Nga Gazeta 'Si'- Një çamçakëz ‘misterioz’ që u shkakton përgjumje nxënësve ngriti alarmin në shkolla ditën e sotme.
Raportohet se ishte mësuesja e një shkolle 9-vjeçare në Tiranë ajo e cila fillimisht ka lajmëruar prindërit e nxënësve të një klase, pas identifikimit të substancës që ka formën e një çamçakëzi dhe që përdorej nga disa fëmijë.
Mësuesja ka konstatuar se nga përdorimi i këtij “çamçakëzi” fëmijët pësojnë një gjendje përgjumjeje.
Nuk dihet ende nëse kjo është një substancë narkotike por mësuesja shkruan në mesazhin e saj se ajo u jep gjendje gjumi ndërkohë që fëmijët janë me sy hapur.
Pas alarmit të ngritur, policia ka nisur kontrollet për verifikimin e rastit.
Në një reagim zyrtar ajo njoftoi se ka kontaktuar me drejtuesit dhe stafet pedagogjike të gjitha shkollave të Tiranës.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë i bëri thirrje të gjithë qytetarëve të njoftojnë menjëherë Policinë në rast konstatimi të këtyre substancave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.