Ekspozite

Një histori nga Holokausti: Dhoma sekrete që shpëtoi jetën e një vajze të vogël

Nga Gazeta Si – Një vepër e rëndësishme e piktorit rus Vasil Kandinski mund të shitet për një shifër rekord në Londër pas disa javësh. Por pas shitjes qëndron tragjedia dhe heroizmi i një familjeje, e gjitha e përshkruar në një ditar të papublikuar.

Fillon me një vajzë të vogël, shtatë vjeç, që fshihet në një dhomë të fshehtë.

Një grua i thotë “rri urtë, shumë urtë, mos bëj zë, askush nuk mund ta dijë që je këtu, askush! Më dëgjon?” Gruaja është dadoja e vajzës, e cila kujdesej për të në shtëpinë ku qëndronte me nënën e gjyshen.

“Nëse bën zhurmë dhe dikush e dëgjon, mund të vritemi të gjithë nga gjermanët. Më kuptove?” vajza nuk e di se nuk do ta shohë më shtëpinë dhe të ëmën e gjyshen sërish. Ajo nuk e njeh këtë vend, shtëpinë e dados apo familjen e saj. Por ajo do të kalojë 2 vjet e gjysmë këtu, e fshehur në një dhomë të vogël, pa askënd veç një elefanti lodër të quajtur Xhambo dhe e gjitha për shkak të një sekreti vdekjeprurës.

Vajza e vogël, Dolli, është çifute. Është viti 1943 në Amsterdamin e pushtuar nga nazistët.

Historia e Dollit ka paralele mbresëlënëse me historinë e famshme të luftës, Ana Frank dhe në fakt, Ana fshihet në një shtëpi tjetër më pak se dy milje larg në të njëjtën kohë. Vajzat nuk e njohin njëra-tjetrën dhe nuk takohen kurrë. Ana dhe familja e saj u kapën në vitin 1944 dhe u dërguan në Aushvic. Nëna, babai dhe gjyshja e Dollit vriten në Aushvic, por ajo mbijeton.

Nëna dhe babai i Dolly-t, Luise dhe Herbert

Tregimet e Anës për jetën në fshehtësi, “Ditari i një vajze të re”, bëhet një nga dokumentet më të rëndësishme të Holokaustit. Historia e Dollit se si ajo ia del t’i mbijetojë luftës është ruajtur në një ditar të pabotuar, por lidhet më shumë me një vepër arti se sa një libër.

Është një kryevepër epokale moderniste dhe është qendra e një fushate për të vendosur përkatësinë e familjes së Dollit mbi një koleksion arti që e humbën gjatë luftës. Piktura do të dalë në shitje më 1 mars dhe mund të arrijë vlerën e 42 milionë dollarëve, një rekord botëror për artistin që e krijoi.

Ata thonë se çdo pikturë rrëfen një histori dhe kjo tregon historinë e familjes së Dollit, kush ishin dhe çfarë iu ndodhi. Vepra është Murnau mit Kirche II, e pikturuar më 1910 nga mjeshtri rus Vasil Kandinski. Ajo varej dikur në vilën elegante ku jetonin gjyshërit e Dollit, në Potsdam, jashtë Berlinit.

Kandinsky e pikturoi pasi vizitoi fshatin malor Murnau, Bavari

Në kujtimet e saj, Dolli përshkruan një skenë të dëshpëruar teksa prindërit e saj ia besuan vajzën e tyre dados Ana, ndërsa bënin maksimumin për ta mbrojtur nga tmerri që do të ndodhte.

“Ishte natë e vonë, unë isha në gjumë kur zëri i butë i nënës sime më zgjoi. ‘Dolliçen, duhet të zgjohesh tani. Nuk ka zbardhur ende’. Ajo erdhi dhe u ul në shtratin tim e më pas edhe babai im. Ata thanë se duhet të largoheshin për dy javë sepse gjermanët kështu donin, por më pas do të ktheheshin… zilja e derës papritur ra fort dhe gjatë dhe babai im hapi derën. Tre oficerë të policisë naziste hynë brenda, me këpucët e tyre që bënin një zhurmë të fortë kërcitjesh. Ata bërtisnin me zë të lartë dhe të ashpër të gjitha llojet e urdhrave që të gjithë të nxitonin: ‘Shpejt, shpejt, ndryshe do të qëllojmë!’ U fsheha pas Anës dhe isha e frikësuar, shumë e frikësuar”.

Vila Stern në Potsdam

Prindërit e Dollit u kapën. Kjo ishte hera e fundit që ajo do t’i shihte. Ditën tjetër ajo përshkoi e vetme rrugën e rrezikshme përmes qytetit për në shtëpinë e Anës. Nazistët i detyronin hebrenjtë si Dolli që të mbanin një yll të verdhë, por Ana e kishte shqepur nga xhaketa e vajzës dhe i kishte thënë se tani ajo duhet ta thërriste teze. Një pjesë e shtëpisë së Anës shërbente si dhomë vizitash mjekësore dhe kishte një aneks të vogël e të fshehur.

Kjo u bë shtëpia e Dollit për 30 muajt e ardhshëm.

Piktura e Kandinsky në murin e dhomës së ngrënies në Villa Stern

Ajo kishte dy libra, një Bibël fëmijësh dhe disa përralla, që i lexonte e rilexonte. Një poster i zbehur që shkruante “Zoti sheh gjithçka” varej në mur dhe Dolli pyeste veten se si ai mund t’i shihte të gjithë, përfshirë atë.

“Në mbrëmje kur kishte vizita, unë duhet të qëndroja në errësirë gjatë vjeshtës e dimrit. Shpesh shtrihesha në dysheme dhe numëroja këmbët e pacientëve që prisnin nëpërmjet një të çare të derës”.

Vetmia e saj thyhej nga tmerri i kontrolleve policore. Ana e fshihte Dollin poshtë pllakave të dyshemesë ose në një raft nën lavaman. Ajo bëhej ‘e padukshme’ mes koshave e shtupave.

“Kur oficerët gjermanë hynin në kuzhinë, Ana bënte të pafajshmen. Ajo bënte humor gjerman dhe i sillte rrotull me një gisht, por sapo ata largoheshin, ajo binte si leckë e lagur dhe dridhej e tëra”.

Për një vajzë të vogël, një nga gjërat më të vështira ishte të rrinte urtë, kështu që kur forcat aleate çliruan Amsterdamin më 1945 dhe Dolli nuk fshihej më, lumturia dhe çlirimi i shprehej edhe në zhurmat e përditshmërisë.

“Si shumë të tjerë nuk kisha këpucë. Ky problem u zgjidh me ca nallane druri që krejt papritur shiteshin ngado. Një shollë druri dhe dy rripa. E adhuroja kërcitjen. Më lejohej të isha aty dhe çdokush mund ta dëgjonte dhe i lejohej ta dinte. Lejohesha të jetoja sërish, plotësisht e gjallë”.

Dolli jetoi deri në të 70-at dhe duke gjykuar nga ditari i saj, e shijoi jetën.

Dolly në jetën e mëvonshme

Të dhënat e të mbijetuarve të Holokaustit përfshijnë Dolly, e lindur në 1935, e cila “u fsheh” gjatë luftës.

Dokumentet zyrtare holandeze tregojnë se ajo ka jetuar me dadon e saj Anna gjatë okupimit. Me sa dinë të afërmit e mbijetuar të Dolly-t, askush nuk është ende gjallë nga ajo familje dhe BBC nuk ka qenë në gjendje të verifikojë veçmas rrëfimin e Dolly-t për përvojat e saj.

Anëtarët më të rinj të familjes së saj morën detyrën për të hulumtuar vendndodhjen e koleksionit të zhdukur të artit Stern. Në vitin 2013, ata zbuluan se kishte një Kandinsky në një muze në Eindhoven. Aty ishte që nga viti 1951. A mund të ishte ai i vilës së Potsdamit?

Kuratorët i hodhën një vështrim të ri dhe gjetën fjalën “Landschaft” të gërvishtur në pjesën e pasme të pikturës. Ishte i njëjti term që Siegert kishte përdorur për të regjistruar Kandinsky në testamentin e tij dhe shkrimi i dorës ishte një ndeshje e mirë për të.

Dolly vdiq përpara se gjetja të konfirmohej, por ajo e dinte se familja e saj ishte në gjurmët e kryeveprës së humbur.

Siegbert dhe Johanna Margarete Stern

Pas një fushate të gjatë, më në fund iu dorëzua familjes. Ai do të shitet në Sotheby’s në Londër muajin e ardhshëm, kur pritet të arrijë çmimin më të lartë të arritur ndonjëherë nga artisti.

Të ardhurat do të ndahen midis 13 trashëgimtarëve të mbijetuar të Sterns dhe do të shkojnë për kërkime të mëtejshme mbi fatin e pikturave të tyre që mbeten të lira.

‘Murnau mit Kirche II’ është një vepër shumë domethënëse në historinë e artit, që kujton atë që rusi kishte përvetësuar nga Cezanne dhe Van Gogh në Paris, por gjithashtu shikon përpara ndikimin që ai do të kishte mbi Jackson Pollock, Willem de Kooning dhe të tjerët në New York.

Helena Newman nga mbajtësit e ankandit tha: “Është një fotografi shumë, shumë e veçantë, një nga më të mëdhatë e Kandinsky. Vjen nga një periudhë në punën e tij kur ai po bën një përparim në abstraksion, i cili do të kishte një ndikim në artin e shekullit të 20-të”.

Historianët e artit thonë se piktori kishte gjendjen ose dhuntinë e sinestezisë: ai mund të shikonte një ngjyrë dhe të dëgjonte muzikë.

Duket me vend që kryevepra e tij e humbur dhe e gjallë duhet të lidhet me historinë e një vajze të vogël që gjente gëzim në muzikën e përditshme të hapave në rrugët e çliruara. /BBC/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë