Gazeta Si – Fabio Kanavaro kthehet në stol. Ai ka marrë zyrtarisht drejtimin e Beneventos, duke zënë vendin e Fabio Kazertës. Pas eksperiencës në Kinë, kampioni i Botës në 2006-ën me Italinë do të drejtojë një skuadër në Europë.
Nën urdhrat e tij do të jetë lojtari i Kombëtares, Frederik Veseli. Mbrojtësi kuqezi u largua nga Salernitana pak kohë më parë, pasi nuk kishte hapësirat e nevojshme. Veseli zgjodhi Serinë B, ku tashmë do të drejtohet nga një emër i madh, siç është Kanavaro.

Benevento ka pretendime për t’u ngjitur në Serinë A këtë sezon dhe zgjedhja e Kanavaros nga ana e presidentit Vigorito tregon qartë ambiciet e këtij klubi.
Pas akordit me drejtuesit, Kanavaro do të firmosë kontratën, ndërsa të mërkurën do të zhvillojë seancën e parë stërvitore me ekipin. Veseli do të mungojë, pasi është i grumbulluar me Kombëtaren për dy ndeshjet me Izraelin dhe Islandën, ku pritet të luajë titullar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




