Analize

Një bosht i ri ruso-italian në Europë?

Fitorja e Matteo Salvinit dhe partisë së tij në Itali nuk ishte një triumf i madh vetëm për Presidentin amerikan, Donald Trump, por edhe për homologun e tij rus nga ana tjetër e globit.

“Nëse pyet një për një të gjithë italianët se cili është udhëheqësi më i njohur në vend, të gjithë do të përgjigje pa u menduar dy herë: Vladimir Putin” , shprehet Maurizio Molinari, kryeredaktori i gazetës së njohur italiane “La Stampa”. Simpatia për “carin” e Kremlinit është rritur edhe më shumë me ardhjen e populistëve në pushtet. Si Pesë Yjet ashtu dhe Lega Nord kanë justifikuar inkursionin e Rusisë në Ukrainë duke fajësuar Bashkimin Europian, madje edhe Shtetet e Bashkuara. Ata kanë kërkuar që Perëndimi t'i japë fund sanksioneve kundër Rusisë dhe kanë shprehur skepticizëm ndaj qasjes së NATO-s ndaj Rusisë. Gazeta britanike “Times” shkruante vitin e kaluar se dy partitë populiste e kanë përshkruar shpesh Rusinë si një partner strategjik që ishte dënuar padrejtësisht dhe Bashkimi Europian.  Por sipas tyre, në emër të marrëdhënieve 70-vjeçare mes dy vendeve, është detyra e Italisë ta “mbrojë” Rusinë nga abuzimet ndërkombëtare. Dhe me sa duket, e gjitha kjo është muzikë për “veshët e Moskës

Matteo Salvini, udhëheqësi i Lega Nord ka bërë thirrje gjithashtu për t'i dhënë fund sanksioneve dhe për të përmirësuar marrëdhëniet me Putinin. Ai ka vizituar në mënyrë të vazhdueshme Moskën, ka publikuar një sërë fotografish me Presidentin rus dhe nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi mes partinë e tij dhe partisë së Putinit.

Në korrik të këtij viti, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm italian u takua në Moskë me homologun e tij rus, Vladimir Kolokoltsev dhe dy anëtarë të Këshillit të Sigurimit. Në këto takime, zyrtarët diskutuan për forcimin e bashkëpunimit dypalëshe në luftën kundër terrorizmit, sigurisë kibernetike, luftës kundër trafikut të drogës dhe ndaljem e rrjedhës së refugjatëve nga Siria dhe Iraku. Salvini ishte i shoqëruar nga Gianluca Savoini, presidenti i shoqatës kulturore “Lombardia-Rusia”. Nuk ishin të pakët analistët italian që kritikuan prezencën e saj në Moskë, duke pyetur se çfarë bënte një person pa rol zyrtar në takime politike ku ishin diskutuar tema të ndjeshme. Gjatë dy viteve të fundit, Savoini ka lobuar për marrëdhënie më të ngushta mes Lega Nord dhe Rusisë. Ai është gjithashtu një nga ideologët kryesorë të partisë së Salvinit.  Në faqen e saj të internetit, shoqata e Savoinit e përshkruan veten si një "shoqatë kulturore jopartiake me ide që përputhen me vizionin e Presidenti rus për botën, i cili mund të përmblidhet në tre fjalë: identiteti , sovraniteti dhe tradita.

Matteo Salvini dhe Presidenti Vladimir Putin

Sanksionet europiane kundër Rusisë ishin një nga temat thelbësore të diskutimit midis autoriteteve italiane dhe atyre ruse. Salvini përsëriti kundërshtimin e tij ndaj sanksioneve, duke thënë madje se Italia mund të përdorë veton për të bllokuar rizbatimin e tyre. Salvini tha se sanksionet kundër Rusisë janë të padobishme dhe të dëmshme, duke pretenduar se Italia dëshiron të veprojë duke u bazuar tek faktet dhe jo tek fjalët. Edhe pse Roma ka mundësinë të përdorë fuqinë e vetos ndaj sanksioneve perëndimore, në veprim i tillë do të izolonte Italinë, e cila, pavarësisht gjithçkaje nuk është aq e fortë sa për të mbijetuar e vetme në Europë.

Përse Salvini mbështet aneksimin e Krimesë?

Një nga aspektet më shqetësuese të afrimitet të Italisë me Rusinë është statusi i Krimesë. Në fillim të qershorit, Salvini tha se qeveria ishte e hapur për të diskutuar çdo çështje në tryezë, përfshirë këtu edhe aneksimin  e Krimesë. I pyetur nga “The Ëashington Post”për statusin e Krimesë, Salvini u përgjigj se: "Ky ishte një referendum dhe 90 për qind e popullatës votoi për bashkimin e rajonit në Federatën Ruse. Revolucioni në Ukrainë ishte i rremë, ishte një pseudo-revolucion i financuar nga fuqitë e huaja. Krimeja ka qenë historikisht pjesë e Rusisë”.

Kjo intervistë shkaktoi një stuhi të vërtetë diplomatike. Ukraina thirri ambasadorin italian në Kiev, Davide La Cecilia, në shenjë proteste. Ambasadori La Cecilia duhej të përsëriste qëndrimin zyrtar të Italisë për mbështetjen e qartë dhe konsekuente të sovranitetit dhe integritetin territorial të Ukrainës. Në të kaluarën, Lega Nord dhe vetë Salvini, kanë mbështetur hapur aneksimin e Krimesë nga Rusia. Në vitin 2016, këshillet rajonale të Venetos dhe Lombardisë, të dominuara nga Lega Nord, votuan në favor të një rezolute që i bënte thirrje qeverisë italiane të njihte referendumin në Krime dhe të punonte për të hequr sanksionet kundër Rusisë. Në vitin 2015, Salvini gjithashtu tha hapur se Krimeja duhet të njihet nga të gjitha organizatat ndërkombëtare si pjesë e Rusisë.

Matteo Salvini 

Deklaratat e Salvinit nuk nënkuptojnë një ndryshim drastik në politikën e jashtme italiane ndaj Rusisë, pasi mundësinë që Roma ta njohë Republikën e Krimesë si pjesë të Federatës Ruse dhe të përdorë fuqinë e vetos ndaj sanksioneve, janë të pakta. Është e qartë se Salvini ka një simpati të madhe për Presidentin Vladimir Putin dhe politikanët e tjerë në Rusi. Por ai është shumë kontradiktor për shumë çështje, jo vetëm mbi Rusinë, duke “fshikulluar” vazhdimisht Perëndimin në mediat sociale. Edhe pse të gjithë prisnin që të ishte i zënë me drejtimin e Ministrisë së Brendshme, Salvini  u vërtetoi të gjithëve se mund t’i bëjë të dyja, duke diktuar agjendën e qeverisë për një sërë çështjesh të rëndësishme, duke edhe përfshirë politikën e jashtme.

Në këtë rast, ai dëshiron të perceptohet si politikani më i afërt europian me Vladimir Putinit. Ai kundërshton sanksionet ndaj Rusisë, pasi eksportuesit nga Italia veriore ndihen të penalizuar nga këto kufizime tregtare. Përveç kësaj, duke qenë mjaft i hapur për çështjet e politikës së jashtme, Salvini e ka të qartë se nëse qeveria ndjek idetë e tij, ai mund të perceptohet nga publiku si dominuesi i vërtetë i qeverisë. Mbështetja e Salvinit për aneksimin e Krimesë të Rusisë duhet të shihet gjithashtu në kontekstin e lidhjeve të ngushta politike që Lega Nord dhe qeveria ruse kanë krijuar gjatë viteve të fundit.

Por kjo mund të mos jetë arsyeja e vetme. Edhe pse Salvini arriti ta kthente Lega Nord në një parti të mirëfilltë kombëtare, zonat kryesore në Veri të Italisë vazhdojnë të kërkojnë autonominë, për të mos thënë pavarësinë e plotë.  Duke qenë se ishte partia e tij ajo që u ushqeu rajoneve veriore këtë ambicie, Salvini është i detyruar të mbështesë të gjitha territoret që pretendojnë vetëvendosje, pavarësi ose autonomi, përfshirë këtu edhe Krimenë. Ndoshta Roma nuk ka gjasa të ndryshojë politikën e saj të jashtme ndaj Rusisë, por Salvini ka ngjarë të vazhdojë të jetë aleati më i madh i Putinin në Europë.

Burimet: "La Stampa", "New York Times", "JamesTown Foundation"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë