Gazeta Si – Një ditë pas çeljes zyrtare të fushatës, Partia Demokratike dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore prezantuan programin elektoral 2025-2029 në Kuvendin Kombëtar te Pallati i Kongreseve në Tiranë.
Chris LaCivita, strategu i PD për fushatën elektorale, tha se tre mandatet qeverisëse të kryeministrit Rama kanë qenë një dështim i vërtet.
“Të gjithë e dimë se 12 vitet e fundit nën drejtimin e Edi Ramës kanë qenë një dështim i plotë dhe i madh.
Një dështim në drejtimin e qëndrueshëm dhe një dështim për familjet shqiptare. Ndërkohë kemi Dr. Berishën, një mik të vërtetë për familjet shqiptare”.

LaCivita theksoi se ai PD ka një program të njëjtë me ish-presidentin amerikan Reagan dhe atë aktual, Donald Trump.
“Berisha ka një program të vërtetë për të ulur koston e jetesës për familjet shqiptare dhe një plan të mirëfilltë konservator, ashtu si Presidentët Ronald Reagan dhe Donald Trump. Është një plan real për të ulur taksat, një plan real për rininë shqiptare, për punësim dhe mundësi. Kjo fushatë ka të bëjë pikërisht me këtë: udhëheqjen konservatore dhe të qëndrueshme të Dr. Berishës përballë një socialisti të paqëndrueshëm që fshihet pas hijes së vet. Një fitore për Dr. Berishën është një fitore për familjet shqiptare. Faleminderit! Fitore! Fitore!”, – u shpreh LaCivita.
Një ditë më parë, PD hapi fushatën elektorale në Sheshin Nënë Tereza në kryeqytet, ku i pranishëm krah Berishës ishte edhe strategu amerikan Chriss LaCivita.
Chris LaCivita strategu i fushatës së presidentit Donald Trump, që do të drejtojë edhe fushatën e demokratëve në këto zgjedhje ftoi shqiptarët që në 11 Maj të votojnë Sali Berishën, duke hequr vija paralele mes tij dhe shefit të Shtëpisë së Bardhë.
“Në vitin 2024, në Shtetet e Bashkuara, socialistët u përpoqën të fusnin në burg Donald Trump. Donald Trump nuk u dorëzua. Ata dështuan. Në vitin 2025, këtu në Shqipëri, socialistët duan të fusin në burg gjithë opozitën e tyre. Edhe këtu do të dështojnë. Pse? Sepse nuk mund të mbrojnë dot bilancin e 12 viteve të fundit: 12 vite krim, 12 vite drogë. Më shumë se 1 milion shqiptarë janë larguar nga vendi. Dhe 12 vite dështim ekonomik. Pse të votoni për partinë që i krijoi të gjitha këto probleme?Votoni për Dr. Berishën. Jepini vendit tuaj mundësinë. Dhe jepini njerëzve shpresë”, u shprehChris LaCivita.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.