Ka shëtitur botën, është 35 vjeç, por nuk ka në plan ta lërë futbollin. “Kam menduar vetëvrasjen dhe historia ime mund t’u mësojë diçka njerëzve. Duhet të jemi të lumtur çdo ditë”. Këto janë fjalët e Emanuel Adebajor, sulmuesit togolez që ka luajtur për Metz, Monako, Arsenal, Mançester Siti, Real Madrid, Totenhem, Kristal Palas dhe Bashakshehir. Tani ka shkuar në Iran, ku ka firmosur një kontratë dyvjeçare me Traktor. Iu bind trajnerit Mustafa Denizli, e cili e deshi me çdo kusht për të zëvendësuar irlandezin Antoni Stok. Objektivi është që për herë të parë në histori Traktor të fitojë titullin kampion në Iran.
Jeta e Emanuel Adebajor është e mbushur me episode interesante dhe të çuditshme. Ai është vërtet një personazh kontrovers. Në 2014-ën denoncoi praktikat e magjive të zeza që nëna bënte kundër tij. Magji, që sipas tij, kishin ndikim direkt në paraqitjet në fushë në atë periudhë. "Nuk jam prift, por futbollist, kështu që nuk mund të them që është një shtrigë, por si mund të kem kontakt me të, kur ajo u thotë të gjithëve se punët e mia nuk do të shkojnë mirë? Duhet të heqë dorë së foluri dhe së bëri “jugu” (tip magjie) ndaj meje", - tha Adebajor në atë kohë.
Kjo ngjarje mori një vëmendje të madhe mediatike në atë kohë dhe vëllai i Adebajorit, kamionist në Gjermani, e akuzonte se e kishte lënë familjen në varfëri. "Emanuel ka bërë lavash truri te shëruesit shpirtërorë, të cilët e kanë bindur se nëna dhe motra e tij i kanë bërë një “jugu”, ndaj dhe po luan keq. E bën për të justifikuar veten dhe për të marrë paratë”, - ka thënë vëllai i futbollistit. Që në atë kohë Adebajor u distancua nga familja e tij.
Një tjetër episod të jetës së çuditshme të sulmuesit e ka zbuluar trajneri Bruno Genesio, i cili në atë kohë drejtonte Lionin. Francezi ka zbuluar se në 2017-ën u përpoq ta merrte në ekip, por marrëveshja dështoi. Pse? "Mendonim se do t’i shërbente skuadrës, - ka thënë Genesio për “Sun”. - Vendosëm ta takonim në një bar në Lion dhe ishim të bindur për ta marrë, por ai na surprizoi. Adebajor deshi që kafen ta shoqëronte me uiski dhe në gojë kishte edhe një cigare”.
Adebajor ka pasur probleme me trajnerin Mançini, kur ishte pjesë e Mançester Sitit. “Nuk di ta mbajë nën kontroll ekipin në dhomat e zhveshjes. Është irritues për të 25 lojtarët. Ka qenë një lojtar i madh, por nuk është një trajner i madh. Trajneri më i keq që kam pasur ndonjëherë”, - ka thënë sulmuesi nga Togo, i cili gjithmonë ka preferuar Mourinjon.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.