Gazeta Si – Në ditën e 7 radhazi të protestave kundër rritjes së çmimeve dhe karburantit, në sheshin para kryeministrisë në Tiranë, shoqërisë civile i janë bashkuar edhe studentët e disa fakulteteve. Protesta nisi në orën 17:00 para selisë së qeverisë dhe është mbyllur po aty në orën 19:00.
Në protestën e së martës qytetarët kanë prezantuar të gjitha kushtet e tyre për qeverinë shqiptare me një listë me 6 pika.
Sipas tyre, ulja e çmimit të karburanteve, heqja e përkohshme e taksave dhe ligji për minimumin jetik, janë disa nga kushtet që qeveria shqip[tare duhet t’i realizojë brenda ditës së shtunë, që është dhe afati i fundit.
1.Në pikën e parë, kërkohet heqja e taksës së qarkullimit dhe pezullim i alternuar i barrës fiskale mbi çmimin e karburantit.
2.Në pikën e dytë, kërkohet pezullim i TVSH-së për produktet e shportës bazë.
3.Në pikën e tretë, kërkohet përcaktimi dhe ngrirja e përkohshme e marzhit të fitimit në sektorin e hidrokarbureve dhe transparencë me publikun.
4.Në pikën e katërt, kërkohet zgjerim i skemës së kompensimit dhe mbështetjes së fermerëve.
5.Në pikën e pestë, kërkohet paketë reale ndihme për pensionistët, invalidët dhe familjet me ndihmë ekonomike, deri tejkalimin e krizës dhe përcaktim i minimumit jetik.
6.Në pikën e gjashtë, kërkohet hetim dhe mbikëqyrje e koncesioneve dhe shpenzimeve që ndikojnë në buxhetin e shtetit, si dhe e operatorëve që ndikojnë arbitrarisht në rritjen e çmimeve.
Në listën e kërkesave të publikuar nga organizatorët, afati i përmbushjes është data 19 mars 2022, këtë të shtunë që vjen.
Qytetarët kanë paralajmëruar protestë kombëtare ditën e shtunë, sakaq ata do të qëndrojnë 24 orë në shesh, nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.
Gjatë fjalimeve të sotme, protestuesit theksuan se Paketa e Rezistencës Saciale e miratuar nga qeveria, nuk është masa e duhur, pasi është anashkaluar pjesa tjetër e popullsisë.
Më herët, në mbledhjen e sotme, Bordi Kombëtar i Menaxhimit të Hidrokarbureve, vendosi që çmimi i naftës dhe benzinës të shitet 211 lekë për litër.
Këtë pasdite një protestë për çmimet u mbajt edhe në Dibër, me qytetarët që dolën në sheshin qendror të qytetit, ndërsa në Shkodër, tubimi i qytetarëve dështoi, kjo për shkak të përfshirjes së politikës, konkretisht përfaqësuesve të Shtëpisë së Lirisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




