollueshme në kuadër të arritjes së rezultateve në fushën e betejës dhe përfundimit të një lufte”.
Britania e Madhe dhe Franca, zotërojnë arsenale strategjike të raketave bërthamore që lëshohen nga nëndetëset. Ato janë të afta ta pengojnë Rusinë të nisë sulme bërthamore ndaj tyre. Por askush nuk beson vërtet se një sulm bërthamor taktik nga Rusia, le të themi mbi bazat ushtarake ose forcat e armatosura në shtetet baltike ose Poloni, do të sillte sulme bërthamore mbi qytetet ruse nga Britania apo Franca.
Sepse Mbretëria e Bashkuar nuk ka fare armë bërthamore taktike. Edhe Franca ka një aftësi të vogël për të realizuar një përgjigje bërthamore të shkallëzuar, dhe gjithsesi e refuzon atë koncept.
Ndaj pa Shtetet e Bashkuara, dhe nëse nuk do të ketë një rritje të aftësive të armëve bërthamore të Francës dhe Britanisë së Madhe, Evropa nuk do të kishte asnjë mjet për të reaguar në të njëjtën formë ndaj përdorimit të armëve bërthamore taktike nga ana e Rusisë.
Pra do të ishte një lloj “Thembre e Akilit”. Pavarësisht nëse Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen apo jo nga NATO, perceptimi se Amerika nuk do të luftonte për Evropën, do të ndryshonte ekuilibrin e fuqisë në favor të Rusisë.
Rezultati mund të jetë i njëjtë, edhe nëse një presidencë e dytë e Trump do të shkonte aq larg sa të tërhiqte vendin nga NATO, apo të sinjalizonte hapur mungesën e angazhimit për të luftuar në mbrojtje të Evropës. Në të dyja rastet, mund të ketë një reduktim me 70.000 apo më shumë trupa të personelit ushtarak amerikan dhe të armëve të tyre taktike bërthamore që janë aktualisht të vendosura në Evropë.
Nëse sjellja e presidentit Trump, do ta bënte udhëheqjen ruse të besonte se Shtetet e Bashkuara nuk do të reagojnë automatikisht për të mbrojtur aleatët e NATO-s ndaj një sulmi rus, balanca e fuqisë ushtarake në Evropë do të ndryshonte në favor të Rusisë dhe kundër aleatëve evropianë të NATO-s.
Dhe disa nga këta aleatë, siç janë shtetet baltike, do të ndiheshin të rrezikuar nga sulmi rus. Në këto kushte a ka mundësi BE-ja ta mbushë boshllëkun e krijuar, duke marrë një rol më të madh mbrojtës? Presidenti Macron, ithtar i tezës së autonomisë strategjike të kontinentit, ka të ngjarë ta nxisë BE-në të marrë një rol më të madh mbrojtës nën udhëheqjen ushtarake franceze.
Përgjigja e shteteve të tjera anëtare, është e vështirë të parashikohet. Por financimi i BE-së, mund të rrisë ndjeshëm aftësinë ushtarake të vendeve të BE-së, nëse armatimi më modern shkon për shtetet anëtare më në nevojë, dhe që janë më pak të afta të përballojnë shpenzime të mëdha në fushën e mbrojtjes.
Aktualisht ekziston Fond Evropian i Mbrojtjes, që u krijua enkas për të nxitur bashkëpunimin e vendeve të BE-së mbi zhvillimin e aftësive dhe kërkimin e mbrojtjes. Megjithatë buxheti i tij është modest:vetëm 8 miliardë euro gjatë viteve 2021-2027.
Sa për krahasim, që nga fillimi i pushtimit rus SHBA-ja e ka ndihmuar Ukrainën me 44 miliardë euro, ndërsa aleatët evropianë të NATO-s kanë kontribuar përafërsisht me të njëjtën shumë por që të gjithë së bashku. Kjo e dhënë ofron shpresë se unioni mund t’i ndihmojë shtetet anëtare të caktuara për ta përballuar kërcënimin që u vjen nga Rusia.
Që një “Fond Evropian i Mbështetjes Ushtarake” të vendosë sistemet moderne të mbrojtjes ajrore, sistemet raketore tokë-tokë, dhe automjetet e blinduara dhe tanket, në duart e vendeve të BE-së që kanë nevojë për to, kjo do të nënkuptonte një plan shumëvjeçar dhe grante në vlerën qindra miliarda eurove.
Teorikisht, kjo gjë do të ishte e arritshme në rast se do të ekzistonte vullneti politik. Por vështirësia më e madhe do të ishte sigurimi i unanimitetit në gjirin e BE-së. Por edhe ky kriter mund të anashkalohet.
Shtetet anëtare të BE-së, mund të arrijnë marrëveshje ndërkombëtare të detyrueshme për të financuar Fondin e Mbështetjes Ushtarake, ashtu si projektet e tjera të mbrojtjes ushtarake jashtë buxhetit të BE-së, si edhe fondi i tyre i mbrojtjes që ka financuar tashmë ndihmën ushtarake për Ukrainën.
Megjithatë BE-ja do ta kishte të vështirë të mbushte boshllëkun e sigurisë të krijuar nga një SHBA e lëkundur, nëse Franca nuk do ta zgjeronte ombrellën e saj bërthamore për të mbuluar BE-në në tërësi si dhe gjithë territorin e saj.
Parisi mund të ofrojë vendosjen e armëve bërthamore taktike në shtetet e tjera anëtare të BE-së, ashtu si Rusia ka vendosur armë bërthamore taktike në Bjellorusi. Por ky skenar duket qartazi i pamundur. NATO dhe BE kanë lidhje të ngushta midis tyre, edhe sepse shumica e anëtarëve të NATO-s janë gjithashtu shtete anëtare të BE-së.
Cilido qoftë reagimi i BE-së ndaj tërheqjes de facto apo de jure të SHBA-së nga aleanca, ai do të kishte një reagim nga ana e aleatëve të NATO-s të Evropës në kapacitetin e tyre si të tillë. Ata do të donin rikthimin sa më shpejtë të SHBA-së në rolin e saj si një lidere e besueshme e aleancës dhe si garantuese e sigurisë së saj.
Po ashtu, ata do të inkurajoheshin nga disa politikanë në Shtetet e Bashkuara që ta denonconin shkëputjen e presidentit Trump nga NATO, dhe të bënin thirrje për një ndryshim të kësaj politike. Aleatët evropianë të NATO-s, ka të ngjarë të përsërisin angazhimet e tyre të NATO-s për vetëmbrojtje reciproke, dhe të deklarojnë se do ta mirëpresin rikthimin në çdo kohë të SHBA-së në vendin e saj në aleancë.
Pa garancinë de facto ose de jure të mbështetjes ushtarake të SHBA-së, NATO mund të qëndrojë e bashkuar në një periudhë afatshkurtër dhe afatmesme. Por e ardhmja e saj afatgjatë do të ishte problematike, për shkak të epërsisë dërrmuese që ka Rusia në armë bërthamore.
Burimi: Brussels Signal/ Përshtati: Gazeta Si
*Derrick Wyatt është profesor i drejtësisë në Universitetin e Oksfordit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




