Para

Një italian në krye të Bankës Shqiptare të Zhvilimit

Nga Gazeta ‘SI’ – Banka Shqiptare e Zhvillimit është regjistruar zyrtarisht si një shoqëri aksionare në Qendrën Kombëtare të Biznesit, duke shënjuar kështu hapjen e një kanali të ri në sistemin financiar.

Sipas dokumentacionit, administrator i Bankës është emëruar italiani Silvio Pedrazzi, ish drejtues i një prej bankave me kapital të huaj në vend. Pedrazzi është emëruar për një mandat 3-vjeçar. Ministria e Financave është aksionare e vetme, duke zotëruar kështu 100% të aksioneve, ndryshe nga sa ishte parashikuar fillimisht. Banka Shqiptare e Zhvillimit ka një kapital prej 10 miliardë lekësh.

Banka do të ketë në fokus kryesisht ndërmarrjet mikro, të vogla dhe startup-et. Në lupën e Bankës do të jetë dhe sektori i eksporteve me qëllim “inkurajimin e prodhimeve dhe shërbimeve që mund të konkurrojnë me sukses në tregjet jashtë vendit.”

Banka do të shërbejë edhe si ndërmjetës financiar për projektet me rëndësi për zhvillimin ekonomik, duke kanalizuar fonde ose linja financimi nga institucionet financiare ndërkombëtare.

BZH synon gjithashtu të kontribuojë në përmirësimin e infrastrukturës që mbështet rritjen ekonomike dhe përmirësimin e shërbimeve publike. Duke bashkëpunuar me autoritetet publike, institucioni mund të veprojë si bashkë-financues ose bashkë-investues.

Pak javë më parë, Fondi Monetar Ndërkombëtar shprehu shqetësim për rreziqet e lidhura me krijimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit duke thënë do të shtojë kompleksitet të mëtejshëm për sektorin financiar në vend.

FMN gjykon se dispozitat rigoroze të qeverisjes dhe operacioneve do të jenë thelbësore për të parandaluar rreziqet e stabilitetit fiskal dhe financiar. Sipas Fondit, aktivitetet e kësaj banke duhet të jenë të kufizuara në kohë dhe të synojnë dështimet e tregut për të shmangur pengimin e investimeve private.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë