Muzike

Një mrekulli Pashke nga Olen Cesari

Koncerti në Tiranë, si stacion i fundmë i xhiros së botës njëherë në dy vjet, vjen vetëm dy ditë pas Pashkës katolike, ndërsa vetë violinisti do të shprehej se është kthyer për të dhënë dashuri. Lidhjet e tij me besimin dhe mrekullitë nuk janë vetëm e thjesht përkim me rastësitë. Dy vjet më parë do të luante “Ave Maria” me violinën e tij të qelqtë, në shpatullën e shtatores “Krishti Shpëtimtar” në Rio de Janeiro , një përvojë e pazakontë për një muzikant që  e ka si kërkim i atij vendi të fshehtë shpirtëror në zemrën e njeriut.

Ndodhej në Rio për një koncert të ndërrimit të viteve dhe fill të nesërmen do të dilte për një vizitë turistike në pikat atraktive të qytetit brazilian. “Kur isha poshtë statujës pashë që Krishti u mbulua me re dhe dielli qëndronte pas kokës së tij. U formua kështu një kurorë sipër kokës së Krishtit prej diellit”, rrëfen një vit më vonë Olen Cesari, pak ditë përpara koncertit në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, më 23 dhe 24 prill.

Kjo ishte shenja për violinistin se duhej të ngjitej atje lart, pranë kryes së Krishtit Shpëtimtar, por roja do t’i thoshte se ngjitje deri atje bëhej vetëm një herë  në vit, nga stafi i kompanisë pastruese. Iu deshën dy javë, të merrte lejen nga Vatikani, për të performuar në një prej mrekullive të botës moderne. Një mëngjes janari, në orën pesë nisi aventurën e ngjitjes  drejt shpatullave të Krishtit, ku do të luante me violinën.

Ngjitja deri në pikën kulmore të statujës 40 metra të lartë i ngjante më shumë një sipërmarrjeje alpinisti.  Kujton se xhiroi për rreth dy orë me frikën se ndonjë nga dronet që xhironin do t’i përplasej në fytyrë. Lidhjet me besimin e krishterë i ka gjetur edhe më herët dhe jo aq larg sa në Brazil, por pranë shtëpisë së tij në Romë.

Pas diplomimit në Institutin e lartë të Arteve në Tiranë, në moshën 14-vjeçare me medalje ari si instrumentisti më i mirë shqiptar,  Cesari do të fitonte një bursë studimi në konservatorin “Santa Cecilia” në Romë. Ndërkohë që studionte në konservator, e ëma, mentorja e tij që në hapat e parë me violinën në moshën 3 –vjeçare, bisedon me disa motra në Vatikan dhe kështu të riut shqiptar i jepet e drejta të studiojë ndërkohë edhe në Vatikan.

Olen Cesari në moshën 4-vjeçare

Atje, kujton ai, i kishin lënë një dhomë ku të ushtrohej. “Një ditë vjen një prift dhe më tha: “Më ke zënë dhomën!”  i thashë se këtu më kishin caktuar. Mirë, po edhe unë ushtrohem këtu në piano”, do t’i përgjigjej prifti Ratzinger, i cili më vonë do të bëhej  Papa Benedikti XVI. Violinisti i cili u diplomua shkëlqyeshëm nga konservatori “Santa Cecilia” dhe deri më sot mbetet më i riu i diplomuar aty, në moshën 17- vjeçare,  rrëfen se ka performuar  në koncerte për tre Papë në Vatikan;  Gjon Palin II, Benediktin XVI dhe Papa Françeskun.

Olen Cesari i dhuron diskun e tij Papa Franceskut

Së fundi do të mblidhte në Vatikan yjet shqiptarë për koncertin e organizuar nga Papa Françesku në nder të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në 550 vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, organizuar në teatrin “Argjentina”, në Romë, në nëntor të vitit të kaluar. Përvoja e fuqishme e asaj që e quajti “Dashuria e Pastër” në shpatullën e Krishtit Shpëtimtar, i solli edhe idenë për projektin  e ri në zbulim të shtatë mrekullive të botës së re, përmes violinës.

“Meqenëse Koloseun e kam pranë shtëpisë në Romë”, do të zbulonte violinisti, vendosi të shkojë në skajin tjetër të botës. Kështu lindi projekti i Murit të Madh Kinez, i cili u realizua në fund të vitit të kaluar, pas një tentative të dështuar, ka zbuluar Cesari. Iu deshën gjashtë muaj për të marrë lejen për të performuar dhe xhiruar atje dhe në ditën e caktuar, mjegulla toksike që mbulon Kinën kishte fluturuar mbi mur. Nuk mund të shihej asgjë. Bashkë me ekipin e televizionit shtetëror kinez, që ishin caktuar për të filmuar, vendosën të ktheheshin pas. “Por në nëntor u kthyem sërish dhe për ato tri orë  që xhiruam, u hap koha. Sa po mbyllnim pajisjet u vesh me mjegull”.

Thotë se në projektin e mrekullive, ka vendosur të lumturojë edhe besimtarët myslimanë, pas atyre të krishterë, duke zgjedhur si destinacion të tretë tempullin Taj Mahal, në Indi. Për Cesarin, është një tjetër sfidë e madhe, veçanërisht kur bëhet fjalë për shkresa dhe leje,  për t’i bindur zyrtarët rreth seriozitetit  të projektit. Në këtë gjitha performancat e tij nëpër botë, brenda teatrove të mëdhenj apo në qiell të hapur, Cesari nuk ndahet kurrë nga violina e tij e tejdukshme, dhuratë siç zbulon ai nga dyzet miq të ngushtë, prodhuar nga një ljutar i talentuar anglez.

Me të ka udhëtuar në tempujt e muzikës botërore si teatri antik i Taorminës në Itali, Wiener Konzerthouse në Vjenë,  Carnegie Hall në Nju Jork,  Auditorium Parku i muzikës në  Romë, teatri Le Palace i Parisit, etj. Një virtuoz, i cili pas diplomimit në konservatorin e Romës, do të fitonte çmimin “Mozart” e do të hynte fill në Mozarteumin e Salzburgut e do të fitonte në moshë fare të re çmimin ndërkombëtar “Foyer des artistes”, duke interpretuar Paganinin, Olen Cesari ka eksperimentuar me të gjitha zhanret e muzikës, nga klasikja tek popi,  nga xhazi te rroku, dance dhe muzika botërore.

Ishte këshilla e këngëtarit të madh italian, Lucio Dalla, me të cilin ka interpretuar disa herë në skenë e që pas humbjes së të atit, nisi ta shohë si figurë atërore, që e nxiti të krijonte muzikën e tij. Dalla e ka cilësuar Cesarin si “gjeni të violinës” dhe pas tij, violinisti shqiptar do të luante edhe në krah të shumë artistëve të njohur si Bob Dylan, Michel Petruçiani, Lenny Kravitz , Maroon 5, Sheryl Crow, Claudio Baglioni, Simone Cristiçhi, Inva Mula, Anna Oxa  dhe Zucchero.

Ndodhi pikërisht kur u shpërngul nga Italia drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të dytën herë,  më 1993-shin, kur nisi të eksperimentojë me rryma të tjera si xhaz, soul, country e deri tek hip-hop dhe rap. Cesari ka performuar gjithashtu në evente bamirësie mes artistëve si Mick Jagger i “Rolling Stones” apo bateristi i “Beatles” Ringo Starr. Cesari  ka edhe dhuntinë e veshit absolut.

Megjithëse është larguar herët nga Shqipëria, vazhdon t’i mbajë rrënjët e forta me vendin, ndërsa shprehet se ndihet i pikëlluar me ndryshimet që ka pësuar qyteti i tij i lindjes, Durrësi. Dikur i pasionuar pas arkeologjisë, thotë se kalonte me orë të tëra tek amfiteatri, për të cilin ndjen keqardhje që është lënë në harresë, pasi duhet të trajtohej si një nga mrekullitë e antikitetit me të cilën shqiptarët të mburreshin. E megjithatë, Cesari nuk e harron kurrë nga vjen, edhe pse prej vitesh është qytetar italian. Çdo dy vjet, si një ritual, ai kthehet të japë koncert në Tiranë. Dy vjet më parë regjistroi edhe një DVD nga mbrëmja live në Pallatin e Kongreseve, ndërsa këtë vit thotë se do të jetë një spektakël madhështor.

“Rrotullimi i botës njëherë në dy vite ndalon edhe në Tiranë dhe më në fund me 23 dhe 24 prill  bota ime ndalon në Tiranë”, ka thënë violinisti, i shoqëruar nga disa artistë  të huaj dhe nga grupi i tij “International Clandestine Orchestra” , më të cilët siç thotë vetë Cesari, shkon kundra rrymës, duke i bërë të huajt të këndojnë shqip.

Spektaklet e tij ofrojnë  një rrugëtim muzikor rreth botës, në një mbrëmje, ku përzihen zërat, ngjyrat apo pjesët e famshme të repertorit të muzikës botërore dhe prodhimet origjinale të të albumit të tij “Unexpected”, me muzikë nga 13 vende të botës.  Me një filozofi se muzika u përket të gjithëve e jo vetëm elitës, virtuozi e bën më të prekshme për këdo përvojën me tingujt që vijnë nga e gjithë bota e që mblidhen në një sallë. Cesari beson te muzika si mjet universal paqeje, miqësie, vëllazërie mes popujve dhe siç thotë ai, tek luan “Ave Maria” në shtatoren e “Krishtit Shpëtimtar”, vizioni i besimit dhe i  shpresës në muzikë,  na përqafon të gjithëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë