Në vitet 1960, Enver Hoxha, udhëheqësi komunist i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, nisi një nga projektet më të çuditshme ushtarako-industriale të kohës së Luftës së Ftohtë. Gjithnjë e më shumë paranojak për një sulm të afërt nga BRSS ose Jugosllavia, Hoxha urdhëroi që të ndërtohej një bunker për çdo qytetar shqiptar.
Gjatë 20 viteve të ardhshme, me ndihmën e inxhinierit ushtarak Josif Zagali, u ndërtuan më shumë se 700,000 bunkerë në të gjithë vendin. Megjithatë, këto strehimore prej betoni nuk u përdorën kurrë për luftë siç ishte menduar fillimisht. Të gjetura nëpër plazhe, male, qendra të qyteteve dhe oborret e njerëzve, sot ato qëndrojnë si relike të një pushtimi që nuk ka ndodhur kurrë.
Fotografi italian, Filippo Bardazzi, udhëtoi në të gjithë Shqipërinë në dy udhëtime për zbulimin e bunkerëve në vitin 2018.
Ndërsa disa prej strukturave janë shndërruar në muze dhe bujtina, të tjera kanë mbetur të pashfrytëzuara.
“Nuk munda të vizitoja tunelin e Porto Palermos, një bunker nëndetësesh në Shqipërinë jugperëndimore, pasi është ende një zonë ushtarake e kufizuar. Por unë vizitova një tunel nëntokësor [bunker] në Gjirokastër”, thotë ai.
“Është larg nga një atraksion turistik – në fakt, shumica e mobilieve origjinale janë ende brenda, të mykura dhe të kalbura. Muret janë të mbuluara me shkrime dhe mbishkrime nga regjimi. Vizita në Gjirokastër ishte magjepsëse dhe rrëqethëse në të njëjtën kohë, pjesërisht sepse nuk është një ekspozitë – ju e dini që është autentike”.
Nga të gjithë bunkerët e fotografuar nga Bardazzi, më i largëti ishte në Bilisht në Shqipërinë juglindore, afër kufirit me Greqinë — i paharrueshëm për rojet e tij të sigurisë, të përbërë nga një tufë qensh. “Menjëherë pasi u bë fotografia, unë dhe ndihmësi im u ndoqëm nga një grup qensh endacakë”, kujton ai.
“Vrapuam sa më shpejt që mundëm. Ata nuk ndaluan të na ndiqnin edhe kur hipëm në makinë: përkundrazi vazhduan të lehin dhe të vrapojnë pas nesh për qindra metra”.
Në Shqipërinë rurale, bunkerët përdoren nga fermerët për të ruajtur ushqime ose makineri. “Në Tiranë, si dhe në qytete të tjera, ato janë shndërruar në muze që tregojnë mizoritë e regjimit të Enver Hoxhës dhe paranojën abstruktive të inteligjencës shqiptare”.
Pavarësisht se janë simbole të izolimit të Shqipërisë socialiste, Bardazzi thotë se këto struktura janë aq të rrënjosura në peizazhin shqiptar sa nuk mund të fshihen thjesht: “E vërteta është, heqja ose shkatërrimi i të gjithë bunkerëve në vend do të ishte një sipërmarrje e pamundur – ka shumë për t’u marrë parasysh”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.