Shumë ngjarje kanë ndodhur që prej 13 nëntorit 2018, atëherë kur pesë gjyqtarët e Krimeve të Rënda, Fran Prendi, Irena Gjoka, Liljana Baku, Bib Ndreca dhe Luan Hasneziri dënuan Emiliano Shullazin. Njëri prej tyre, Luan Hasneziri u shkarkua nga Vettingu. E dyta, Liljana Baku dha dorëheqjen nga Gjyqësori në fillim të këtij muaji. Edhe në Apelin për Krimet e Rënda pati shkarkime nga Vetting-u, sikurse Gjovalin Përnoca, Dhurata Haveri, Idriz Mulkurti dhe së fundmi edhe Arben Vrioni. Ky i fundit edhe i kërcënuar, ndërsa një tjetri iu dogj makina e bashkëshortes (Sokol Binaj). Këta emra të Gjyqësorit përmenden, pasi domosdoshmërisht gjatë këtij viti, dora e tyre e shfletoi njëherë dosjen “Shullazi”, por që jo me patjetër ngjarjet në fjalë kanë lidhje me të akuzuarin. Nga ana tjetër, teksa drejtësia ka lëvizur të gjithë figurat e saj, diçka nuk ka lëvizur asnjë grimë pas shpalljes fajtor të Shullazit dhe katër të tjerëve dhe dënimit të tyre me 55 vite burgim total. Asnjë seancë nuk është zhvilluar në shkallën e dytë të Apelit. Përgjatë një viti, atëherë kur u hap procesi në shkallën e dytë, ka dështuar seancë pas seance. Tanimë nga 21 janari 2019, kur nisi seanca e parë ndaj Shullazit, i vetmi emër që e lidh Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda me Gjykatën e Apelit Antikorrupsion dhe Kundër Krimeve të Rënda, është vetëm gjyqtarja Albana Boksi. Gjyqtarja Boksi pas plotësimit të kushtit primar të kalimit të Vettingut, me një vendim të datës 19 dhjetor është gjithashtu gjyqtarja kompetente dhe e vetmja që ka statusin e gjyqtares së GJKKO-së në Apel, gjithashtu trupë gjyqësore ndaj Shullazit e të tjerëve. Gjyqtarja është gjithashtu e vetmja që ka qëndruar përballë disa dorëheqjeve të tjera, për të cilat Gazeta “Si” ka raportuar ekskluzivisht referuar të dhënave zyrtare dhe procesverbaleve.
Pikërisht këtë klauzolë ngjan se kanë pritur avokatët mbrojtës, që në seancën e parë nga ngritja e Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dolën me letra hapur në favor të Emiljano Shullazit, Blerim Shullazit, Endri Qyqes, Endri Zelës dhe Gilmando Danit. Në seancën e radhës, avokatët i thanë gjykatës së re se dy gjyqtarët Etleva Temo (Apeli Korçë) dhe Artur Kalaja (Apeli Tiranë), nuk kanë kompetencat e gjyqtarëve të posaçëm. Për këtë shkresa i shkon tanimë Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili ngjan se ka vetëm një rrugë shpëtimi.
Për sa kohë gjashtë gjyqarët e tjerë që konsiderohen me vendim të KLGJ-së, si gjyqtarë të posaçëm pasi kanë dhënë edhe pëlqimin, dy anëtarët Temo dhe Kalaja anëtarë në të njëjtën trupë, nuk e kanë këtë kompetencë. Një burim tha për Gazetën “Si” se Këshilli përpara kërkesës së palëve do të interpretojë një vendim të mëparshëm për zgjidhjen e situatës duke iu refruar të drejtës për të deleguar gjyqtarë edhe në Gjykatën e Posaçme për çështje të veçanta, edhe kur ata nuk kanë një kompetencë të tillë.
Por një jurist në kushtet e anonimitetit shpjegoi se “sidoqoftë, në rast se KLGJ jep një zgjidhje të tillë, ajo nuk është detyruese për gjyqtarët e Apeleve të rretheve të zakonshme. Në rast se një gjyqtar Apeli nuk jep pëlqimin për t’u deleguar përkohësisht si gjyqtar i posaçëm, atëherë me siguri diskutimi do jetë dhe sa afat ka për mbajtjen e të dyshuarve në paraburgim”.
Në një situatë kur gjykata e re e Apelit i ka të konsumuar të gjithë gjyqtarët e tjerë të posaçëm, Nure Dreni, Saida Dollani, Sokol Binaj, Nertina Kosova, Dhimitër Lara, drejtësia do të përballet me vështirësi për gjetjen e gjyqtarëve. Deri më tani, që prej 21 janarit 2019 drejtësia ka gjetur vetëm një grua që vazhdon të veshë tunikën dhe të zbresë në sallën e gjykatës. Albana Boksi vendosi që seanca ndaj Shullazit të jetë në datën 6 janar 2020, me shpresën se deri atëherë do të gjendet një instrument për të zhbllokuar procesin që ka ngecur prej një viti.
Fati i gjyqtarëve të Shullazit
Gjovalin Përnoca bën pjesë te gjyqtarët e zgjedhur me short që në dhjetor 2018, por ai u dorëhoq nga gjykimi dhe më pas u shkarkua nga Vetting-u. Bashkë me të, në trupën e parë ishte edhe Sokol Binaj, i cili gjithashtu kërkoi të largohej nga çështja pasi kishte marrë pjesë në një çështje tjetër. Binaj e kaloi Vetting-un, megjithëse në një seancë përpara se të dilte në procesin e rivlerësimit, bashkëshortes së tij iu dogj makina. Më pas, Dhimitër Lara, Nerina Kosova dhe Nure Dreni dhanë gjithashtu dorëheqjen me argumentin se kishin marrë pjesë në masën e sigurimit personal. Ata u konfirmuan në detyrë dhe aktualisht janë gjyqtarë të posacëm të Apelit. Të njëjtin fat nuk e patën gjyqtarët Dhurata Haveri dhe Idriz Mulkurti që u shkarkuan nga Vetting-u. Arben Vrioni, ish-gjyqtar i Apelit të Durrësit u shkarkua pak muaj, pasi ishte shortuar të merrte pjesë në gjykim, por që pas një aksidenti me vëllain e Gilmando Danit, u duk se “ishte më i lumturi” nga moskonfirmimi në detyrë. Edhe gjyqtarja tjetër, Saida Dollani u përjashtua nga gjykimi pas debateve të ashpra në sallën e gjykatës, madje edhe pas kërcënimit të bashkëshortit, një ngjarje e cila nuk u zbardh asnjëherë nga organet e hetimit dhe asnjëherë nuk u gjet se kush ishin autorët e kanosjes.
Prokuroria
Por, ndryshe nga situata e nxehtë në Apel, i vetmi që ka mbetur që prej nisjes së kësaj historie penale është Eneid Nakuci, aktualisht prokuror i SPAK dhe me kompetenca për të dyja shkallët e hetimit. Prokuroria e ka blinduar përfaqësimin e akuzës në Apelin e SPAK, duke i bashkangjitur Nakucit edhe Altin Dumanin, një emër i njohur për ashpërsinë e tij “në emër të ligjit”. Teksa emrat e gjyqëtarëve ndryshojnë, ka një pamje që nuk ndryshon asnjëherë. Në kafazin e Apelit, Emiliano Shullazi nuk është ulur asnjëherë. Që prej ditës kur u shpall fajtor nga shkalla e parë dhe ndërkohë replikonte me dëshmitarin e mbrojtur nën pretendimin se: Ylvi Beqja gënjente, ai vetë i kishte kërkuar ndihmë për ish-Vollgën.
Gazeta Si po risjell edhe njëherë dëshminë e të akuzuarit Emiliano Shullazi përpara gjykatës:
Ka qenë viti 2011, kur një komshiu im, që quhet Altin Sorra, më kërkoi që të takohesha me një person, të cilin ne e kishim patur komshi dikur, sepse ashtu kishte një problem. Ka qenë qershori i 2011-ës dhe ma spjegoi. Ylviu ka banuar në lagjen tonë, siç e tha edhe vetë dhe jo shumë larg nesh. E kam pas njohur si fytyrë, por jo që të kisha muhabet me Ylviun, në vitet që ka qenë në lagjen tonë. Erdhi e më takoi në vitin 2011, bashkë me Altin Sorrën dhe më shtroi problemin që kishte me disa çuna që e sulmonin, që ai nuk e di sesi i thërriste dhe si i quante, me një Albi, që nuk ia mbaj mend mbiemrin. Me Albin dhe me shokët e vet, thoshte. Çfarë më afron ti, i thashë Ylviut, se besoj që përderisa po vjen tek unë, m’u prezantua që punonte për shërbimet tona në Gjenevë, zyrën e kam në Gjenevë më thoshte. Po ti qenke njeri me imunitet, i thashë unë, mund ta zgjidhësh shumë kollaj këtë gjë, nuk mund të vijë njeri të të ngcmojë ty. Kjo, pasi kishte thënë se kishte të drejtë. Po jo tha, nuk po çaj dot në këto mënyra. Nuk e di se çfarë donte të tregonte, por çfarë më afron i thashë, se ti po bën biznes, ky për ty është biznes. Po tha, biznes është, unë do të të jap, kur të bëhet e ta marr unë pronën, të mbarojë e të bëhet edhe pallati, do të të jap 3 hyrje të mira. Ti merre pronën i thashë, ta gëzosh, por mua për tre hyrje nuk më duket gjë. Unë nuk jap më tepër tha. Dakort i thashë.
Iku atë ditë dhe në vitin 2014, më merr përsëri komshiu im Altin Sorra dhe më thotë se Ylviu kërkonte të më takonte përsëri. Mirë i thashë, ai shtëpinë time e di, se kur erdhi atëherë, kemi qenë në makinë përpara shtëpisë sime, në vitin 2011. Erdhi edhe një herë Ylviu në vitin 2014, në mos gaboj ka qenë mars ose fillim maji 2014 dhe kërkoi, përsëri bashkëpunimin tim.
Kam patur shumë kërcënime tha, më ndihmo se, ne kemi qenë komshinj. Nëse ke ardhur me po ato muhabete i thashë, ne i kemi diskutuar një herë. Jo, tha, nuk është ashtu, tani do vij ndryshe. Unë i thashë, kam marrë vesh, që ti nuk je me të drejtë te kjo, me sa jam interesuar, nuk je me të drejtë te kjo pronë. Ashtu? – tha, shko pyet Neshatin, se ti e njeh Neshatin, pyet dhe një avokat tjetër, që ka qenë avokati i këtij Albit, që unë e njoh edhe atë avokat, edhe jam apo nuk jam me të drejtë unë, tha. Kam shkuar, kam takuar Neshatin dhe Neshati tha, ligjërisht, ajo pronë është e arabit, se aty bëhej fjalë për një kontratë, që kur e ka lëshuar ai që ka shitur pronën, ajo e zonja nuk ka qenë në gjëndje të mirë mendore dhe ia kanë marrë kështu firmën. Pra, në të gjithë gjyqet, bëhet fjalë për kontratën që i ka marrë nipi asaj gruas, që ia ka shitur arabit, që kur ia ka marrë ai, ajo nuk ka qenë në gjëndje të mirë, ai e ka mashtruar, ndërkohë që, kontrata ka qenë e rregullt, përpara noterit nga pikëpamja ligjore, ishte bërë shitja me avokat, kanë qenë dy avokatë, nga të dyja palët, sipas spjegimeve që më bëri Neshati.
…Ylviu kishte kërcënime. …M’i shpjegoi arsyet e kërcënimeve, sepse personi tjetër që ishte në gjyq, që quhet Zamir Hasa, i biri i birësuar i Alie Fortuzit në vitin 1998, kishte konflikte për një gjyq civil dhe kërkoi ndihmën time. …Ylviu më thonte, ti merre përsipër që të flasësh edhe me ata çunat e tjerë, se ata janë gabim, e kanë të kotë çdo gjë, nga të gjitha anët, ata e kanë të kotë që të futen, sepse unë jam me të drejtë, që ata të mos merreshin më me procese gjyqësore se, ishin të humbur, e ai në rregull. Këtë kërkonte ai.
… Kështu, thashetheme, dëgjonim ne, që e nxorën Ylviun nga “Vollga”, …se Ylviun e nxorën njëherë nga hotel “Vollga”. Në vitin 2007 mos gaboj, ishte në hotel, e morën, se kështu është futur ai aty, se m’u kujtua, që ai tha që nuk i njoh pistoletat, ai që në vitin ’97-’98, ka patur polici private, prandaj ne e njihnim, se vinte në lagje, bënte si rrëmujë me polica, me armë, ka qenë karakteristikë e atij njeriu. Ndërsa, ai erdhi këtu e tha unë nuk i njoh pistoletat. Se kështu është futur ai tek “Vollga”, e ka marrë në ruajtje atë, me firmën e policisë që kishte dhe ka ecur, ka avancuar në muhabet me arabin, nga ndërmjetësi, ka kaluar ndërmjetësin e ka shkuar tek arabi, që ka marrë edhe përsipër që këtë pronë, ta gjurmojë edhe me gjyqe.
…Në 2014 erdhi, i ra derës së shtëpisë, se e dinte shtëpinë. Shtetasi Altin Sorra është person që banon edhe në Gjermani. Ai kishte gjetur Altinin, me të cilin siç duket ka mbajtur kontakte gjatë këtyre viteve dhe i ka gjetur numrin. Altini, më merr mua nga Gjermania dhe më thotë. …Unë dorëzohem tha Ylviu, nuk merrem më, as me gjykatë, dorëzohem, mua më kanë lodhur, do më ndihmosh? Si të të ndihmoj? – i thashë. Më tha Ylvi Beqja: Ti, nga kjo punë do fitosh 1 400 000 (një milion e katërqind mijë) Euro. …Merru ti me gjyqet dhe me regjistrimin e pronës, tha. Ku je me pronën ti? Se këta, prandaj e sollën atë nëndrejtorin, që të tregonin që unë nuk kam bërë gjë fare aty, por pak rëndësi ka, se ato janë për në gjyq civil. Se Ylviu, sipas këtyre, e mori pronën në mes të gushtit, me një kërkesë. Ndërkohë, sa kam qenë unë i lirë, kam një komshi, që kishte tetë muaj për një rifreskim çertifikate dhe nuk e merrte dot, sepse vend burokratik është këtu. Nuk e di tani, ndoshta kanë ndryshuar, por kur kam qenë unë i lirë, ai kishte tetë muaj për shtëpinë e vet nuk e merrte dot, pasi i thonin të ka humbur aplikimi tek Hipoteka.
…Më ndihmo tha, më ndihmo edhe me rrugë financiare, se unë nga kjo kam humbur. Sipas atij, unë nuk di t’i ketë dhënë njeriu lekë, por sipas atij, tha se kishte paguar shumë dhe kishte hyrë edhe në borxhe për këtë punë. …Sipas atij. Ai e kishte kështu: “Kam këtë pronën, kur ta marr do marrësh lekët” dhe të merrte edhe lekë. Kur kam pyetur Neshat Fanën, ai më tha të ka gënjyer, se ai nuk ka paguar lekë.
…Atëherë, unë nuk kisha shumë informacion se sa vlente ajo pronë, por Ylviu më tha: Kur të shitet kjo pronë, e cila vlen 7 000 000 (shtatë million) euro, – sipas Ylviut, jo sipas cmimit të tregut që mund të ketë sot ajo – ti do të fitosh kaq më tha, por edhe do të më ndihmosh, se jam në pikë të hallit. Jam ulur, e kam diskutuar edhe me dy miqtë e mi, të cilët kanë edhe ata firmën e vet dhe avokatët, të cilët mund të merreshin e ta gjurmonin, sepse unë nuk kam më mundësi ta gjurmoj këtë gjë, tha Ylviu, nuk mund të eci më. Në atë kohë, kishte një gjyq në Apel, ka qenë viti 2014. …Ata, kanë dy gjyqe paralel, një me firmën që e ka blerë pronën dhe një me individin. Por, kur është shitur prona, e ka blerë firma, nuk e ka blerë individi, që është arabi. Atëherë, pala tjetër, ka hedhur edhe këtë arabin në gjyq. E kanë humbur atë gjyq, sepse nuk kishin interes. Pala tjetër, e pa që ai gjyq, nuk kishte interes, sepse prona është blerë në emër të firmës. …Firma ishte shoqëria “Saudit Brothers”. …Zamir Hasa, ka hedhur shoqërinë “Saudit Brothers” në gjyq, si dhe presidentin e kësaj shoqërie. Por, kur është blerë prona, është blerë në emër të shoqërisë, jo në emër të presidentit të shoqërisë.
…Këta, e kishin fituar me presidentin gjyqin. Duke qenë se për palën, Zamir Hasën, ishte gjyq pa vlerë, sipas avokatëve të tij, sepse pronën t’a jep e t’a merr shoqëria, ai me shoqërinë ishte gjyqi i themelit, siç e quanin ata. Ata e lanë gjyqin. Këta kishin marrë një vendim të formës së prerë me presidentin, vendim pa vlerë. Më pas, këta rikujtohen përsëri, që ta rivendosin në afat gjyqin me presidentin. Në shkallë të parë, ishte fituar gjyqi nga shoqëria “Saudit Brothers”. …Këto i kam mësuar si nga Ylviu edhe nga Neshati. Ishte koha, që për dy javë kishin gjyqin në Apel me shoqërinë. Në shkallë të parë e kishte fituar “Saudit Brothers” dhe e kishte humbur Zamir Hasa, tani ishte me shoqërinë. Erdhi Ylviu dhe tha shpejt, se tani kjo punë mbaroi, po të merret Apeli, sepse prona ishte e regjistruar në emër të Zamir Hasës, deri në gusht 2014. U humb gjyqi, gjyqin e Apelit e fitoi Zamir Hasa. U bë rekurs në Gjykatë të Lartë dhe Gjykata e Lartë ngriu çdo veprim juridik. Dua të dal te ky nëndrejtori, se këta prandaj e sollën. Çdo veprim juridik u ngri e me një vendim të presidentit, Ylviu regjistroi pronën. Për Zamirin duhej të ngrihej çdo lloj gjëje, ndërsa për ne, ishte rruga e hapur. Për Ylviun, ishte rruga e hapur, se i shkoi Ylviu me avokatin e vet, bëri një kërkesë dhe i thanë nga Hipoteka “po, ke të drejtë”, që kishin vendimin e Gjykatës së Lartë, që ia kanë çuar, si Hipotekës, si dhe Bashkisë. Kjo, sepse doja të sqaroja, se përse e sollën këtu Drejtorin e Hipotekës?
…Marrëveshjen që ramë dakort me Ylviun e kam bërë te notere Drita Pepi. …Unë nuk njoh asnjë noter, kam shkuar aty ku më ka thirrur Ylviu. Që të vesh gjobë dhe të shkosh tek noterja, sipas atyre, ku të thërret i dëmtuari, vetëm ne qenkemi. Ylviu tha, do ta bëjmë çdo gjë me kontratë. …Shkuam te Drita Pepi, të cilën e njihte avokati i Ylviut, av. Roland Samarxhi. Ata e përpiluan dhe e bënë gati kur shkuam te Drita Pepi, pasi më parë i kam çuar pasaportën dhe kartën e identitetit Ylviut. Unë nuk e kam lexuar fare kontratën, vetëm më tha shihe tek faqja e fundit se sa fiton ti. Nuk e lexova kontratën, pasi ashtu si ishte bërë kontrata, unë nuk do e pranoja. E mësova më vonë, që ai thoshte 10% do i marrësh kur të regjistrohet prona, 10% kur të merresh edhe me gjyqet. Ndërsa ne, nuk kishim bërë këtë marrëveshje. Marrëveshja ishte, që do e regjistroja unë pronën, do regjistrohej prona, pasi pamë edhe letrat dhe folëm edhe me një avokat, që ishte në rregull, por jo me këto kushte. Vetëm kështu mund të bëhet tha, do e bëjmë çdo gjë me letra, që unë të jem në rregull me shoqërinë, se unë për këto tha, kam vënë në dijeni edhe ata. Pra, nuk kishte as 20%, as 30% siç thonë ata. Ai tha, ja sa do fitosh ti.
…Këto, janë në maj, por kanë ecur gjëra të tjera më parë. E morëm pronën më 15 gusht. Siç ua thashë, pala tjetër kërkoi rivendosjen në afat dhe u hap seanca gjyqësore. Ne, po humbëm këtë gjyq tha Ylviu, bie fuqia e atij vendimit dhe përsëri, pas regjistrimit të pronës, na e rimarrin pronën ata. Që të dalim tek ajo gjyqtarja, që në atë kohë ishte pjesë e trupit gjykues. Shiko tha, se kjo gjyqtarja po i bën, kjo gjyqtarja ka takuar Albin. Ai trup gjykues, nuk e di se çfarë u bë atëherë, por dha dorëheqjen dhe ne na u dha kohë e tha hajde ta tjetërsojmë pronën, ta kalojmë njëherë, ta heqim nga shoqëria. Po mirë i thashë unë, ta kalojmë, por e more atë, mua më jep lekët. Por këtë nuk e blen njeri tani, tha. Si mund ta blejë njeri tha, kur ne nuk shkojmë dot te prona, sepse ishte ende policia private e Zamir Hasës aty, që të dalim tek Aida Spahiu. Më 1 tetor 2014, kanë shkuar Gilmando Dani, Endri Qyqja dhe një çun tjetër, komshi, që kanë futur policinë private, që sot është policia private e pajtuar nga ana jonë aty, tek ish-hoteli. Ylvi, i thashë, pronën e more, fute policinë private, mua më jep gjërat e mia, se lëre çfarë kemi shkruar në kontratë, por ne i kemi berë muhabetet, që unë do marr këtë, e ti në punë tënde, unë në punë time. Se mua më thoshte, që sa të marrim hipotekën dhe unë e kam të shitur. Me të marrë hipotekën thoshte, e kam të shitur, blerësi është Bexhet Pacolli, e ku di unë se çfarë përmendte ai. Meqë e more hipotekën i thashë, shite, e më jep mua këto. Jo, tha, si mund ta shes, kur ne nuk mund t’ia tregojmë tjetrit mallin. Dhe doli edhe hapi tjetër, që ne duhet të përzinim edhe policinë private të palës tjetër. Nga aty pastaj, tha, pa mbaruar Gjykata e Lartë, nuk e blen njeri atë pronë, se e dinë që të gjithë problematikën e saj, pasi u lirua edhe objekti.
…Ylviu më dha numrin e Fatmira Hajdarit, më tha se, kjo po prish punë. Jo pa qëllim e kam përmendur atë, se ju, çfarë doni i fusni, çfarë doni nuk i fusni. E përmenda, sepse, më thoni ju, sa shance ka, t’i çosh një gjyqtari mesazh, e të mos futesh në përgjim? Ku janë përgjimet? …i kam çuar një mesazh Fatmira Hajdarit. …Nuk më kujtohet përmbajtja. I kam dërguar mesazh dhe më ka kthyer edhe ajo mesazh, tek numri me kontratë. …Kam komunikuar me të me numrin e Gilmando Danit.
…Para se të lidhte kontratën me mua më tha, kam kërcënime, më kanë vënë plumba, etj. …Gjatë kohës që ka qenë me mua, nuk ka patur kërcënime. …Për kërcënimet ai të thoshte 100 gjëra në ditë, t’ia merrje për të mirëqena Ylviut, ai donte të të ngatërronte. Ai çfarë nuk thoshte. I thashë, ti, do të zgjidhësh hall? Nëse e ke me frikë, përse nuk e lë fare? Jo tha, unë nuk e lë, se gjithë investimet e mia janë aty, sipas atij, lekët, ia kishte dhënë shoqërisë dhe e kishte marrë përsipër ai humbjen, sipas asaj që thoshte ai. Këto, janë disa gjëra, për të cilat duhet të bësh edhe sikur nuk kupton. Sepse ai, nga një anë më thoshte ia kam dhënë lekët shoqërisë, nga ana tjetër më thoshte kam pyetur shoqërinë, që të të fusi edhe ty si ortak. Si t’i thoja, përse më gënjen mua? Mua më interesonte të fitoja dhe kaq.
…Gjatë kësaj kohe, filloi të binte pazari. Nga 7 000 000 (shtatë milionë), shkoi 6 000 000 (gjashtë milionë), shkoi 5 000 000 (pesë milionë). Ajo pronë, e pamë që nuk vlente aq sa thonte ai, me atë çmim që i kishte vënë ai. Me çmim tregu, ajo ishte 2 000 (dy mijë) Euro/metri katror. Nuk e blinte njeri atë. Por, përpara se të dalim këtu, nga maji deri në nëntor, kanë ndodhur shumë gjëra. Sepse këta, dalin direkt tek noterja.
…I kisha dhënë edhe 100 000 (njëqind mijë) Euro në fund të gushtit, pasi morëm atë pronën dhe unë e pashë, që kjo punë po bëhej dhe po e preknim. Hajde, më tha, se kam për të hequr një borxh. Unë 100 000 Euro nuk kam ku t’i gjej, po hajde se po ia kërkojmë një mikut tonë i thashë. …Kjo, ndodhi pas regjistrimit të pronës. …Ne u ngrohëm, thamë se kjo është në shina, e kemi të shitur tani, shpejt e shpejt. Por unë tha kam detyrim, a ke ku m’i gjen mua kaq? Thashë, ky ortak, po më ndihmon, po më jep kaq gjë, përse të mos e ndihmoj edhe unë!? Ia kam kërkuar filanit, kemi qenë unë, ky, Ylviu, tek “Dy kullat”. Ka zbritur filani dhe na i ka dhënë, atje ku ka zyrat ai dhe na i ka dhënë këto lekë. …Ky personi është Shyqyri Duraku. … Shyqyri Duraku, më ka dhënë këtë sasi monetare, të cilën ia dhashë Ylviut. … Atij i kam thënë se më duhen, jam duke bërë këtë punë dhe ia spjegova problematikën.
…Që nga ky moment dhe deri tek momenti që u nënshkrua kontrata tek Aida Spahiu, marrëdhëniet ishin shumë normale. …Gjatë kësaj kohe ai më vinte tek dera e shtëpisë mua. Kur humbi gjyqin ai në Apel, do vras veten thoshte. Të gjitha këto biseda, janë në telefon. …Ka komunikuar me Gilmandon. E humba gjyqin tha, do vras veten, se të gjitha çfarë kam patur, i kam hedhur aty.
…Pasi ndodhën këto problematikat, që ne do humbnim gjyqin, që me atë vendim regjistruam pronën, hajde tani tjetërsojmë pronën tha Ylviu. Unë, plus që ato lekët që kisha për të marrë sipas muhabeteve që kisha me Ylviun, kisha edhe 100 000 Eurot që ia kisha dhënë unë Ylviut. Përse thashë, që duke ardhur e duke rënë çmimi? Sepse, duke ardhur e duke rënë, aty 2000 Euro/metri katror bënte, e si do rregullohemi Ylvi? Do e konvertosh në metra tha, do e marrësh në metra, një e katërqind dhe një e njëqind. …Këto biseda, janë bërë mes meje dhe Ylviut. …kemi qenë unë, Gilmando dhe Ylviu. Shkuam tek noterja. Ai e shiti pjesën e vet. Do m’i japësh ato lekë i thashë unë? Jo, tha, merri këtu.
…Përpara se ta shiste pjesën e vet, bëri planin ai, ta tjetërsojmë tha, se edhe po ta humbim gjyqin, ta tjetërsojmë, ta heqim nga arabi. Ky ishte mendimi i Ylviut, pasi blerësit u larguan, pasi blerësit e morën vesh që, ky kishte edhe gjyqin e themelit në Gjykatë të Lartë. …Unë nuk kam patur interes ta tjetërsoja pronën. Unë kam patur interes të merrja ato që kam patur në kontratë. Kisha dijeni që do e tjetërsonte pronën, se takohesha përditë me të.
…Marrëveshja ka qenë, që unë kam lexuar vetëm faqen e fundit, ku më tha ja sa do fitosh ti në fund fare, kur kemi qenë tek noterja tek Drita Pepi, pasi e ka bërë ai kontratën gati, siç e tha edhe noterja. Nuk kemi bërë ne, fare marrëveshje me metra katrorë, as me përqindje, kemi bërë marrëveshje, që do marrësh këto lekë, por këto lekë, si do i marrësh ti më tha mua, kur të shitet prona, do i marrësh këto lekë tha, se kështu është rruga. Futesh njëherë si pronar tha dhe kur të shitet prona, kaq të takojnë ty, se unë nuk kam si të t’i jap lekët ty kështu. …Unë do përfitoja 1 400 000 (një milion e katërqind mijë) euro.
…Ylviu, tani mund të thotë shumë gjëra. Ishte gjithçka shumë normale. Unë kam 749 (shtatëqind e dyzet e nëntë) metra atje. Sepse, sipas llogarisë së Ylviut, me 2 000 euro, sepse aq shkon, pasi pyetëm shumë njerëz, nuk shkonte më tepër. Ja ku i ke lekët e tua tha dhe kjo ishte me nxitim, thjesht për nxitim, hajde ta tjetërsojmë. Madje, ti je më i rregullt tha, se unë nuk kam të drejtë të shes me kontratën që kam, tha, kam vetëm të drejtë ta këmbej e ta dhuroj. Ti, je shumë në rregull tha, lëre se çfarë u kam dhënë unë atyre të tjerëve. Se, kontrata e Ylviut, nuk e njeh fare shitblerjen, ka të drejtë vetëm të dhurojë ose ta këmbejë.
…Pretendimi i Ylviut, se unë e kërcënova për të marrë një përqindje më shumë, nuk qëndron. … Te noterja Aida Spahiu mua ka qenë duke më pritur atje, Ylviu, vetëm. E ke përballë gjykatës tha, e gjen shumë kollaj, se zyra e noteres është përballë Gjykatës së Durrësit dhe vetëm rruga nga këtu-atje, e ndante zyrën e noteres nga dera e gjykatës. Kemi qenë vetëm unë dhe Gilmando, atje nuk kishte asnjeri tjetër. Nuk ishte as kunati vet, as shoferi vet, Gilmando, ka ndejtur në makinë. …Trotuari me zyrën, janë shumë afër. E ka parkuar makinën dhe kam zbritur unë aty. Gilmando nuk është futur në zyrë, ka qenë në makinë. …Ditën, që kemi nënshkruar kontratën tek noterja Aida Spahiu, cilat raportet tona kanë qenë shumë të mira. …Më puthi shtatë herë në faqe kur ika. …Dhe jo vetëm pas nënshkrimit të kontratës, por deri ditën kur unë kam ardhur këtu. Ju e dini shumë mirë. Se ndoshta nuk e dini, ata prokurorët e mi, emrin kanë patur, se pas një muaji e kanë marrë dosjen ata.
…Tek zyra e noteres Aida Spahiu po më priste Ylviu. E gjen kollaj tha dhe lamë orar. Do ketë qenë ora 7-8 e darkës. …Ylviu ishte në trotuar. …Hymë tek zyra e noteres, ishte vetëm Aida aty. Gilmando ndërkohë, ndejti në makinë. Ka qenë dimër. …Mbaruam punë, unë ika, më përcolli. Atë e kam lënë me noteren. …Pas këtij momenti, raportet e mia me Ylviun kanë qenë shumë të mira. Shkova të regjistroja, pasi me gjithë procedurën për regjistrimin e pronës, merrej noterja. Na doli një pengesë, duhet bërë edhe një aneks-kontratë, tha noterja, sepse tek Hipoteka, kishin thënë “po objektin, në emër të kujt ta lëmë ne?”, se Fejzi Kodra, kishte marrë metra, unë po merrja metra, po objektin, se objekti nuk do rrijë në ajër, thanë ata të hipotekës. E duhej bërë një kontratë tjetër. Hajde Ylvi, i thashë, jepi drejtim, që ta ndajmë! Nuk do rrijmë të merremi me këtë gjë tha, se ne kemi për ta shitur, kjo momentale është, ta kalojmë në emrin tënd nëse bëhet. Dhe kemi shkuar përsëri tek noterja. …Pas këtij momenti, që ishim tek Aida Spahiu, kishte edhe një moment të dytë të vajtjes te noteri. Është edhe një moment të tretë, të finalizimit. Kemi shkuar tre herë. …Hera e tretë mund të ketë qenë rreth një muaj pas herës së dytë. Më 5 ose 15 dhjetor të atij viti, unë kam marrë çertifikatën. Nuk i di fiks datat, por ka qenë muaji dhjetor.
…Që nga momenti, që mora certifikatën, sipas marrëveshjes që kisha bërë me Ylviun, u likuidova këtu unë. Sipas llogarisë, unë me Ylviun, ramë dakort, që kjo nuk shitet më tepër se 2 000 Euro/m2. 700 metra, bëjnë 1.4, po të shtoj edhe 50 metra tha, për ato që të mora nga Shyqyriu dhe bëhen 750 metra. Çfarë t’i kërkoja më atij? I ke të gjitha këtu tha, kur të shitet. Ajo, aq bënte si pronë, por jo 5 milionë, e sa thoshte Ylviu.
…Për sasinë monetare, që Ylviu ka kaluar me cek, në emër të Gilmando Danit, Endrit Qyqes dhe Endrit Zelës, kam dëgjuar sipas muhabeteve, pasi takimet tona kanë qenë të shpeshta, Ylviu, e kishte për zakon të thoshte “Atij i fala makinë, këtij i fala makinë… të gjithë i bëra me makina…”. Në muhabet e sipër, i thotë Mandi, “Po mua, nuk do ma bësh dhuratë një makinë?”. Kur të shesim pronën i tha Gilmandos, do ikim bashkë në Gjermani dhe do të të blej një makinë zero më zero, këtë do të të bëj dhuratë unë ty. Sepse, marrëveshjen që thonë këta, për 20% e 30%, e kishte me mua, nuk e kishte me Gilmandon. Për çfarë është ky Gilmando, që ndejti dy herë në Drejtori të Durrësit për pronën e Ylviut? Marrëveshjen, ai e kishte me mua, jo me Gilmandon.
…Unë, kam dijeni vetëm për çekun e Endrit Qyqes. Kam dijeni, që kur u bë blerja e objektit, shkonte diku tek 23 000 000 (njëzet e tre milionë) lekë, që do pagohej referenca në shtet dhe i thashë, që këto lekë, nuk kam përse t’i paguaj vetëm unë, hajde ta përpjesëtojmë, se mua 7 milion e gjysëm lekë më bie. …Hajde ta ndajmë i thashë. Kur më doli kjo aneks-kontrata, që nuk më jepnin më atë, i thashë hajde ta ndajmë, se mua nuk më takon të paguaj kaq shumë lekë, se ishin 23 000 000 lekë, se është edhe Fejzi Kodra këtu, fol edhe me atë. Sa të rrijmë të bëjmë ne këto manovra tha, kaloje në emrin tënd, se ne për ta shitur e kemi. I jap unë ato lekë tha, që do blesh pronën dhe do rregullohemi në fund fare. Kështu është firmosur çeku prej 16 000 (gjashtëmbëdhjetë mijë) eurosh, që në atë kohë, aq bënin 23 000 000 (njëzet e tre milionë) lekë ose 22 500 000 (njëzet e dy milionë e pesëqind mijë) lekë, për Endrit Qyqen për të regjistruar. Kështu është futur emri i Endrit Qyqes për gjobëvënës.
…Për pagesën e Endrit Zelës nuk kam dijeni fare. …Nuk ka përse të ketë ndodhur që ta kem kërcënuar ndonjëherë shtetasin Ylvi Beqja. Nuk ka përse të ketë ndodhur. …Gilmando Danin, Endrit Qyqja, nuk kanë dijeni për marrëveshjen time me Ylviun dhe veprimet e tjera. …Dinë se, vetëm që ka qenë miku jonë, por nuk e dinë se çfarë do fitoja unë. Kishin dijeni që do fitoja unë diçka, por se çfarë do fitoja, nuk e dinin. … Gilmando Dani, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela, nuk kishin lidhje fare dhe nuk do përfitonin gjë nga kjo marrëdhënie e imja me Ylviun. …Këta e dinin që unë do fitoja. Gilmando e dinte, se ka qenë gjithmonë aty kur bënim muhabetet. Edhe Endri dinte pak, se edhe Endri, ka qenë dy herë i shoqëruar në Drejtori të Durrësit për këtë problem. …Blerim Shullazi ka patur dijeni, që unë po merrem me një pune atje, por jo se çfarë fitoj unë. …Ai kishte dijeni për marrëveshjen time me Ylviun se edhe Blerimin e kanë shoqëruar një herë në Polici të Durrësit kur kishte gjyqin Ylviu, se thoshte Ylviu “Hajde se po vijnë ata”, seç përmendte disa emra nga Durrësi dhe merrte kushërinjtë e mi Ylviu dhe, ata lajmëronin policinë dhe më duket se ka qenë edhe Blerimi një herë.
…Kërcënimet, nuk ishin të tipit, që të vinin e ta kapnin Ylvin mes nesh. Ylviu e shihte kërcënim, që edhe nëse nuk bënin atë që thoshte Ylviu, thoshte këtë e kanë kërcënuar. Këto kishte kërcënime Ylviu. Thoshte ky, nuk e bën këtë, se e kanë kërcënuar ata, se ne jemi në rregull thoshte Ylviu, e përse nuk e bëjnë atëherë, se e kanë kërcënuar ata. Për sa i përket marrëveshjes sime me Ylviun, ka qenë në dijeni edhe Sinan Topi.
…Sinan Topin e kam takuar dy herë, unë personalisht. Ma ka prezantuar si mikun e vet Ylviu. Te Sinan Topi, te toka e Sinan Topit, do bëhej ajo fabrika, që Ylviu e pa në Belgjikë. Do marrim atë fabrikën për riciklimin tha, atë që ua kam thënë këtu, do e vëmë atje, tokën e kemi, fabrikën e kemi, njerëzit e tjerë i kishte Ylviu, e bëheshim shumë mirë, sipas Ylviut. Kjo ishte si jam njohur me Sinan Topin. Edhe Sinani tha, është një nga ata që më ka ndihmuar për të bërë pagesat, siç thoshte ai. Se ju, përse u tërhoqët nga Luan Leka? Ta kishim dëgjuar Luan Lekën, se Luan Leka, thotë i kam dhënë 700 000 (shtatëqind mijë) euro Ylviut se, merrej Ylviu me gjyqe. Ose, i kam çuar arabit thoshte Ylviu. …Gjatë gjithë kohës, që jam shoqëruar me Ylvi Beqjan, nuk ka patur numër telefoni në emrin tim. Gjithmonë, lidhjet dhe kontaktet, i mbaja nëpërmjet numrit të telefonit të Gilmandos.
Vijon nesër me dëshminë e Ylvi Beqjes para gjykatës dhe me dëshmi të tjera…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.