Analize

Një nacionalist grek në krye të delegacionit të PE-së që do kontrollojë Shqipërinë!

Edhe pse nacionalist e kritik i ashpër i Shqipërisë dhe nismëtari i një interpelancash kundër vendit tonë në Bruksel, eurodeputeti grek Manolis Kefalogiannis duket se do të jetë përgjegjës për mbarëvajtjen e pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Kefalogiannis, pjesë e Partisë Popullore Evropiane duket se do të jetë Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, duke i dhënë kështu qeverisë greke një mjet të fortë për t’i bërë presion vendit tonë.

Edhe pse ka shprehur disa herë kritika të ashpra për vendin tonë, Kefalogiannis është zgjedhur në mënyrë unanime, duke zëvendësuar në këtë detyrë rumunen Monica Macovei.

Në deklaratën e tij të parë pas marrjes së detyrës, ai e ka vendosur theksin te detyrat që Shqipëria duhet të realizojë kryesisht për të drejtat e pakicës greke, duke ndjekur të njëjtën politike si kryeministri Qiriakos Mistotaqis.

“Është nder i madh për mua që të zgjidhem unanimisht si kryetar i Komitetit të Stabilizim Asociimit Parlamentar BE-Shqipëri. Një komision shumë i rëndësishëm që shqyrton rrugën e pranimit të Shqipërisë, një vend i Ballkanit Perëndimor që duhet të respektojë vlerat evropiane, sundimin e ligjit, marrëdhëniet e mira fqinjësore, ligjin ndërkombëtar, të drejtat e pakicave dhe natyrisht të drejtat e pakicës etnike greke”, ka thënë eurodeputeti.
Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asocimit është forumi i anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe të Parlamentit Europian, në të cilin diskutohen të gjitha aspektet e marrëdhënieve politike dhe ekonomike BE–Shqipëri.

Eurodeputeti grek Manolis Kefalogiannis

Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asocimit, si rregull, miraton deklaratën dhe rekomandimet e përbashkëta, të cilat u dërgohen institucioneve shqiptare (Kuvendit dhe qeverisë shqiptare) dhe atyre të Bashkimit Europian (Parlamentit Europian, Këshillit të Ministrave dhe Komisionit Europian).

Por zgedhja e Kefalogiannis si kreu i delegacionit të PE-së në vendin tonë duket më shumë si një shaka e hidhur, pasi eurodeputeti grek është bërë i njohur ndër vite për retorikën e tij anti-shqiptare, të cilën e ka çuar edhe në Bruksel. Kefalogiannis i është drejtuar vazhdimisht Komisionit Europian me një sërë pyetjesh ku shfaqte shqetësimet ndaj Shqipërisë, si në lidhje me çështjen e shumëpërfolur të detit, çështjen e Shqipërisë së Madhe, të drejtave të minoritetit, cenimin sipas tij të lirisë së fesë në vendin tonë, duke paralajmëruar se këto cështje do të pengonin integrimin e vendit tonë në BE.

Në vitin 2015, përfaqëesueis i eurodeputetëve konservatorë grekë në Parlamentin Europian, Manolis Kefalogiannis ka dorëzuar një kërkesë për interpelancë në Komisionin Europian, duke marrë shkas nga disa deklarata të kryeministrit Edi Rama për Shqipërinë e Madhe.

Sipas tij, me anë të këtyre deklaratave, Shqipëria vë në dyshim të drejtat sovrane të Greqisë dhe kjo ndikon tek sovraniteti territorial i një shteti anëtar të BE-së, duke minuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, stabilitetin rajonal dhe, për pasojë, edhe perspektivën europiane.

Në tekstin që ai kishte dorëzuar para Komisionit Europian shkruhej se: Deklaratat e fundit dhe pozicionimet e kryeministrit të Shqipërisë, përveç referimeve për Shqipërinë e Madhe vënë në dyshim të drejtat sovrane të Greqisë dhe Zonën Ekskluzive Ekonomike të saj, duke prekur paralelisht edhe çështjet e sovranitetit territorial të një shteti anëtar të BE-së”.
Por kjo nuk ishte hera e parë që ai do ta conte Shqipërinë në interpelancë Bruksel, pasi në vitin 2014, Kefalogiannis ngriti alarmin në BE, për korrigjimin e teksteve shkollore të Historisë dhe Gjeografisë së Shqipërisë. Eurodeputeti i “Demokracisë së Re”, e cila ishte në pushtet në atë kohë, ka kërkuar ndërhyrjen e Komisionit Europian për këtë çështje.

Kefalogiannis shprehej në atë kohë se duhet të rivendoset e vërteta historike në librat shkollore të Shqipërisë dhe të shmanget qartë në të ardhmen çdo akt dhe propagandë irredentiste.

Në një letër drejtuar KE-së deputeti grek shkruante se “shqiptarët qytetet greke të Prevezës, Igumenicës, Pargës dhe Kosturit i quajnë qytete shqiptare në tekstet shkollore”. Kefalogiannis shprehej se këto tekste janë një gabim i madh për një vend si Shqipëria që do të jetë pjesë e BE.

Ajo që prekte me tepër deputetin grek është se në tekstin e Historisë, quhen si zona shqiptare në Greqi: Çamëria, Konica, Kosturi, Follorina; ndërsa ka referenca për Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913, e cila “bëri shpërndarjen e trojeve shqiptare në shtetet fqinj. Ai kërkonte menjëherë nga Tirana zyrtare korrigjimin e këtyre teksteve.

eurodeputeti grek Manolis Kefalogiannis

Por qendrimi i tij nuk duket të jetë pozitiv as për integrimin e vendit. Në vitin 2-16, kur në Parlamentin Europian u prezantua rezoluta për Shqipërinë, Manolis Kefalogiannis kërkoi ndërhyrje në thuajse 14 amendamente. Ndër to më i rëndësishëm shfaqet amendamenti 51§5 që lidhet me mundësinë e rekomandimit për hapjen e negociatave. Kefalogiannis kërkonte fshirjen e pjesës ku pasqyrohet orientimi për“marrjen parasysh të konkluzioneve të projektrezolutës në rekomandimin për hapjen e negociatave”.

Po e njëjta fshirje kërkohej edhe ndaj referimit që projektrezoluta ka ndaj Konkluzioneve të Samitit të Ballkanit Perëndimor, të Vjenës 2015. Për rikujtesë Samiti i Vjenës, në kuadrin e vijimit të procesit të Berlinit, rithekson perspektivën evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kush ështe Kefalogiannis?

Manolis Kefalogiannis është anëtar i partisë qeveritare Greke Demokracia e Re, e zgjedhur për herë të parë në Parlamentin Evropian në vitin 2014. Ai ishte Kryetari i Delegacionit të PE-së në Komitetin Parlamentar të Përbashkët BE-Turqi nga viti 2014 deri në 2019. Para se të hynte në politikë në nivelin Europian, ai ishte deputet në parlamentin kombëtar Grek nga 1990 dhe shërbeu si ministër i qeverisë në vitet 2000.


Në pesë vitet e kaluara, ai ka shprehur kritikë për politikat kulturore të Shqipërisë. Sidoqoftë, ai u mbështet njëzëri për të kryesuar komitetin për marrëdhëniet me një vend që aktualisht po përballet me sfida politike në rrugën e saj në BE.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë