Muzike

Një festival xhazi për Hemingway, emigrantët dhe paqen që vjen nga muzika

Ëndrrat e burrave që kanë shpresë, të gdhendur në anët e vështrimeve të zymtë. Aq të fortë, sa  për të vdekur pa u qarë, me  sy të një ngjyre tjetër dhe në zemër një këngë e re.Gra, nuse të  reja të lëna, që  i braktisen detit për një ëndërr ku të mbyten.  Netëve të zhveshur nga hëna, prej engjëjve pa piktura ...Është kjo piskama e “Opa Cupa”, bandës italiane që mbrëmjen e 21 korrikut sjellin rrëfenjat e tyre të dëshmive, emigrimit, udhëtimeve, nisjeve dhe ndarjeve në festivalin “Hemingway Jazz Fest”.

Janë ethet e erës ato që i bëjnë udhëtimet të duken më të shkurtër, për atë copë bukë. “Historia juaj, qoftë e asaj kënge që përhapet në fushë!”, këndon vokalistja e grupit salentin në nota elegjie, hipur mbi një anije të vogël peshkimi në detet e Mesdheut. Në ato dete,  ku nuk mundën dot të zbarkonin ëndrrat e mijëra refugjatëve të mbytur.

https://www.youtube.com/watch?v=CuQz3zb7LGI

Për dramat e emigrimit, për të luftuar racizmin përmes larmisë kulturore e  për të përcjellë një mesazh paqeje. Janë këto shtyllat e të shtatit edicion të festivalit Hemingway Jazz Fest, ngjarja që bën bashkë përkujtimin e ditëlindjes së shkrimtarit të madh Ernest Hemingway dhe kremtimit të dashurisë për xhazin.

“Kemi qenë vetë emigrantë, si shqiptarë e kemi provuar në lëkurën tonë shumë vite më parë atë që po përjetojnë ende sot me mijëra  njerëz që i arratisen mjerimit, luftës, për të mbijetuar  rrëfen Altini, një prej vëllezërve Sukaj, organizatorë të këtij festivali, por edhe të evenimenteve të tjera muzikore si Maratona Swing, me tren nga Tirana në Shkodër çdo 30 prill, në Ditën Ndërkombëtare të Xhazit, si edhe themelues të  Hemingway Fan Club Albania. I mbërritur në të shtatin vit, vëllezërit Sukaj synojnë ta shndërrojnë jo vetëm në një traditë, por edhe ta përfshijnë Tiranën në hartën botërore të festivaleve xhaz.

Një qiri, një puro dhe...një papa doble

“E nisëm thjesht edicionin e parë . Më shumë për të kujtuar datëlindjen e tij”, rrëfen  më tej Altini, ndërsa i referohet ditëlindjes së shkrimtarit të “Plaku dhe Deti”, i lindur më 21 korrik të vitit 1899, në nder të të cilit themeluan edhe të parin klub admiruesish shqiptarë. “Aq thjesht sa as vetë Hemingay nuk do të mendonte se po bëhej një festë për të”, vijon Altin Sukaj. Ishte 20 korriku i vitit 2013. Kështu mbi Kamarron e zezë vendosën fotografinë e shkrimtarit, të cilit parapëlqejnë ta thërrasin Papa Hemi. Pranë fotografisë një qiri të ndezur e shoqëruar me puron e pandashme të shkrimtarit. “Megjithëse erdhi ca me vonesë, Bland Ashiku  në një gotë aq të madhe sa mund të pinin njëqind vetë bëri një “Papa Doble”, buzëqesh me nostalgji Altini, ndërsa kokteji i shpikur nga shkrimtari i madh, një Daiquiri pa sheqe dhe me dyfish rum, u pagëzua për nder të tij.

Ithtarë deri në hollësi jo vetëm pas shkrimtarit dhe letërsisë së tij me kryevepra si “Lamtumirë Armë”, “Për kë bien këto kambana” “Dhe Dielli lind” e shumë tituj të tjerë, por edhe të njeriut qejfli pas jetës,  Havanës së tij të dashur dhe magjisë së rumit që nuk  mund të mendohet pa atë bashkim erotik me tymin e ëmbël të puros që mbajnë aromën e lëkurave të zeshkëta të kubaneve që puthen nga dielli dhe dashurohen me tingujt e salsa-s.

“Hemingway Fan Club Albania është muzika e rumit, e cila kurrë nuk do të  shuhet në Tiranë, në  Shqipëri. Sepse,  ne kështu kemi zgjedhur të  mendojmë dhe të  jetojmë”, thotë Altini. Pati atë natë të parë, shtatë vjet më parë, kërcime mes tingujve latinë dhe xhaz deri ndaj të gdhiri, ndërsa rrugica “Kont Urani” në kryeqytet niste të mbante erë oqeani, si të ishte një festë nga ato spontanet e organizuara në rrugët e Havanës, shpirtin emblematik të së cilës komunizmi i Fidel Castro-s nuk mundi ta mposhtë.

Një vit më vonë, kremtuesit e ditëlindjes së shkrimtarit ishin aq shumë sa e pushtuan të gjithë rrugën, që u mbyll për të. “Shumë  dashuri nga Eda Zari&Friends, Kol Shehu,Eno Nelku etj., që  mes notave xhaz  dhuruan emocione pafund. Ema Andrea,  hipur mbi makinë,  me sharmin e saj interpretoi rreshta nga Hemingway, poezi nga “Poeteka” dhe Arian Leka dhe emocione pafund”, kështu e kujtojnë atë natë të 21 korrikut të 2014-s. Ndonëse Hemingway kishte 53 vjet i ndarë nga jeta, dashamirësit e tij nuk e njohin fjalën vdekje.

Përtej Lanës, poshtë mimozave

Përtej Lanës, poshtë mimozave. Kështu e titulluan edicionin e tretë të festës së 21 korrikut, anëtarët e Hemingway Fan Club Albania, duke përshtatur titullin “Across the river and into the trees”, të cilin shkrimtari i  botoi më 1950-n.

Nën aurën  e veshjeve të bardha, si kod i veshjes së festës, rrethuar nga miq, nën ritmet e një duoje kubane dhe xhazit të muzikantëve shqiptarë si Kol Shehu, Eno Nelku, Ilir Bajri, Ton Arapi, i madh e i vogël iu dorëzua kërcimit të shpenguar.

Jo vetëm dashuria për një shkrimtar të madh. Tre vëllezërit Sukaj, përmes shoqatës kulturore “Hemingway Fan Club Albania” menduan që përmes këtij festivali xhazi t’i kthejnë sytë edhe nga trashëgimia kulturore e vendit. Më 2016-n, vendosën të shpërngulnin festën nga rruga Kont Urani në Tiranë, në Vilën e Zogut mbi kodër, në Durrës.

Një festë e lëvizshme e patën titulluar, ashtu si libri “A moveable Feast” , një memoar që Hemingway  e shkroi rreth viteve si një gazetar dhe shkrimtar  i ri, emigrant në vështirësi  në Parisin e viteve 1920.  Me detin në sfond, fustanet e gjatë deri tek këmbët dhe turbanët apo trëndafilat e kuq mbi  flokë  të vajzave, që sajonin koreografi të çastit nën ritmet latine të interpretuar nga artistët pjesëmarrës u bë gjithaq një natë e paharrueshme.

Nga ato net që miqtë e Hemingway Fan Club Albania e presin me padurim gjatë gjithë vitit. Veshjet e bardha u shndërruan vit pas viti në traditë, ndërsa festa iu kthye  “Kont Urani”-t me shijen e muzikës së trios së Ilir Bajrit dhe “Red Pellini Trio”.

Loco JazzFest

Vitin e kaluar miqtë e Hemingway-it u mblodhën në Bulevardin e Ri,  ndërsa prisnin mbërritjen e Avullores 02, të vetmes lokomotivë me avull që i kishte mbijetuar kohës. Zonja njëqind tonëshe e pagëzuan tre vëllezërit Sukaj, prodhimin polak të vitit 1951.Ndërsa pesë simotrat e saj që përshkruan hekurudhat e dikurshme të Shqipërisë u shkrinë e u çuan për skrap, Avullorja 02 e cila prej vitit 1986 pushonte në një ofiçinë në Shkozet të Durrësit,  është shndërruar tanimë në një instalacion, një relikte që pushon aty ku dikur qe Stacioni i Trenit, ku mbërrinin e niseshin njerëz e histori.

Nostalgjinë për udhëtimet me tren tre vëllezërit, Rudi, Altini dhe Blendi Sukaj duket se e kanë trashëguar nga i gjyshi, i cili ishte një nga ata njerëz që morën pjesë në ndërtimin e hekurudhës së parë shqiptare në vitin 1947, linja Shkodër- Podgoricë.

Shkodra është sot stacioni i Maratonës Swing, që ata organizojnë prej katër vitesh. Me andrrat që vazhdojnë në tren, në 12 orë udhëtim, hare dhe lëkundje me ritmet swing, kremtuan edhe këtë 30 prill.

Viti i kaluar ishte eksperimenti që u rezultoi i suksesshëm për ta shndërruar festën e Hemingway-it në dy net. Më 21 korrik, kur shkrimtari do të kishte kremtuar vitin e 119 të lindjes, rrugica nën mimoza u përndez nga tingujt e Nicola Conte-s, një emër i njohur i muzikës xhaz, nën shoqërimin e saksofonit të shkodranit Orges Sadiku, si edhe Ghiaccioli e Branzini dhe grupi i Olta Ahmetaj.

Mesdheu në një festival

“Hemingway JazzFest, është gëzimi më  i madh që  ka sot për sot muzika e këtij zhanri,  në Shqipëri. Nuk është tashme vetëm festival, por edhe stili i jetës së  të  gjithë atyre që  pranojnë teë bëhen pjesë  e jona”, vijon Altini, ndërsa zbulon se edhe këtë vit, festivali tanimë i strukturuar do të shtrihet në dy net.

Një buqetë shumëngjyrëshe muzikore vjen e propozuar më 21 dhe 22 korrik në oborrin pas Universitetit Politeknik të Tiranës, mes sheshit “Nënë Tereza” dhe Parkut të  Liqenit Artificial. Një hapësirë që ndoshta pak, përtej atyre që kanë studiuar dhe lektuar aty, e njohin. Një shesh i ngrohtë që mirëpret emra të njohur e të dashur të xhazit ballkanik, muzikës etnike, shpirtit nomad dhe ballkanas.

“Barcelona Gipsy Balkan Orchestra” e njohur për të gjithë shqiptarët përmes këngës së dashur arbëreshe “Lule, Lule”  do të performojnë natën e parë të festivalit.“Pasi kemi vizituar më shumë se 30 shtete, është koha të luajmë për herë të parë në Shqipëri. Jemi të emocionuar dhe mezi presim të japim më të mirën në Tiranë”, përshëndet këngëtarja spanjolle Sandra Sangiao.

https://www.youtube.com/watch?v=Oztvh92T7Zg

I krijuar më 2012-n në Barcelonë në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, Barcelona Gipsy Balkan Orchestra (BGKO) ka ndikim të madh nga muzika ballkanike e veçanërisht ajo rome, gjithnjë në eksplorim të tingujve të rajoneve të Europës Lindore, por edhe të Spanjës dhe Lindjes së Mesme gjithashtu.  

Ata njihen edhe për hite si "Hasta Siempre, Comandante", "Cigani Ljubiat Pesnji", "La dama d'Aragó dhe “Djelem Djelem”, himni ndërkombëtar  i romëve. Muzika ballkanase shkon përtej kufijve të saj gjeografikë. Ajo ushqehet nga tradita historike që bashkëjetuan në këtë gadishull për shekuj me radhë si ajo e hebrenjve, romëve, osmanëve dhe arbërve. Jo vetëm se mishërojnë më së miri larminë e kulturave dhe multi-etninë me anëtarë që vijnë nga Spanja, Italia, Franca, Serbia e Greqia, por përmes muzikës së përmbledhur në albumet e tyre i japin zë më së miri temës që organizatorët e Hemingway JazzFest kanë zgjedhur këtë vit.

https://www.youtube.com/watch?v=23dW3H9yFSU

“Nisja”, “Ribashkimi Ballkanas” “Europa mbyll kufirin” janë disa prej pjesëve muzikore dhe albumeve të publikuar nga “Barcelona Gipsy Balkan Orchestra”.

Rikthehen miqtë e vjetër të Ghiaccioli e Branzini Dj. Set, të cilët ishin pjesëmarrës edhe vitin e shkuar.  Prej vitit 2012 ata janë aktivë në ture të shumtë dhe projekte ku ndërveprojnë muzika elektronike dhe ajo e luajtur. Të tjerë miq të festivalit të shtatë janë edhe Rumba de Bodas,  formacioni i tetë muzikantëve që  shkrihen  mes ritmeve latine, atyre ballkanike, sëing-ut dhe reggae-s. CharlesFerrisTrumpet sjellin një kombinim të veçantë të muzikës elektronike dhe asaj Blues, Jazz dhe Folk.

Shembja e barrierave shoqërore

Historitë e emigrimeve, por edhe forcën për të shembur barrierat shoqërore e sjell “Opa Cupa”, projekti i parë ballkanik i lindur në Salento të Italisë. Opa Cupa është një projekt i karakterizuar nga kërkimi i repertorit muzikor të Ballkanit, deri në mbërritjen e përfaqësimit  me tekste dhe muzikë origjinale që kryqëzohen me tingëllimet xhaz dhe ato të bandave tipike të traditës muzikore të Jugut të Italisë. Emri  Opa Cupa , është një thirrmë për valle e përdorur nga ciganët e Europës Juglindore e po ashtu një këngë e njohur rumune.Grupi eksploziv i udhëhequr nga Maestro Cesare Dell'Anna gjatë viteve është ushqyer nga eksperimentet dhe dinamizmi.

https://www.youtube.com/watch?v=e2DwzdHNex4

Opa Cupa është muzika që sheh me sytë nga  Mesdheu, atij që gjendet plazhet e Salentos në dimër, me  detin që ndan tokën nga ata që i qasen prej  anës tjetër.  Është  dëshpërimi që përballon udhëtimet e shpresës, trupat e humbur në po të njëjtin det që verës mirëpret dhe freskon. Muzika e tyre me rrjedhshmëri të popujve të ndryshëm shndërrohet në shprehinë  e sinqertë të një kulture rajonale plot ngjyra dhe unike, ku tingujt ballkanikë, mesdhetarë dhe të Lindjes së Mesme shkrihen me ato të bandave tipike të jugut të Italisë për t’i dhënë jetë një lulëzimi ritmesh afro-ballkan-xhaz tejet trazues, origjinalë e të pasur me nuanca.

11/8 Records, është etiketa diskografike e themeluar nga  Cesare Dell’Anna,  e që lind në  “Casa Laboratorio Hotel Albania”,  që ngaherë ka mirëpritur muzikantë, poetë, shkrimtarë, piktorë, skulptorë e artistë të çdo zhanri e vendtakimi të etnive të ndryshme që shohin kah Mesdheu. Pjesë e formacionit është edhe violonçelisti shqiptar, i cili jeton dhe punon prej 20 vitesh në Itali, Redi Hasa dhe pianisti Ekland Hasa. Në vitin 2006, Opa Cupa publikon “Hotel Albania”, brenda saj edhe kënga “Allegria di Naufragi”.

Vokalistja, Eva Salina Primack  ka kënduar thuajse në çdo gjuhë ballkanase. Në shqip ka interpretuar këngën  “Çobankat”, “Kam kënduar në shqip, serbisht dhe romani në ture, por edhe në italisht, “Allegria di Naufragi”, një kompozim i bukur i Cesare Del Anna që i referohet tragjedisë së vitit 2002, kur një varkë me emigrantë shqiptarë e nisur drejt Italisë, u mbyt dhe gjashtë prej tyre vdiqën”, thotë vokalistja.

https://www.youtube.com/watch?v=xnDVfXciF28

I referohet 22 korrikut të vitit 2002  kur në ujërat shqiptare një anije e Guardia di  Financa (që në bazë të marrëveshjeve Itali-Shqipëri shkurajonte  nisjen e klandestinëve qysh në brigjet shqiptare) përplaset me një gomone me emigrantë  shqiptarë. Por dy vjet më pas, më 9 janar të vitit 2004, u gjendën të vdekur nga të ftohtët në gomone, 21 persona, ndërsa shtatë u deklaruan të humbur. Ata kërkuan ndihmë drejtpërdrejt në televizionin “Top Channel”, por  ndihma fatkobshëm mbërrin me vonesë. Sot, tragjeditë përsëriten duke e bërë detin varr të mijëra shpresave të prera në mes.

Mbërtheju fatit, këndon  Eva, janë ethet e erës ato që e bëjnë udhëtimin të duket më i shkurtër. Për atë copë bukë. Për atë gjuhë toke, që mban shenjën si bijë në luftë. Etër të veshur si Krisht luten me gjerdanët e tyre të artë, shtrënguar mes duarve. Historia juaj, qoftë e asaj kënge që  përhapet në fushë!, thotë kënga, ndërsa muzika e Mesdheut mundohet të bashkojë atë që ndan racizmi, ksenofobia, mungesa e dhembshurisë dhe politikat e marra...  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë