Para

Një Call Center do të bëhet bankë në Shqipëri

Rreziku i madh që BSH nuk mund ta anashkalojë kur të licencojë JET Bank

Nga Gazeta ‘SI’ – Në fund të vitit 2025, në Bankën e Shqipërisë mbërriti një aplikim i pazakontë dhe bordi duhet të mendohet mirë. Shoqëria JET Bank ka kërkuar që të licencohet si banka e parë digjitale në Shqipëri por në hapësirën publike ka shumë pak informacion mbi aktivitetin, strukturën apo historikun e saj.

Teksa procesi i miratimit final është ende në zhvillim, në media nisën të publikohen informacione që ngritën pikëpyetje mbi profilin dhe aktivitetin e aksionerëve të bankës së re digjitale, të cilët mesa duket nuk u gjendën rastësisht në Shqipëri.

Jet Bank apo Banka Jet është tashmë pronë e Jet Holdings BV, me seli në Amsterdam dhe ka gjashtë shoqëri aksionare (pas shitjes së aksioneve nga pronari fillestar Idan Avishai), raportuar nga revista “Monitor”. Pesë nga këto janë me seli në Izrael, përveç Constador LTD, e cila është e regjistruar në Qipro dhe mban pjesën më të madhe të aksioneve, 71.5%.

Louis Grant Silver, drejtor i Constador LTD, aksioneri kryesor i bankës së parë digjitale në Shqipëri, rezulton se ka një karrierë të suksesshme në investimet në valutë të huaj, njohur si Forex. Ai shërben ende si drejtues aktiv në Fortrade Limited, që operon në këtë aktivitet.

Ortaku i tij, Oliver Hemmer, rezulton dhe drejtues i Fortrade Cyprus, filiali qipriot i Fortrade.

Idan Avishai, ish-pronari i Jet Bank (në regjistrin tregtar ai rezulton ende pronar përfitues), del po ashtu i lidhur me Fortrade dhe me eksperiencë të gjatë në këtë aktivitet.

Një platformë mashtrimi

Lidhja jorastësore me Shqipërinë është se Fortrade, është njëra nga kompanitë që ka operuar ilegalisht në Shqipëri, në fushën e Forex apo siç njihet gjerësisht, skema mashtrimi nëpërmjet Call Center. Pak vite më parë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në Shqipëri, u detyrua të bënte një njoftim zyrtar, duke theksuar se ka aktivitet të palicencuar. Atëkohë, AMF njoftonte qytetarët të ishin të kujdesshëm për një skemë të mundshme mashtrimi, pasi çdo transaksion me këtë shoqëri ishte i paligjshëm!

Përdorues të platformës raportojnë humbje të konsiderueshme: një investitore ka pretenduar se Fortrade i bllokoi 20.000 dollarë fitim, duke i lejuar të tërhiqte vetëm një pjesë të vogël nëpërmjet kanaleve jobankare, ndërsa pjesa tjetër nuk iu kthye kurrë. Të tjerë raportuan humbje prej 13.000 dollarësh ose 2.000 euro, duke ndjekur udhëzimet e kompanisë për investime të supozuara fitimprurëse. Një përdorues tjetër tha se nuk mund të aksesonte llogarinë e tij, por pagonte vazhdimisht tarifat e platformës pa përfituar shërbim.

Roli i Oliver Hemmer shtrihet edhe në një tjetër skandal të madh në tregun Forex, platformën 4XFX, e cila operonte me baza në Europën Lindore dhe Afrikën Lindore. Hetimet treguan se fondet e investitorëve përfundonin në një bankë në Rumani nën kontrollin e Hemmerit, duke e bërë këtë një nga skemat mashtruese më të mëdha që ka prekur Europën, Kanadanë dhe Australinë.

Nga tregu spekulativ te sistemi bankar

Ndërsa është e qartë se pronarët e bankës JET janë ekspertë të investimeve në bursë, nuk është e qartë eksperienca e tyre në sektorin bankar.

JET ka marrë miratimin paraprak dhe pret të licencohet përfundimisht, por vetëm pasi të përmbushë kushtet, njësoj si bankat tradicionale. Dy nga këto kushte janë kredibiliteti dhe reputacioni; të panjohura për JET përshkak të mungesës së aktivitetit dhe krijimit vetëm pak muaj para se të aplikonte në Shqipëri për një licencë.

Pamje nga mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ku u dha miratimi paraprak për JET Bank, 3 dhjetor 2025

Pronarët e JET, jo domosdoshmërisht kanë shkelur ligjin duke punuar në FOREX, por ky aktivitet është nga natyra spekulativ dhe i rrezikshëm, që i hap rrugën dhe skemave abuzive e mashtruese për fitime të qëndrueshme. Thënë kjo, ka një shqetësim real që të njëjtët njerëz që kanë spekuluar (dhe mashtruar) të marrin në dorë kredi e depozita të qytetarëve, qoftë për çështje profesionalizmi apo çështje imazhi.

Nga ana tjetër, një bankë digjitale vjen me një risk të madh operacional. Varësia totale ndaj teknologjisë e ekspozon këtë bankë ndaj sulmeve kibernetike. Pastrimi i parave po ashtu duket një rrezik i mundshëm, duke qenë se kontakti dhe verifikimi fizik mungojnë, apo brishtësia e sistemeve digjitale që mund ta lehtësojë kalimin e parave të pista në sistem. Për këtë arsye, procesi i licencimit nuk është thjesht një procedurë teknike, por një vendim që prek drejtpërdrejt besimin në sistemin bankar dhe sigurinë e kursimeve të qytetarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë