Fatjon Rupi – ‘Nuk do të ketë një ndarje të sforcuar me Rejën”, – deklaronte para ndeshjes me Izraelin presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Pas saj ai me siguri ka nisur të mendojë seriozisht për trajnerin e ri të Kombëtares.
Këtë herë kreu i futbollit është në pozicion më komod se me Panuçin. Nuk ka nevojë për shumë negociata për mbylljen e bashkëpunimit, sepse Reja, për hir të së vërtetës, nuk është se ka pasur kontratën parësore në punën e tij.

Sfida e italianit veteran ishte ai hapi cilësor me Kombëtaren shqiptare, duke qenë se ka në dispozicion një gjeneratë goxha të mirë futbollistësh. Por nuk ia ka dalë. Dhe nëse në fillim bëri ndonjë hap përpara, me ngjitjen në Ligën B, tani ka bërë hapa prapa me kuqezinjtë. Hapa prapa në nivel loje dhe personaliteti të skuadrës në fushë.
Disa lëvizje të Rejës në formacion nuk kanë qëlluar të goditura. Për shembull, të shtunën ndaj Izraelit ai improvizoi Asllanin si numër 10, kur në skuadër kemi një numër 10 të mirëfilltë si Bajrami, të cilin e kërkojnë edhe klubet e mëdha pikërisht për karakteristikat që ka.
Po ashtu, rikthimi i Arlind Ajetit dhe për më tepër aktivizimi titullar pas një kohe të gjatë, nuk ka shumë logjikë futbollistike. Në kohën kur synohet rinovimi i Kombëtares, shumë mirë mund të luante Adrian Bajrami, në vend që të thirrej një lojtar që duket se e ka mbyllur ciklin me kuqezinjtë.
Shqipëria e Rejës është gjithmonë shumë fragmentare në lojë. Edhe pas një kohe relativisht të gjatë nuk ka fituar asgjë në automatizimin e veprimeve, siç ndodh kur një grup lojtarësh luajnë bashkë prej kohësh.

Në anën tjetër, Kombëtarja duket se ka humbur shumë nga fryma e saj e sakrificës. Hysaj dhe Gjasula dhanë mesazhe të qarta pas humbjes së fundit. Skuadra nuk ka unitet. Është shumë e lehtë të evidentosh një gabim, qoftë ky edhe foshnjarak, të një shoku. Një skuadër e vërtetë është ajo ku secili bën gjithçka për të mbuluar gabimin e shokut në fushë dhe jashtë saj.
Kuqezinjve u mungon entuziazmi, dëshira dhe agresiviteti në fushë, ndryshe nga sa ka ndodhur me gjeneratat e mëparshme. Dhe këtu ka të bëjë jo pak edhe trajneri. Reja është një profesionist, nuk ka dyshim, por Shqipëria ka nevojë për një trajner më energjik, më karizmatik. Motivimi në futboll është parësor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




