Filma

Një film për bamirësitë e Nënë Terezës në 25-vjetorin e vdekjes

Me rastin e përvjetorit të vdekjes së themelueses së shenjtë të Misionarëve të Bamirësisë, më 5 shtator 25 vjet më parë, një dokumentar për Nënë Terezën

Nga Gazeta Si – Një udhëtim në jetën e Nënë Terezës, i xhiruar në formën e dokumentarit në pesë kontinentet, do të shfaqet këtë tetor në mbi 900 kinema të botës. Ai është mundësuar falë intervistave, videove, madje të pabotuara, të cilat tregojnë etapat e spikatura të jetës së shenjtores: nga shërbimi për të pastrehët në Bronksin jugor, te ndihma për refugjatët venezuelianë përgjatë kufirit brazilian, nga ndihma për të varfrit në xhunglën e Amazonës, te kujdesi për fëmijët me aftësi të kufizuara në lagjet e varfra të Nairobit, tek të varurit nga droga në periferi të Rio de Zhaneiros, tek puna e vazhdueshme e misionarëve të bamirësisë për të sëmurët dhe të vdekurit e Kalkutës.
Pamje të rralla që flasin edhe për miqësinë e saj të madhe me Shën Gjon Palin II. “Mother Teresa: no greater love” zbulon shenjtoren, vizionin e saj për t’i shërbyer Krishtit në të varfrit dhe se si e gjithë kjo vazhdon të realizohet sot nëpërmjet Misionarëve të Dashurisë.
Dhurata për Papën
Dokumentari, i cili do të lançohet më 3 dhe 4 tetor në mbi 900 kinema midis Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, mori formë me rastin e 25-vjetorit të vdekjes së Nënë Terezës, më 5 shtator 1997, falë bashkëpunimit mes Kalorësit e Kolombit dhe Misionarët e Bamirësisë, siç dëshmoi Patrick Kelly, Kalorësi Suprem i Kalorësve të Kolombit, i cili i dha Papës një kopje të filmit dhe të cilin Françesku, me një letër, u falënderua për një nismë që “e bën të arritshme për ungjillizimin veçanërisht për brezat e rinj”.

Papa Gjon Pali II dhe Nënë Tereza e Kalkutës

Nënë Tereza, një dhuratë për Kishën
Filmi është një homazh për “këtë grua që ishte një dhuratë për Kishën”, tregoi kardinali Sean O’Malley, kryepeshkop i Bostonit, gjatë prezantimit, një homazh për ata që së bashku me motrat e tyre shkuan në “vendet më skëterrë të botës, për të sjellë dritë, dashuri dhe mëshirë”. Shenjtorët janë kryevepra të Zotit, ishin fjalët e O’Malley, dhe Nënë Tereza është një nga kryeveprat e Zotit.
Kardinali, duke kujtuar rastet e ndryshme gjatë të cilave gjatë viteve e ka takuar shenjtoren, përmendi veçanërisht një moment: kur, i emëruar peshkop i Fall River, dioqeza ishte në një moment të vështirë për jetën e kishës për shkak të skandalit të abuzimit seksual. Ai i shkroi Nënë Terezës për t’i kërkuar të dërgonte murgesha për të “sjellë shërim dhe ngushëllim”.
“Ata mbërritën menjëherë, – tregon O’Malley, – dhe më pas erdhi edhe ajo për të vizituar, ishte një ngjarje, me mijëra njerëz që e mirëpritën atë në rrugë dhe që u bekuan prej saj”.

Nënë Tereza, përfundoi O’Malley, “tregoi fytyrën e mëshirshme të Zotit, duke i siguruar njerëzit se ata janë të dashur, sepse kur njerëzit e dinë se janë të dashur, ata besojnë në mesazhin tonë”.
Një film për ata që nuk e kanë njohur kurrë
Ky dokumentar do të jetë gjithashtu një dhuratë për të gjitha ato murgesha të reja që në vitin 1997, vitin e vdekjes së saj, nuk kishin lindur ose ishin shumë të vogla për të kuptuar se kush ishte ajo. Ky film mund të arrijë tek të gjithë të rinjtë, thotë At Brian Kolodiejchuk, postulator i kauzës së kanonizimit të Nënë Terezës, “që nuk e njohën për së gjalli dhe do t’i ndihmojë të gjithë të tjerët të kujtojnë se çfarë figure e madhe ishte ajo”. Mesazhi është pra, për At Brian, se “Kalkuta është kudo”.
Një pikë e vogël që nuk mund të mungojë
Është bukur të shohësh se çfarë ka bërë Zoti nëpërmjet Nënë Terezës dhe çfarë vazhdon të bëjë nëpërmjet saj, përfundoi prezantimin Motra Myriam Therese, eprorja rajonale e Misionarëve të Bamirësisë, për të cilën – shpjegon ajo për ‘Vatican News’ – mesazhi më aktual i Nënë Tereza është të jesh “dashuria dhe dhembshuria e Zotit nëpërmjet shërbimit”. Një mesazh që vazhdon edhe sot, sepse “ajo që mund të bëjmë është një pikë e vogël, nuk e ndryshojmë botën, por ajo pikë do të mungojë nëse nuk e bëjmë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë