Mungesa të shumta dhe të rëndësishme në listën e Kombëtares për ndeshjet e Ligës së Kampionëve me Kazakistanin dhe Lituaninë. Orët e fundit trajneri Edi Reja është njoftuar se Berisha, Kamberi, Ramadani, Selahi, Gjasula dhe Vrioni nuk janë lejuar nga klubet, kurse Strakosha ka probleme fizike.
Mungesat konfirmohen nga Federata Shqiptare e Futbollit, që në faqen zyrtare shkruan: “Lista për dy ndeshjet e Nations League ndaj Kazakistanit dhe Lituanisë do të pësojë sërish ndryshime për shkak të pandemisë COVID-19 dhe problemeve që janë hasur me klubet. Etrit Berisha, Ylber Ramadani, Florian Kamberi, Lindon Selahi dhe Klaus Gjasula nuk do të jenë të gatshëm për dy ndeshjet e radhës, pasi nuk lejohen nga klubet të dalin jashtë vendeve respektive.
Edhe Xhakomo Vrioni nuk është lejuar për momentin për shkak të kufizimeve dhe nëse klubi i tij, Juventusi do t’i japë leje ai mund të bashkohet me kuqezinjtë të mërkurën mbrëma ose të enjten në mëngjes. Portieri Thomas Strakosha ka shfaqur probleme fizike dhe është në pikëpyetje për ndeshjet e tetorit. Për këtë arsye trajneri Reja ka vendosur të thërrasë portierët Alban Hoxha dhe Gentian Selmani. Probleme fizike ka shfaqur edhe mbrojtësi Jon Mersinaj, i cili është duke u monitoruar nga stafi mjekësor vazhdimisht”.
Kjo do të thotë se në formacionin e kuqezinjve, duke pasur parasysh edhe mungesat fillestare, do të ketë ndryshime të mëdha, por gjithçka do të shihet ditët në vazhdim, sepse mungesat edhe mund të shtohen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




