Irena Beqiraj

Një ëndërr drejt askundit!


Teksa udhëton nga Podgorica në Kolashin, që prej qershorit 2022, do të kaloni, e them pa frikë, në një nga autostradat më të bukura të Europës.

Ky është loti i parë i një autostrade së teknologjisë së fundit në një prej terreneve më të vrazhda në Europën Jugore, ku nga 41 km, 17 km janë tunele edhe 7 km janë ura të vendosura mbi shtylla masive prej çimentoje që ngrihen mbi kanionin piktoresk të lumit Moraça të Malit të Zi.

Qeveria e ka përshkruar projektin e autostradës prej 165 km, me urat e saj imponuese dhe tunelet e gjata, si ndërtimin e shekullit, shtegun drejt botës moderne.

41 km janë ndërtuar nga një kompani kineze, me rreth 809 milionë euro kredi kineze e cila vetëm në këtë fazë e ka rritur borxhin e Malit të Zi 80% të PBB-së dhe ka detyruar qeverinë të rrisë taksat, "të ngrijë" rritjen e pagave në sektorin publik dhe t'u japë fund transfertave për nënat me fëmijë.

Për më tepër, për të përfunduar 124 km e tjerë të projektit ambicioz, duhen edhe rreth 1.2 miliardë euro. Mali i Zi është vendi i parë në Evropë që e gjen veten në një pozicion tejet të vështirë midis zgjedhjes së vazhdimësisë së "ëndrrës" apo shkatërrimit të stabilitetit makro-fiskal, por çuditërisht asgjë nuk e pengon qeverinë të vazhdojë të këmbëngulë, për një autostradë të re shkëlqyese, edhe pse nuk është fizibël ekonomikisht.

Ideja e ndërtimit të një autostrade nga Porti i Barit për në Serbi e ka zanafillën në vitin 2005. Dy studime fizibiliteti u kryen në 2006 dhe 2012; i pari i kryer nga firma franceze Louis Berger për qeverinë malazeze dhe i dyti nga kompania amerikane URS për Bankën Europiane të Investimeve. Të dy arritën në përfundimin se nuk do të kishte trafik të mjaftueshëm për të justifikuar investimin.

Louis Berger vlerësoi se qeveria do të duhet të paguajë 35 milionë deri në 77 milionë euro në vit shtesë mbi të ardhurat e mbledhura nga toll-et për ta bërë investimin tërheqës për investitorët e jashtëm.

URS studioi çdo seksion të autostradës dhe arriti në përfundimin se të gjitha kombinimet e mundshme ishin ekonomikisht të papërshtatshme. Ai rekomandoi një përmirësim më modest të rrugëve ekzistuese.

"Vëllimet e ulëta të trafikut aktual si dhe parashikimet e dobëta ekonomike nënkuptojnë se përfitimet ekonomike të rrugës së propozuar nuk ofrojnë kthim të mjaftueshëm nga investimi," shkruan URS.

Edhe pse është një kurth, tani që ka filluar, politikanët nuk mund edhe nuk duan të përmenden. Me gjithë objeksionet edhe paralajmërimet për rrezikun financiar të KE-së apo FMN-së, duket se asgjë nuk i ndal ëndrrat vanitoze të vendimmarrësve të kompleksuar ballkanas, të kujtdo ane qofshin ata. 

Me tkurrjen e hapësirës ​​për të marrë më shumë borxh, opsioni që i ka mbetur qeverisë për ndërtimin e tre fazave të ardhshme të autostradës është partneriteti publik privat (PPP).

Dhe është China Road and Bridge Corporation (CRBC), kompania e madhe shtetërore kineze që ndërtoi seksionin e parë, e cila nënshkroi një memorandum mirëkuptimi (MOU) në mars 2022 për të përfunduar pjesën tjetër të rrugës me PPP.

Me 809 milionë euro që Mali i Zi  morri borxh nga Banka e Eksport-Importit të Kinës mbuloi vetëm 85 për qind të kostos së seksionit të parë të rrugës, prej 41 km. Huaja në dollarë mbart një normë interesi 2 për qind, plan shlyerjeje 20-vjeçar dhe periudhë mospagimi 6-vjeçare. Por kjo marrëveshje ka kosto të tjera shtesë të cilat zvogëluan përfitimet ekonomike gjatë ndërtimit edhe mund të krijojnë kontigjenca të ardhme.

Përshembull, të gjitha materialet e ndërtimit, pajisjet dhe mallrat e tjera të importuara u përjashtuan nga tatimi mbi vlerën e shtuar. 70 për qind e punës iu dha punëtorëve kinezë.

Për shkak se qeveria nuk u mbrojt nga luhatjet e monedhës, kostoja ka vazhduar të rritet. Tani po i afrohet 1 miliard euro, gati sa një e katërta e PBB-së së Malit të Zi.

Për më tepër, sipas kushteve të kontratës, një gjykatë arbitrazhi në Kinë do të jetë juridiksioni në rast të ndonjë mosmarrëveshjeje ligjore. 

Qendra për Zhvillim Global e rendit Malin e Zi si një nga tetë vendet në botë më shumë të cenueshme nga borxhet kineze, në krah të Pakistanit edhe Filipineve!

Ëndrra e pambështetur ekonomikisht e cila lidh detin me kufirin serb, ose detin me kërrkundin, siç thotë studimi URS, kërkon akoma 1.2 milardë euro "kineze" duke e bërë kështu Kinën zotëruese të mundshme të 50% të PPB-së së fqinjit tonë të vogël me dalje në det edhe që aspiron të futet në Evropë!

41 km që më lanë pa frymë kur i përshkrova për herë të parë, janë rasti ekselent që tregojnë se sado të bien këmbanat e racionalitetit ekonomik, ato nuk kanë asnjë vlerë kur mungojnë veshët për t’i dëgjuar ato.


Copyright © Gazeta “Si”