Analize

Një marrëveshje e “errët” mes Papës dhe Kinës

Vatikani dhe qeveria kineze po shkojnë për herë të parë drejt një marrëveshjeje historike, sipas të cilës Kisha Katolike mund të emërojë peshkopë në Kinë, por për çdo lëvizje, Papës do t’i duhet të marrë bekimin e Partisë Komuniste Kineze.

Për këtë qëllim, Vatikani është angazhuar në negociata intensive me qeverinë kineze për të zgjeruar ndikimin e tij mbi Kishën Katolike kineze. Në shumicën e vendeve të tjera, Papa ushtron autoritet të plotë për të emëruar peshkopët, poregjithatë, në Kinë, peshkopët emërohen nga Partia Komuniste. Nëse arrihet një marrëveshje e re, Vatikani do të ketë autoritetin për të vënë veto mbi kandidatët e propozuar nga Partia Komuniste. Por Roma duhet të jetë e kujdesshme për pasojat e një marrëveshjeje me Pekinin, në mënyrë që mos ti japë qeverisë kineze të tjera fuqi për keqtrajtimin e pakicave fetare.

Kina ka persekutuar për shumë kohë katolikët, protestantët, myslimanët ujgurë, budistët tibetianë dhe pakicat e tjera fetare. Përndjekja është aq e ashpër sa Kina është përcaktuar si një vend me interes të veçantë në raportin e Departamentit të Shtetit për Lirinë Fetare Ndërkombëtare. Një përndjekje e tillë është intensifikuar pasi Xi Jinping erdhi në pushtet në vitin 2013.

Papa Françesku

Një raport nga “Freedom House”, një organizatë joqeveritare që përcjell shqetësimet e të drejtave të njeriut, sugjeroi që persekutimi kundër të krishterëve dhe ujgurëve në veçanti, është rritur ndjeshëm gjatë pesë viteve të fundit.

Në fillim të vitit 2018, Kina krijoi një rregullore të hekurt kundër grupeve fetare dhe së fundmi njoftoi se do të vendosë administratën shtetërore për Çështjet Fetare nën autoritetin e Departamentit të Punës, një institucion i Partisë Komuniste Kineze . Kjo do t’i japë partisë më shumë kontroll të drejtpërdrejtë mbi aktivitetet e grupeve fetare. Ajo përputhet me politikën e Xi Jinping  për “sinicizim” të grupeve fetare në Kinë, praktikë që nënkupton nënshtrimin e mendimeve dhe praktikën fetare në kontrollin e partisë.

Një marrëveshje me Vatikanin do të ndihmonte në avancimin e këtyre qëllimeve.  Marrëveshja në letër, duket sikur i jep më shumë fuqi Selisë së Shenjtë, por çdo peshkop që paraqitet nga Pekini me siguri do të verifikohet plotësisht nga qeveria, në mënyrë që ata t’i jenë besnikë Partisë Komuniste Kineze dhe jo Selisë së Shentë.

Nënshtrimi besimtarëve në Kinë është i fuqishëm, ndonjëherë edhe vdekjeprurës. Një nga rastet më të fundit përfshinte vdekjen e papritur dhe të dyshimtë të një avokati kinez për të drejtat e njeriut, sidomos të krishterëve. Kina vazhdon t’i ndalojë të rinjtë nën moshën 18 vjeç të marrin pjesë në ceremonitë fetare, ndërkohë që dëgjohen raporte të shpeshta të xhamive që rrëzohen dhe kishave qe mbyllen.

Kishe katolike ne Kine

Nëse ka pasur ndonjëherë një moment, që Vatikani duhet të shmange një marrëveshjeje me Kinën, do të ishte pikërisht ky. Përveç shqetësimeve serioze të lirisë fetare, një marrëveshje midis Vatikanit dhe Pekinit do të paraqiste një mori sfidash të tjera. Një pjesë e debatit lidhet me shtatë peshkopët që operojnë aktualisht në kishat katolike të Kinës, të drejtuara nga shteti. Këta shtatë peshkopë nuk janë formalisht nën udhëheqjen e Papës, por veprojnë nën autoritetin e Shoqatës Katolike Patriotike të kontrolluar nga shteti

Një marrëveshje mes Kinës dhe Vatikanit do të vinte gjithashtu edhe katolikët tajvanezë në rrezik. Kina, nuk lejon asnjë vend me të cilin ka marrëdhënie formale diplomatike, që të njohë Tajvanin. Caktimi i peshkopëve ka qenë prej kohësh pengesa kryesore për marrëdhëniet zyrtare midis Kinës dhe Vatikanit. Nëse Vatikani papritmas arrin një marrëveshje me Pekinin dhe e njeh Kinën në mënyrë diplomatike, do të duhet të shkëputë marrëdhëniet me Tajvanin. Nuk ka absolutisht asnjë përjashtim nga ky rregull. Nëse marrëveshja zyrtarizohet, do të shënonte një goditje e madhe jo vetëm për 300,000 katolikët e Tajvanit, por edhe për pozitën ndërkombëtare të Tajvanit.

Papa Françesku

Tajvani kohët e fundit ka humbur marrëdhëniet me Panamanë dhe Republikën Domenikane, duke e çuar numrin e vendeve që e njohin si shtet në 19. Nëse humbet Vatikanit, edhe vendet e tjera katolike të Amerikës Latine nuk do të mbesin mbrapa.

Ndërkohë që Vatikani mendon për angazhimin e mëtejshëm me qeverinë kineë, duhet pikë së pari të imponojë përparësitëë e lirisë fetare në Kinë, por edhe të mendojë për katolikët besnikë në Tajvan./Daily Signial/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë