Shendet

Një muaj pas shenjave të para, konfirmohen 15 raste me Flourona në Shqipëri

Gazeta Si – Në Shqipëri janë konstatuar rastet e para me Flourona (një kombinim i gripit dhe koronavirusit) përgjatë periudhës janar-shkurt.
Instituti i Shëndetit Publik ka deklaruar se janë konfirmuar 15 raste në total me kombinimin e viruseve të cilët janë trajtuar njëkohësisht.
“Nuk kanë pasur probleme shtesë, për shkak të infektimit edhe nga gripi, pasi kanë qenë të infektuar me variantin Omicron që qëndron në rrugët e sipërme respiratore. Pjesa më e madhe e këtyre personave kanë qenë të pa vaksinuar qoftë për Covid-19 ashtu edhe për gripin”, konfirmuan ekspertët e ISHP për Gazetasi.al.

Ndërkaq, gjendja e kombinimeve të dy viruseve në terren ka qenë prezente që në fillim të muajit janar të këtij viti. Mjekët e qendrave shëndetësore i kanë shpjeguar Gazetasi.al se ishin të shqetësuar se kombinimi i dy viruseve bëri që të kishte dyndje pacientësh, situatë kjo që e u pasua me valën e Omicron.
Sipas mjekëve vetëm testi PCR mund të bëjë ndarjen e qartë nëse një pacient është mbartës i dy viruseve apo i ka ata veç, sepse simptomat janë shumë të ngatërrueshme.

Për mjekun Kita Sallabanda Diaz gabimi fillestar që u bë me këtë gjendje ishte sepse u konsiderua sëmundje.
Që prej konstatimit të rasteve nga mjekët e qendrave shëndetësore, ai i ka shpjeguar Gazetasi.al se janë dy viruse që prekin në të njëjtën kohë dhe trajtohen specifikisht secilin. Sallabanda shton se rastet e flouronës që janë parë në Europë nuk janë të rënda për shkak se gripi mund të shkaktojë bronkolit, ndërsa koronavirusi qëndron fillimisht në rrugët e sipërme respiratore. Sipas mjekëve, rruga e vetme për t’i shpëtuar këtij kombinimi apo edhe komplikimeve të vetë viruseve duhet vaksinim dhe praktikimi i masave mbrojtëse.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se të dy viruset janë sëmundje shumë infektive të frymëmarrjes dhe kanë pothuajse të njëjtat simptoma, si kolla, ethe, vështirësi në frymëmarrje dhe humbje e shijes dhe nuhatjes. Për shkak të vështirësisë në dallimin e sëmundjeve nga simptomat OBSH ka deklaruar se personat duhet të izolohen për të reduktuar rrezikun e përhapjes së infeksionit.

Rasti i parë me flourona ishte në fund të dhjetorit te një grua shtatzënë e cila u shtrua në Qendrën Mjekësore Rabin në Petah Tikva, Izrael. Ndërkaq që prej asaj kohe  në fillim të dhjetorit u pa një përhapje shumë e madhe e fluronës në Europë dhe SHBA dhe ekspertët e shpjeguan këtë fakt se ishte “faji” i heqjes ose mos-respektimit të masave mbrojtëse.

Ndërkohë një studim në Qendrat Shëndetësore në SHBA, tregon se rastet e fluronës kanë  qenë gjatë gjithë pandemisë, por deri më tani janë relativisht të rralla. Nga më shumë se 170,000 raste të regjistruara të COVID-19 të parë në të dhënat spitalore nga Klinika Mayo, vetëm 73 ishin të bashkë-infektuar me grip. Alabama dhe Xhorxhia kishin përqindjen më të lartë të pacientëve të shtruar në spital me COVID-19 me bashkë-infeksione të gripit-0.8 përqind dhe 0.7 përqind, respektivisht. Këta pacientë me flurona ishin të gjithë relativisht të rinj dhe sëmundjet e tyre ishin përgjithësisht të lehta.

Studimi zbulon se shtrimet në spital për shkak të bashkë-infeksionit ishin më të lartat në janar 2022 krahasuar me të gjithë muajt e mëparshëm të pandemisë – një rritje e nxitur pjesërisht nga varianti shumë i transmetueshëm Omicron.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë