Gazeta Si – Një tjetër hap prapa për amerikanët në NATO. Dhe, rrjedhimisht, një hap përpara për europianët.
Më 6 shkurt, Komiteti Ushtarak, i përbërë nga përfaqësues të 32 shteteve anëtare, miratoi vendimin për të rishpërndarë detyrat midis tre qendrave operative, “Komandave të Forcave të Përbashkëta”, të cilat raportojnë drejtpërdrejt te Grynkewich.
Komanda e Napolit do t’i kalojë Italisë, ndërsa ajo e Norfolkut në Virxhinia, do të drejtohet nga Mbretëria e Bashkuar.
Komanda e tretë, me bazë në Brunssum të Holandës, do të bashkëdrejtohet nga një gjeneral polak dhe homologu i tij gjerman, Ingo Gerhartz.
Komanda Supreme Ushtarake e Aleancës mbetet në duart e Shteteve të Bashkuara, konkretisht të Gjeneralit Alexus Grynkewich, i cili mbikëqyr çdo operacion nga selia e tij në Mons të Belgjikës.
Ndryshimet do të bëhen gradualisht gjatë viteve, thuhet në sajtin e NATO-s. Nuk ka rregulla të përcaktuara për kohëzgjatjen e mandatit në këto nivele, por zakonisht komandantët qëndrojnë dy deri në tre vjet. Në Napoli, admirali amerikan George Ëikoff ka marrë detyrën më 19 nëntor 2025, ndaj kalimi i komandës te një oficer italian pritet të marrë kohë.
Ministria italiane e Mbrojtjes, e drejtuar nga Guido Crosetto, e sheh këtë si një njohje për rolin strategjik të krahut jugor të Aleancës. Edhe Londra ka reaguar në të njëjtën linjë. Britanikët do të drejtojnë bazën e Norfolkut me detyrën për të garantuar sigurinë e rrugëve transatlantike dhe mbrojtjen e Groenlandës.
Në Brunssum, Gjermania dhe Polonia do të ndajnë përgjegjësinë për krahun lindor. Polonia konsiderohet një nga vendet më të vendosura në mbështetje të rezistencës ukrainase përballë agresionit të Vladimir Putinit.
Presidenti i Komitetit Ushtarak, admirali Giuseppe Cavo Dragone, e quajti zhvillimin “një moment historik” në një postim në platformën X. Sipas tij, aleatët europianë, përfshirë anëtarët e rinj, do të marrin një rol më të fortë në drejtimin ushtarak të Aleancës, ndërsa SHBA-ja mbetet e angazhuar fuqishëm në Nato.
Uashingtoni do të vazhdojë të mbajë kontrollin e tre komandave taktike: “Allied Maritime Command” në Northëood pranë Londrës, “Air Command” në Ramstein të Gjermanisë dhe “Land Command” në Izmir të Turqisë. Këto struktura ofrojnë analizat për selinë qendrore në Mons në rast krizash apo emergjencash.
Pas këtij riorganizimi qëndron edhe një linjë politike e kahershme amerikane. Që nga koha e Barack Obamës, SHBA-ja ka kërkuar më shumë ndarje kostosh nga aleatët.
President Donald Trump ka shkuar më tej, duke kërkuar jo vetëm ndarjen e shpenzimeve, por edhe të përgjegjësive në komandë, sidomos në zonat ku sipas Uashingtonit nuk ka kërcënime të menjëhershme dhe për këtë mund t’i besohet partnerëve më të ngushtë, britanikëve.
Mesdheu është vazhdimisht nën vëzhgimin e Flotës së 6-të amerikane, ndaj koordinimi i NATO-s mund t’i lihet Italisë.
Sa i përket Lindjes dhe Ukrainës, kjo lëvizje përputhet me linjën e Trump: le t’i menaxhojnë europianët.
Marrë nga: “Corriere della Sera”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



