Analize

Një kujtesë për Izraelin dhe Ukrainën: Negocimi me terroristët nuk funksionon asnjëherë

Nga Leonid Nevzlin- Konflikti në Izrael, i rinisur pas sulmit të madh terrorist të Hamasit më 7 tetor, na ofron disa paralele të habitshme me situatën aktuale në Ukrainë. Sigurisht, ai nuk është drejtpërdrejt i krahasueshëm me pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga trupat ruse. Por fakti është se që të dyja konfliktet u paraprinë nga zhvillime të ngjashme.

Në Izrael, një projekt i ngjashëm me marrëveshjen e ashtuquajtur “Minsk-2” midis Ukrainës dhe Rusisë, u shpalos përmes “planit të njëanshëm të shkëputjes”. Ky plan solli 20 vjet bashkëjetesë midis Izraelit dhe Rripit të Gazës nën sundimin e Hamasit, pa praninë e Izraelit.

Ajo situatë i ngjan shumë bashkëjetesës së Ukrainës me banditët në Donetsk dhe Luhansk gjatë viteve 2015-2022. Të dy skenarët, përfshinin një konflikt me intensitet të ulët, beteja sporadike, njësi paramilitare terroriste, të mbështetura dhe të armatosura nga një shtet armik, si dhe një qasje të butë ndaj tyre nga ana e faktorit ndërkombëtar.

Terroristët e mbështetur nga shteti

Në fillimin e viteve 2000, kryeministri i atëhershëm izraelit Ariel Sharon, një figurë e nderuar e luftërave të dikurshme, zbatoi planin e njëanshëm të shkëputjes. Synimi ishte sigurimi i vendit dhe parandalimi i infiltrimit të terroristëve duke u tërhequr plotësisht nga Gaza.

Në vitin 2005, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) u larguan nga Gaza, duke çmontuar të gjitha vendbanimet hebraike që ishin ngritur deri në atë moment. Ndërkohë u krijua një pengesë e teknologjisë së lartë, pika kontrolli dhe prani ushtarake gjatë gjithë kohës.

Por në vitet që pasuan, kontrollin e Gazës e morën fondamentalistët radikalë të Hamasit. Kjo çoi në përplasje të drejtpërdrejta me organizatën më të moderuar, Fatah, e cila kontrollon Autoritetin Kombëtar Palestinez (AKP) në Bregun Perëndimor. Ndryshimi i pushtetit në Gaza, përfshiu dëbimin ose vrasjen e zyrtarëve të AKP-së, pasi Hamasi, i mbështetur nga Irani, e çimentoi kontrollin e tij mbi këtë zonë.

Kjo kthesë ngjarjesh, pasqyron konfliktet periodike, spastrimet dhe ndryshimet e lidershipit brenda “Republikës Popullore të Donetskut” dhe “Republikës Popullore të Luhanskut” (DPR-NPR), shpeshherë me ndihmën e ushtrisë ruse. Metodat e punës së regjimeve mafioze të Moskës dhe Teheranit kanë ngjashmëri të madhe. Dhe Hamasi apo grupi militant libanez Hezbollah, mund të shihen si homologët më ideologjikë dhe më të suksesshëm të grupit mercenar rus Ëagner.

Ndarja shoqërore

Edhe pas largimit të izraelitëve nga rajoni, qeveria në Jerusalem vazhdoi ta furnizonte Gazën me burimet thelbësore si uji, energjia elektrike dhe karburanti. Për më tepër, dhjetëra mijëra leje pune u dhanë që banorët e Gazës të punonin në Izrael, duke ofruar mbështetje financiare për banorët atje.

Megjithatë, popullsia lokale e mbështeti gjerësisht Hamasin. Dhe më 7 tetor, u bë e qartë se kjo qasje kishte dështuar. Përpjekja për të mbajtur të qetë terroristët e armatosur dhe të financuar shumë mirë, të mbështetur nga regjimi iranian, rezultoi të ishte e pasuksesshme. Komandantët e Hamasit, të udhëhequr nga drejtuesit e tyre në Teheran, e kishin planifikuar sulmin prej vitesh dhe kishin shfrytëzuar momentin e duhur për të goditur pikërisht gjatë krizës të gjatë politike që po përjeton Izraeli.

Shoqëria izraelite po përjeton një ndarje të njohur, që të kujton situatën në Ukrainë. Veprimet e Benjamin Netanyahu dhe aleatëve të tij politikë, që po përpiqen të mbajnë pushtetin me çdo kusht, kanë nxitur shumë pakënaqësi. Dhe kjo e fundit ka sjellë protesta masive, të cilave i janë bashkuar edhe rezervistët e IDF.

Konflikti i brendshëm ka harxhuar energjinë e qeverisë, opozitës dhe shoqërisë izraelite në përgjithësi, duke lënë në hije vetëdijen mbi vendndodhjen gjeografike dhe fqinjët me të cilët ata ndajnë kufijtë, diçka që të kujton edhe sjelljen e Ukrainës në vitet 2000.

Strategjitë e daljes nga kriza

Sigurisht, teksa kjo grindje e brendshme është një detaj thelbësor, ajo nuk është gjithsesi shkaku kryesor i sulmit të fundit. Thelbi qëndron tek pamundësia e arritjes së një marrëveshjeje me terroristët, duke i lëshuar atyre territore dhe pushtet.

Asnjë teknologji e avancuar ushtarake, madje as edhe një gardh i fortifikuar dhe i pajisur me kamera dhe sensorë nuk mund të mbrojë plotësisht popullatën nga individë të nxitur vetëm nga qëllimi për të shkaktuar dëme. Marrëveshjet dhe lëshimet, si ato në Minsk apo largimi nga Gaza, shihen shpesh nga terroristët dhe regjimet diktatoriale si ato në Iran apo Rusi, si masa të përkohshme por edhe si një trampolinë për sulmin e tyre të ardhshëm.

Terroristët duhet të mposhten, edhe pse kostoja mund të përfshijë shumë jetë njerëzish. Megjithatë ngrirja e konfliktit, shihet si një tmerr që nuk ka fund. Dhe ka një konsensus se nëse Izraeli e ndalon operacionin tokësor në Gaza, pa asgjësuar luftëtarët e Hamasit dhe infrastrukturën e tyre, një luftë tjetër ka të ngjarë të shpërthejë pas disa vitesh.

Media izraelite dhe ajo globale, po mendojnë aktualisht strategjinë e daljes nga konflikti në vazhdim. Diskutimet sillen rreth asaj se çfarë të bëhet me Gazën, nëse do të vazhdojë operacioni dhe nëse po, si do të ndodhë kjo. Izraeli përballet me presionin e aleatëve, të cilët i kërkojnë të shfaqë vetëpërmbajtje gjatë operacioneve ushtarake.

Kjo situatë mund të rezonojë me qytetarët ukrainas, duke pasur parasysh kufizimet në përdorimin e armëve perëndimore në territorin rus, dhe kufizimet e operacioneve në përgjithësi. Kievi dhe Jerusalemi, ka të ngjarë ta kuptojnë njëri-tjetrin në aspektin e sfidave të strategjive të daljes nga kriza dhe të presionit ndërkombëtar. Është e besueshme, që edhe autoritetet ukrainase të jenë duke diskutuar në lidhje me strategjinë e tyre të daljes nga konflikti.

Negocimi me terroristët

Përgjigja gjithëpërfshirëse ndaj këtyre sfidave, është më se e qartë: për sa kohë që ekzistojnë regjime mafioze me aftësi teknologjike, ushtarake dhe financiare, mposhtja e tyre ushtarake është e vetmja rrugë që garanton një paqe të qëndrueshme.

Nëse qëllimi është të arrihet një siguri reale, atëherë mbështetja tek prania e entiteteve si Hamasi ose Republika Popullore e Donetsk, me ushtrinë iraniane apo ruse në kufi, është kundër-produktive. Suksesi i Izraelit në arritjen e paqes relativisht të qëndrueshme me Egjiptin dhe Jordaninë në shekullin XX-të, erdhi me koston e lëshimeve territoriale, veçanërisht në rastin e heqjes dorë nga Egjipti të Gadishullit të Sinait.

Megjithatë, regjimet e Egjiptit dhe Jordanisë në atë kohë ishin relativisht të arsyeshme, duke ofruar një bazë për negociata. Disa humbje në fushën e betejës, luajtën gjithashtu një rol në uljen e tyre në tryezën e bisedimeve. Tek e fundit, suksesi i çdo negociate varet nga përshtatshmëria e palëve të përfshira.

Marrëveshjet me terroristët nuk mund të sjellin paqe, përkundrazi ato lejojnë mos-ndryshimin e axhendave të fshehta. Rrjedhimisht si Izraeli ashtu edhe Ukraina, mund të zbulojnë se për një paqe afatgjatë është e nevojshme arritja e një fitoreje ushtarake në fushën e betejës.

Burimi: Worldcrunch. Përshtati në shqip: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë