Paradat ushtarake nuk janë të zakonshme në Tiranë, për të mos thënë të rralla. Por si kurrë më parë, bulevardi kryesor i kryeqytetit u mbush me tanke, makineri ushtarake, një avion dhe qindra ushtarë të kombësive e gradave të ndryshme. Shqipëria po feston mes krizës së brendshme politike dhe raportet për përhapjen e ndikimin rus, 10-vjetorin e anëtarësimit në NATO.
Qytetarët e mbledhur për të parë nga afër ceremoninë e mbajtur në Sheshin “Nënë Tereza” ishin të ndarë sa u përket përfitimeve të anëtarësimit të aleancën e Atlantikut të Veriut. Një grup studentësh pranë Universitetit të Tiranës thonë se vendi ynë nuk ka korrur asnjë përfitimin nga integrimi në NATO, madje sipas njërit prej tyre Shqipëria vazhdon të ketë ushtrinë më të dobët në rajon. Por për 54-vjeçarin Ylli Saraçi, vendi ynë është tanimë shumë më i sigurt dhe i konsoliduar sesa 10 vite më parë.
“Para dhjetë vitesh Shqipëria ishte një vend shumë më i brishtë dhe pasigurt prandaj them se kemi përfituar shumë”, thotë ai. “Po të mos ishte NATO-ja dhe BE-ja këta tanët do kishin bërë ç’të donin me këtë vend”, shprehet 54-vjeçari.

Ndërkohë për presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama, ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka, por edhe ministret italiane dhe maqedonase të Mbrojtjes, Elizabeta Trenta dhe Radmila Sekerinska, anëtarësimi në NATO është padyshim arritja më e madhe historike e Shqipërisë.
Ata vëzhguan nga afër parakalimin e trupave me flamujt e vendeve anëtarë dhe fluturimin e katër avionëve luftarakë të NATO-s të cilët u pritën me duartrokitje nga qytetarët që ishin mbledhur për të parë nga afër ceremoninë. Kjo ishte hera e dytë në pak muaj që avionët e aleancës ushtonim mbi kryeqytet, pasi më 24 janar qielli i Tiranës u “pushtua” nga avionët e NATO-s pas zyrtarizimit të aktivizimit të Bazës së Kuçovës.

Megjithatë për Ministrinë shqiptare të Mbrojtjes baza në Kuçovë dhe angazhimi i deritanishëm i aleancës nuk është i mjaftueshëm për të mbajtur larg ndikimin rus. Në një konferencë me ministret italiane dhe maqedonase të mbrojtjes, Olta Xhaçka deklaroi se tani më shumë se kurrë NATO duhet të angazhohet në Shqipëri dhe rajon për të mos lejuar influencën malinje ruse të pengojë integrimin euroatlantik të Ballkanit. Ajo i ka dërguar edhe një mesazh Bashkimit Europian, duke deklaruar se Rusia po përpiqet të pengoje integrimin euroatlantik të rajonit dhe se kundërpërgjigja më e mirë për këtë strategji do të ishte anëtarësimi i të gjitha vendeve në strukturat euroatlantike.

“Pavarësisht vendosmërisë së Shqipërisë apo vendeve të tjera të rajonit, ky është një shqetësim që nuk mund ta adresojmë të vetëm. Prandaj unë besoj se aleanca duhet të intensifikojë përpjekjet e saj për të stabilizuar rajonin, për t’i prerë rrugën tentativave të tilla nga ana e Rusisë”, deklaroi ajo. “Unë besoj se ka ardhur koha që aleanca të formulojë një strategji të qartë për të gjithë rajonin tonë dhe në këtë pikë dua të shtoj se garantimi i sigurisë së Ballkanit Perëndimorë dhe konsolidimi i demokracive te brishta të rajonit nuk mund të arrihet kurrsesi nëse Ballkani mbetet si një xhep i izoluar nga Bashkimi Europian. Ky lloj vakumi është në fakt një ftesë për rivalët e BE-së, për rivalët e NATO-s për të shtrirë ndikimin e tyre këtu. 20 vjet më parë do të kishte qenë e paimagjinueshme që një vend si Rusia do të arrinte të destabilizonte rajonin e Ballkanit apo Bashkimin Europian, por rreziku i destabilizimit të rajonit tonë nga aktorët e tretë vjen edhe si pasojë e mendimit të shumë qytetarëve se jetojmë në një xhep të izoluar, ku perspektiva europiane ka filluar të duket si një ëndërr e bukur, por fatkeqësisht shumë e largët. Unë besoj pafundësisht se zgjidhja e çështjes së sigurisë në rajon, është në fakt një urë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit dhe kalon nga integrimi i rajonit në struktura euroatlantike. Nëse integrimi i rajonit është arsyeja pse fuqitë e treta po kërkojnë të shtrinë ndikimin e tyre këtu, a nuk është integrimi çelësi për zgjidhjen e kësaj krize”, pyeti Xhaçka.

Duke theksuar se është dashur shumë e shumë punë në këto 10 vjet për të vazhduar transformimin e Forcave të Armatosura, ministrja Xhaçka shtoi se NATO është një aleancë vlerash dhe vendesh që i bashkon, jo vetëm kërkesa për siguri, por edhe besimi tek vlerat e humanizmit, drejtësisë dhe demokracisë.
Komentet e Xhaçkës vijnë mes raporteve për rritjen e influencës rusë në Shqipëri, por edhe hetimit ndaj kreut të PD-së, Lulzim Basha për “lidhje” me dyshimin për para ruse për lobim. Kjo nuk është hera e parë që Xhaçka kërkon rritjen e prezencës së NATO-s në vendin tonë pasi në një vizitë në Uashington muaj më parë, ministria deklaroi po ashtu se Shqipëria dëshiron të shohë një prani ushtarake të SHBA-së, për të kundërshtuar ndikimin rus.
Xhaçka, e cila u takua me ish-Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes Jim Mattis, tha se Shqipëria donte të distancohej nga përpjekjet “destabilizuese” ruse, të cilat sipas saj përfshijnë propagandë, investime dhe “strategji hibride. Shqipëria mund të jetë një bastion i Shteteve të Bashkuara në rajon”, deklaroi ajo në Uashington.

NATO dhe Uashingtoni duket se vendosën t’i përgjigjeshin kërkesave për “ndihmë” nga qeveria shqiptare duke zyrtarizuar ndërtimin e bazës së Kuçovës, si një garanci stabiliteti për Shqipërinë dhe rajonin. Për një sërë ekspertësh, në krahasim me dhjetë vite më parë NATO ka një vëmendje të shtuar për Shqipërinë, edhe pse nuk besohet që kërcënimi nga përhapja e ndikimit rus të jetë alarmante.
Por ndërkohë që Tirana përgatitej për ceremoninë e dhjetë vjetorit në NATO, Ambasadori rus, Aleksandër Karpushin i parapriu të gjitha deklaratave të Xhaçkës për ndikimin rus, duke thënë se Moska ka qenë e pranishme në Ballkan prej shekujsh dhe qytetarët e rajonit nuk e shohin si vend armik.
“Kur dëgjojmë nga zyrtarët shqiptarë për ndikimin gjoja “toksik” të Rusisë në rajon, mua më duket se ata kanë harruar ose e kanë detyruar veten të harrojnë atë që ka ndodhur këtu pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore”, u shpreh Karpushin në një intervistë për A2CNN. “Rusia, e shkatërruar dhe e stërmunduar nga lufta, pasi kishte humbur 27 milionë jetë njerëzish, iu përgjigj thirrjes së popullit shqiptar për ndihmë dhe në fakt e shpëtoi Shqipërinë nga katastrofa humanitare, duke dhënë një kontribut kolosal në zhvillimin e ekonomisë, shkencës, kulturës, ushtrisë, si edhe në shkollimin e përfaqësuesve më të mirë të elitës, me të cilët shqiptarët edhe sot krenohen me të drejtë. Meqë ra fjala, sot frytet e ndihmës sonë i gëzon jo vetëm Shqipëria, por edhe NATO-ja, e kam fjalën për infrastrukturën ushtarake të krijuar në vendin tuaj”, deklaroi ai.

Megjithatë, për eskpertët rusë ndërtimi i bazës në Kuçovë do të thotë se Shqipëria është përfshirë pa dashje në fushëbetejën mes Perëndimit dhe Rusisë. Së fundmi kanali më i madh informativ i Kremlinit, agjencia e lajmeve “Sputnik” ka intervistuar një studiues rus dhe një politikan serb, për të kuptuar, sipas gazetarëve rusë, arsyen e vërtetë pse NATO vendosi të ndërtojë një bazë në Shqipëri. Sergej Ermakov, studiuesi kryesor i Institutit Rus për Studime Strategjike shprehet se investimi i 50 milionë euro i NATO-s është një lëvizje strategjike, pasi Ballkani shihet si një rajon kyç për aleancën ushtarake për shkak të pozicionit të favorshëm gjeografik.
“Gjatë samitit të fundit të NATO-s shtetet anëtare ranë dakord të rritin praninë ushtarake në kufijtë jugorë. Ballkani është shumë i rëndësishëm për përmbushjen e kësaj marrëveshjeje, pasi siguron qasje të drejtpërdrejtë në të gjitha vendet e rajoneve të Mesdheut dhe Detit të Zi. Në “duart e gabuara”, Ballkani, mund të përbëjë një kërcënim për aleancën”, shprehet Ermakov. Sipas artikullit të publikuar nga agjencia ruse, Ermakov deklaron ndër të tjera se ndërtimi i bazës në vendin tonë mund të ketë ardhur si pasojë e presionit të ushtruar nga qeveria shqiptare, për të zhvilluar infrastrukturën e mbrojtjes në përputhje me standardet dhe modelin e sigurisë të NATO-s.

Bashkëpunimi Shqipëri-NATO
Shqipëria luajti një rol të rëndësishëm në mbështetjen e përpjekjeve të Aleatëve në vitin 1999 për t’i dhënë fund katastrofës humanitare në Kosovë dhe për të siguruar paqen pas sulmebe ajrore. Shqipëria i lejoi Aleatët të ngrinin një qendër logjistike në Tiranë për të ndihmuar në mbështetjen e operacioneve paqeruajtëse në Kosovë. Në vitin 2002, NATO krijoi selinë e parë ushtarake rajonale në Tiranë, e cila drejtohej në atë kohë nga KFOR. Shqipëria gjithashtu u ofroi mbështetje aleatëve europianë për operacionet e në Maqedoninë e Veriut nga viti 2001 deri në vitin 2003.
Pas anëtarësimit në NATO, forcat shqiptare janë bashkuar me forcat aleate që veprojnë në Afganistan dhe kontribuon po ashtu në luftën kundër terrorizmit. Shqipëria që nga ajo kohë ka kontribuar dukshëm në sigurinë dhe stabilitetin e rajon dhe kontribuar gjithashtu në misionet ndërkombëtare të udhëhequra nga NATO. Ajo ka qene pjesë e misoneve në Irak, Bosnjë Heregovinë, si edhe së fundmi anijet shqiptare janë angazhuar në misionet e shpëtimit të emigrantëve në Mesdhe, operacione këto në kuadër të Aleancës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.