Ish-Senatori republikan, Bob Dole, një hero i Luftës së Dytë Botërore, vdiq të dielën në moshën 98-vjeçare. Gruaja e tij, Elizabeth Dole, e postoi njoftimin të dielën në Twitter, duke theksuar se ai vdiq në gjumë.
“Ai i ka shërbyer Amerikës për 79 vjet me radhë”, shkroi ajo. Në muajin shkurt të këtij viti, ish-senatori Dole, bëri të ditur se ishte diagnostikuar me kancer në mushkëri.
Gjatë karrierës së tij 36-vjeçare në Capitol Hill, ish-senatori republikan, Bob Dole u bë një nga ligjvënësit dhe udhëheqësit më me ndikim në Senat.
Robert Joseph Dole, lindi më 22 Korrik të vitit 1923 dhe ishte një nga katër fëmijët e familjes Dole në Russell të Kanzasit.
Si toger i ushtrisë amerikane në Luftën e Dytë Botërore, ai udhëhoqi një sulm në një fole mitralozash gjermanë në Itali. Një predhë i shkatërroi shpatullën e djathtë, i paralizoi krahun, i dëmtoi kurrizin dhe i kushtoi një veshkë. I dekoruar për heroizëm, Bob Dole kaloi 39 muaj në spitale para se të kthehej në jetën civile.
Ai u përpoq tre herë të bëhej President. E fundit ishte në vitin 1996, kur ai ishte kandidat republikan dhe humbi në garë me ish-Presidentin Bill Clinton.
Ai kërkoi nominimin presidencial të partisë së tij në vitin 1980 dhe në vitin 1988, ndërsa ishte kandidat për zëvendëspresident në vitin 1976 bashkë me ish-Presidentin Gerald Ford.
Në vitin 1990, Dole ka udhëhequr një delegacion të SHBA-së në Kosovë, ndërsa në gusht të vitit 2020, për nder të angazhimit të tij për Kosovën, busti i tij është venodsur në Prishtinë.
Në atë kohë, përmes një video-mesazhi, Dole ka shprehur mirënjohjen për inaugurimin e bustit. “Më vjen keq që nuk mund të jem me ju në inaugurimin e bustit, më kujton kohën e para 30 vjetëve. Tridhjetë vjet kemi punuar për të krijuar një shtet të fortë dhe shpresoj se do të vazhdoni të punoni për t’u bërë edhe më të fortë”, ka thënë Dole.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




