Besimet fetare dhe politika u bënë bashkë përpara bustit të Papa Gjon Palit të II, njëzetepesë vjet pas vizitës së tij në tokën shqiptare, të cilën e puthi me të mbërritur në aeroportin e Rinasit, tanimë i pagëzuar me emrin e shenjtores shqiptare “Nënë Tereza” , e cila e shoqëronte asokohe Papën e parë, i cili nuk mbante kombësi italiane. Kanë kaluar dyzet vjet nga zgjedhja e tij si Papë, ndërsa edhe ai aktual, Papa Françesku, ndoqi shembullin e Vojtilës, duke e vizituar vite më vonë vendin e shqiponjave.

Më 12 nëntor të 2018-ës, Shqipëria vendosi të nderojë figurën e Papa Gjon Palit të II me një bust, të vendosur në sheshin pas Pallati të Kongreseve.

Në ceremoninë përuruese morën pjesë kryetari të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Arqipeshkvi i Dioqezës së Tiranës dhe Durrësit, Imzot George Frendo, ambasadorit të Polonisë në vendin tonë, Karol Bachura e shumë besimtarë dhe qytetarë të Tiranës. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se busti i Papa Vojtilës ia shton edhe më shumë vlerat Tiranës, si simboli i një njeriu që la gjurmë në jetën e Kishës Katolike, larg intolerancës dhe nacionalizmave, por edhe që luajti një rol vendimtar në hapjen dhe ngritjen e kishave në gjithë vendet ish-komuniste, si Shqipëria.

Veliaj gjithashtu zbuloi se në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera do të organizohet një konkurs për të përzgjedhur veprën më të mirë që do të përkujtojë në Tiranë viktimat e komunizmit. Ambasadori i Polonisë në vendin tonë, Karol Bachura, tha se kjo ngjarje përkon edhe me vitin e Skënderbeut, për të cilin Papa Gjon Pali i II dhe kardinalët e tij flisnin shumë. Busti i Papa Gjon Palit të II-të u bë i mundur falë bashkëpunimit të Bashkisë së Tiranës, Kishës Katolike dhe ambasadës polake në vendin tonë edhe me rastin 100 vjetorit të pavarësisë së Polonisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.






