Ka ndodhur

Një “dorë e fortë” në krye të IKMT-së

Profili i zgjedhur nga Kryeministri Edi Rama për të qenë pasues i Dallandyshe Bicit në krye të Inspektoriatit të Kontrollit dhe Mbrojtjes së Territorit paralajmëron “dorë të hekurt” ndaj ndërtimeve pa leje.

Në krye të IKMT-së u prezantua këtë të premte Ajet Zyberi, që më parë ka shërbyer në rangje drejtuese në Policinë e Shtetit, deri edhe në postin e Drejtorit të Policisë së Korçës.

Prezantimi i tij u bë paralelisht me zotimet e dhëna nga Rama dhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi për mostolerim më të ndërtimeve pa leje, madje me paralajmërime për dënime maksimale për shkelësit e ligjit, deri në 15 vite burg.

“Ata dhunues nga veriu në jug që do përballen me ligjin si asnjëherë më parë. Shkon deri në 15 vjet dënimi sipas shkallës nga Kodi Penal për ndërtim pa leje. Ta harrojnë celularin e ministrit të Brendshëm, sado i pasur, apo i mbrojtur të jetë. Fiksojeni mirë, nuk do ketë më tolerim. Sidomos në periudha të tilla, jemi në prag të sezonit turistik. Rritet vigjilenca jonë, shumëfishohet. Kështu që, besoj se e kemi arritur maturinë”, u shpreh ministri Çuçi.

Në 2016-ën, Zyberi është vlerësuar me Çertifikatën për Shërbime të Dalluara në Policinë e Shtetit. Por, Partia Demokratike e ka akuzuar atë si të përfshirë në trafikun e drogës.

"Arjanit Arapi dhe Ajet Zyberi janë dokumentuar përsëri nga partnerët si shërbëtorë të krerëve të trafikut të drogës, si njerëz në dispozicion të biznesmenëve të hashashit, miq për kokë të Edi Ramës", deklaronte Lulzim Basha në fillim të majit mars të këtij viti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë