Bota

Një autobus turistik me 50 persona përmbyset në Nju Jork, disa të vdekur dhe të plagosur

Gazeta Si – Një autobus turistik që transportonte 50 persona u përfshi në një aksident të rëndë në Nju Jork, rreth 40 kilometra nga Buffalo.

Sipas autoriteteve lokale, “ka disa viktima, përfshirë fëmijë”, por ende nuk është përcaktuar akoma numri i të vdekurve apo të plagosurve.

Aksidenti ndodhi në autostradën ndërshtetërore 90, një rrugë në veri të shtetit që të çon në Niagara Falls, pranë qytetit të Pembroke.

Shoferi thuhet se humbi kontrollin: autobusi rrëshqiti, kaloi rrugën anash dhe u përmbys në një fushë pranë autostradës.

Dhjetëra ambulanca dhe automjete policie nxituan menjëherë në vendin e aksidentit. Autobusi po transportonte turistë nga Niagara Falls në Nju Jork.

Pasagjerë të shumtë mbetën të bllokuar në aksident, ndërsa të tjerë u hodhën nga automjeti. Sipas policisë, shumë prej tyre nuk kishin vendosur rripat e sigurimit. Shumica e viktimave ishin shtetas indianë, kinezë dhe filipinas.

“Aktualisht kemi disa vdekje, disa persona të bllokuar dhe disa të plagosur”, tha zëdhënësi i Policisë së Shtetit të Nju Jorkut, James O’Callahan.

Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, deklaroi në X se ishte informuar për “aksidentin tragjik me autobusin turistik” dhe se zyra e saj po bashkëpunonte me policinë dhe autoritetet lokale.

Nuk ka informacion zyrtar mbi numrin e të plagosurve, megjithëse Qendra Mjekësore e Qarkut Erie, një spital në Buffalo, tha se kishte pranuar të paktën tetë pacientë.

Autoriteti i Autostradave të Shtetit të Nju Jorkut tha se një pjesë e gjatë e rrugës ishte mbyllur në të dyja drejtimet dhe se shoferëve iu këshillua të shmangnin zonën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë