Treg

Një kurorë 300.000 dollarëshe Dolce & Gabbana që mund ta vendosësh vetëm në… Metaverse

Dolce & Gabbana, Gucci, Burberry dhe të tjera kompani luksoze shohin të ardhmen në tregjet digjitale, njësoj si në ato fizike.

Arti i NFT-ve po transformon tregjet dhe po vendos standarde të reja. Tokenat non-fungible, NFT, nga një blockchain i parëndësishëm vitin e shkuar, ka tani një vlerë tregu mbi 44 mld dollarë.

Peshkaqenë digjitalë që po veshin Burberry. Një çantë virtuale Gucci që kushton më shumë se në jetën reale. Një kurorë unike e Dolce & Gabbana që u shit më shumë se 300.000 dollarë.

Jo vetëm firmat luksoze, por edhe ato më standarde i janë bashkuar botës virtuale.

Cult & Rain, një firmë lokale në New York, shiti 1.179 parë atlete si NFT.

Tregu i luksit digjital është në ditët e para, thonë analistët. Por nëse kompanitë kuptojnë se si të angazhojnë një gjeneratë të re të konsumatorëve, shitjet vjetore digjitale mund të arrijnë deri në 50 miliardë euro, ekuivalente me rreth 55.2 miliardë dollarë, deri në vitin 2030, sipas Morgan Stanley. Kjo do të përfaqësonte 1/10 e të gjitha të ardhurave të parashikuara nga luksi për industrinë.

“Ju keni miliona të gjeneratës së ardhshme të konsumatorëve të luksit që shpenzojnë disa orë në ditë në platformat e lojërave, kështu që ne mendojmë se ka një mundësi,” tha Anita Balchandani, një partnere në Mbretërinë e Bashkuar në grupin luksoz të McKinsey & Co.

Për shumë konsumatorë të rinj dhe prindërit e tyre,  një lloj tregu digjital i veshjeve është tashmë funksional. Virtualdashësit kanë shpenzuar prej vitesh para, në shumicën e rasteve vetëm disa dollarë, në veshje dhe aksesorë të tjerë për avatarët e tyre nëpër lojëra.

Nuk ka asnjë garanci që të njëjtët blerës do të shpenzojnë qindra ose mijëra dollarë për ekuivalentin e luksit ose se dikush do ta bëjë, pasi të ketë mbaruar euforia.

Bernard Arnault, shefi ekzekutiv i LVMH Moët Hennessy Louis Vuitton SE, grupi më i madh i luksit në botë, ka një qëndrim skeptik. “Ne po e shikojmë këtë, por nuk jemi në biznesin e shitjes së këpucëve virtuale,” tha ai.

Ndërsa markat LVMH, duke përfshirë prodhuesin e shampanjës Dom Pérignon dhe prodhuesin e orës Hublot, kanë eksperimentuar me NFT-të, “ne duhet të jemi të kujdesshëm ndaj flluskave,”- tha Arnault.

Burimi: WallStreetJournal/ Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë