Duke përdorur mjete të shekullit 21 për të krijuar produkte shumë të specializuara, firmat e vogla mund të përmbysin gjigandët.
Dalton, Ohio është një vend i vështirë për të gjetur ide të reja se si të lulëzoni në një ekonomi kaotike të shekullit 21. Ky qytet është vendbanimi më i madh në botë i individëve Amish dhe shtëpia e Pioneer Equipment, një prodhues i lëruesve, parzmoreve, shpërndarësve të plehut organik dhe formave të tjera të pajisjeve të fermave të tërhequra nga kali. Pioneer është në pronësi dhe drejtohet nga familja Wengerd, të cilët janë Amish i Rendit të Vjetër, që do të thotë se ata lëvizin akoma me kuaj dhe i mbajnë shtëpitë e tyre të shkëputura nga rrjeti i energjisë, e jetojnë pa telefonë, kompjutera dhe teknologji të tjera moderne.

Megjithatë, pavarësisht nga natyra e vjetëruar e prodhimit të produkteve të Pioneer Equipment dhe mënyrës se si e bëjnë atë, kompania përsëri është një sukses. Fillimet i ka në vitet 1970 si një biznes hobi me kohë të pjesshme në një hangar, e tani është rritur në mënyrë shpërthyese. Kompania punëson afro pesëdhjetë njerëz, duke e bërë atë një nga bizneset më të mëdha Amish në botë – një duzinë prej të cilëve janë anëtarë të familjes Wengerd (të gjithë, përveç njërit prej stafit janë Amish). Leon Wengerd, CFO, më tha që qëllimi i kompanisë nuk është vetëm suksesi financiar. Ata duan të jenë një “dritë për botën dhe të rriten në mënyrë të qëndrueshme për të çuar më tej mbretërinë e Perëndisë”.
Një kompani si Pioneer nuk mund të ketë qenë kaq e suksesshme sa është sot, nëse do të ekzistonte në një epokë të mëparshme. Është, në mënyrën e vet, plotësisht moderne dhe mishëron atë që unë e quaj “ekonomi pasion”. Wengerdët po bëjnë punën që ata kanë dëshirë, duke e kapitalizuar në mjetet që ofron ekonomia e shekullit 21 dhe duke iu përgjigjur thellësisht dhe në mënyrë të shpejtë nevojave të klientëve të tyre, të cilët janë gjithashtu kryesisht Amish. Mjetet e tregtisë moderne të cilat kanë akses të lehtë në transportin, logjistikën e sofistikuar, aftësinë për të arritur dhe për t’u lidhur me klientët në të gjithë globin, janë tani në dispozicion edhe për biznesmenin më të pasofistikuar teknologjikisht. Kjo lejon diçka të re: si intimitetin në shkallë, në të cilën kompanitë mund të krijojnë produkte shumë të specializuara që të arrijnë tek klientët e përhapur në të gjithë botën.
Modeli i biznesit Pioneer do të ishte i vështirë për ti’u reklamuar një grupi investitorësh. Tregu thelbësor i adresueshëm është më pak se 25,000 fermerë, e me fuqi blerëse nën mesatare. Ky treg nuk mund të arrihet përmes reklamave dixhitale, TV ose radios. Ndërkohë vetë produktet janë të mëdhenj e të rëndë dhe duhet të dërgohen nga zonat rurale të Ohios tek klientët e largët në të gjithë Amerikën e Veriut. Rregullat e Amishëve zakonisht ndalojnë lidhjen e një shtëpie ose biznesi në rrjetin e energjisë, megjithëse disa gjeneratorë përdoren nga Amishët në mjetet e punës që punojnë veçse me energji elektrike. Kompania Pioneer ndonëse Amishe ka një sistem mjetesh pneumatike për të drejtuar makinat dhe një sasi të vogël kompjuterash dhe celularësh.
Wengerdët kanë arritur të lulëzojnë brenda këtyre kufizimeve teknologjike. Asnjë prej tyre nuk ka për ta vizituar ndonjëherë Japoninë (pasi ata e kanë të ndaluar të fluturojnë), megjithatë kjo nuk i ndaloi ata të punësonin një konsulent Japonez për t’i trajnuar në sistemin e prodhimit të Toyotas e të përqafonin prodhimin e specializuar e të zhvilluar. Asnjë nga Wengerdët nuk di shumë për aspektet shkencore të metalurgjisë, megjithatë ata kanë zhvilluar marrëdhënie të ngushta me tregtarët e metaleve, të cilët u ofrojnë atyre format e fundit të çelikut të krijuara për industrinë e automobilave, gjë që u lejon atyre të bëjnë struktura të forta e të lehta. Përmes një partneriteti me XPO, kompaninë logjistike, Pioneer zhvilloi një sistem efektiv për transportimin e mjeteve masive në vendbanimet më të largëta të Amishëve me çmimet më të arsyeshme.
Agjentët e shitjes të Pioneer mund të mos flasin shpesh me klientët e tyre në telefon, por ata mbajnë mjaftueshëm kontakte për të mësuar se çfarë këta të fundit dëshirojnë. Për shembull, fermerët Amish po zhvendosen gjithnjë e më shumë nga nënproduktet e grurit në prodhime me vlerë më të lartë, që do të thotë se ata kanë nevojë për lloje të ndryshme të makinerive prodhuese. Shumë Amish janë duke lëvizur në veri, duke lënë vendbanimet e tyre historike në Pensilvania, Ohio dhe Indiana për tokë bujqësore relativisht të lirë në zonat e deindustrializuara të “Rust Belt”. Kjo do të thotë se ata po punojnë toka më të ftohta, më të forta e që kanë nevojë për mjete lërimi e plugimi që janë më të forta. Në të njëjtën kohë, komunitetet e ndryshme Amish kanë lloje të ndryshme të proçeseve fetare – disa refuzojnë rrotat e gomës, ndërsa të tjerë i përqafojnë ato – kështu që Pioneer ofron afërsisht 90 opsione të ndryshme.

Në ekonominë e sotme, ngushtësia dhe kompleksiteti i tregut të Pioneer është me të vërtetë një forcë. Ndonëse 25,000 fermerët Amish nuk janë të mjaftueshëm për të tërhequr vëmendjen e prodhuesve të mëdhenj si John Deere, Kubota dhe Caterpillar, ata janë më se të mjaftueshëm për të mbështetur Pioneer dhe disa prodhues të tjerë të pajisjeve Amish, falë të cilëve të gjithë këta shitës me pakicë po rriten shëndetshëm.
Kompanitë si Pioneer nuk do të zëvendësojnë firmat e mëdha, të cilat po bëhen më të mëdha dhe më dominuese në ekonominë amerikane. Ndërmarrjet e Fortune 500 përbëjnë dy të tretat e PBB të Sh.B.A-së, nga rreth gjysma që përbënin 20 vite më parë. Tregtia globale, automatizimi dhe interneti kanë qenë qartë motorët për zhvillim dhe shkallëzim për firmat e mëdha që i kanë përqafuar ato. Në sipërfaqe, nocioni i konkurrencës me lojtarë të mëdhenj që kanë avantazhe të tilla mund të duket mjaft shqetësuese.
Por ndërmarrjet si Pioneer ofrojnë një rrugë alternative. Duke u përqëndruar me obsesion e me pasion në një klientelë të cilën e njohin në mënyrë të veçantë shumë mirë, dhe duke përqafuar mjetet e punës që do t’i ndihmojnë ata t’i shërbejë kësaj klientele, bizneset e tilla të vogla mund të lulëzojnë në ekonominë e shekullit XXI.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




