Nga Gazeta 'Si' - Shqipëria, po “lufton” prej më shumë se dy vitesh me krizën e mungesës së fuqisë punëtore në turizëm, nga spiralja e së cilës ende nuk ka gjetur shpëtim.
Me “nazet” që erdhën si pjesë e rimëkëmbjes ekonomike post-pandemike në të gjithë botën, ajo e pa veten në kushtet e mungesës së madhe të punëtorëve dhe një tregu të riformuar. Nëse flasim në shifra, akualisht një boshllëk prej 15 mijë punonjësish.
Ndërsa disa syresh mendojnë se zgjidhja mund të gjendet tek pagesat e punonjësve gjatë gjithë vitit apo tek ndonjë përfitim shtesë, të tjerë lobojnë për trajnime të vazhdueshme në mënyrë që të shmanget stafi i pakualifikuar.
Për GIZ-in (Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar) që po punon në Shqipëri për të diversifikuar ofertën turistike, zanafilla e zgjidhjes së problemit duhet nisur që në bankat e shkollës dhe auditorëve.
Në një përgjigje për Gazetasi.al, lidhur me një “manual” masash që duhen marrë për të zbutur këtë krizë, përfaqësues të GIZ theksojnë se u duhet dhënë rëndësi intershipeve.
“Internshipet janë një formë shumë e mirë e lidhjes së të rinjve që në bankat e shkollës me biznesin në fushën e turizmit. Sektori i mikpritjes është tejet interesant pasi ofron larmishmëri dhe alternativa të ndryshme punësimi. Është gjithashtu një eksperiencë e vlefshme sa i përket njohurive të fituara, prezantimit dhe njohjes me njerëz të rinj, kultura të reja ndaj do ishte shumë interesante për të gjithë ata që përfshihen në intershipe.
Lidhja e shkollave profesionale të turizmit me bizneset lokale ka sjellë që si rezultat 370 persona të marrin pjesë në praktikat e punës në sektorin e hotelerisë”, theksohet në përgjigjen për Gazetasi.al.
Gjithashtu përfaqësues të GIZ shtojnë për Gazetasi.al se një përgjigje tjetër e domosdoshme ndaj krizës është edhe kualifikimi i vazhdueshëm i punonjësve.
“240 të punësuar në hoteleri dhe strukturat e tjera pritëse janë bërë pjesë e paketës për kualifikimin e vazhdueshëm, proces ky tepër i rëndësishëm për të qenë i përditësuar dhe për t’ju përgjigjur nevojave të tregut. Këto lloj trajnimesh në vendin e punës jo vetëm motivojnë stafin por edhe mundësojnë stabilitetin në punë”,thuhet mandej për Gazetasi.al.
Në fakt, edhe analiza e fundit e Bankës Botërore rreth problemeve të këtij sektori në Shqipëri, sugjeron se një mënyrë e mirë është ofrimi i kurseve të trajnimit për sektorin e akomodimit dhe programet që japin certifikata të njohura ndërkombëtare.
Sipas një ankete të zhvilluar nga PNUD, me bizneset e hotelerisë gjatë vjeshtës së vitit të kaluar, 27% e tyre pohuan se kanë problem me stafin e pakualifikuar.
Për GIZ-in gjithashtu është shumë e rëndësishme që të shmanget qasja e sezonalitetit në turizëm pasi flukset turistike nuk duhet të përqendrohen në më shumë se 50% vetëm në sezonin veror.
Sezonaliteti është pranuar dhe nga pronarët e hoteleve si një ndër faktorët kryesorë që ndikon prej kohësh në “rebelimin e punonjësve” për aq kohë sa nuk iu ofron atyre një punë të qëndrueshme.
Sipas anketës, për të luftuar këtë sezonalitet, shumica e hoteleve të anketuara pretendojnë se paguajnë “paga më të larta se tregu” (53%) dhe “ofrojnë rroga në të gjithë vitin” (45%) për të përballuar mungesën e fuqisë punëtore.
Të tjerë i kanë hedhur sytë për të kërkuar shpëtimin nga tregjet e huaja, kryesisht nga Azia Juglindore.
Megjithatë, duket se ka mosmarrëveshje mbi efikasitetin e kësaj zgjidhjeje.
Shumica argumentojnë se punësimi i punonjësve të huaj është joproduktiv për shkak të kostove më të larta të strehimit si dhe vështirësive që ata hasin me të mësuarit e zakoneve dhe mënyrave të punës vendase.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.