Ka ndodhur

Një i plagosur gjatë aksionit policor në Laç. Arrestohet 28-vjeçari i rrezikshëm, sekuestrohen armë

Gazeta Si – Një 28-vjeçar është arrestuar gjatë një aksioni policor të zhvilluar në Laç, i cili ka përfunduar me një të plagosur.

Në njoftimin zyrtar, bëhet me dije se aksioni është zhvilluar për kapjen e 28-vjeçarit, i cili konsiderohej një person me rrezikshmëri të lartë, pasi lëvizte me armë zjarri në qytet.

Në momentin që është ndaluar, efektivët kanë dëgjuar të shtëna me armë. Më pas, kanë neutralizuar dhe arrestuar shtetasin K. B., 28 vjeç, banues në Laç dhe kanë sekuestruar 3 armë zjarri (2 pistoleta dhe 1 kallashnikov) dhe municion luftarak.

Gjithashtu, gjatë të njëjtit aksion policor, është zhvilluar një konflikt për motive të dobëta dhe personi me inicialet Gj. B., i afërm i shtetasit K. B., ka plagosur në këmbë, me armë zjarri pistoletë, shtetasin M. D., 26 vjeç, që ndodhej në makinë me 28-vjeçarin. Pasi ka qëlluar me armë, Gj. B., ka zbritur nga makina dhe është larguar me vrap, por është ndaluar nga efektivët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë