Gazeta Si – Dy muaj pas garës në Yas Marina të Çmimit të madh të Abu Dhabit 2021, që dekretoi Maks Vershtapenin kampion bote, dhe në prag të sezonit të ri 2022, polemikat për drejtorin e garës Michael Masi janë ndezur sërish, ndërkohë që është hapur edhe një hetim nga FIA.
Drejtori australian është në rrezik serioz largimi, pasi këto ditë është publikuar një material audio, ku ai flet në radio me drejtorin sportiv të Red Bull-it, Jonathan Wheatley, në kohën kur në pistë ishte “Safety Car” dhe para xhiros së fundit, që futi Vershtapenin në histori.
Në atë komunikim, Wheatley i thotë qartë Masit të lejojë kalimin e 5 makinave e parakaluara për herë të dytë që ndodheshin midis Hemiltonit (i pari në atë kohë) dhe Vershtapenit, që të zhvillohej xhiroja e fundit e garës. “Natyrisht, ato makina të parakaluara nuk është e nevojshme të lejohen të kalojnë për të shkuar në pjesën e pasme të grupit, – thotë drejtuesi i Red Bull-it, – por duhet t’i lejosh të kalojnë, kemi një garë në duar”.

Masi është përgjigjur: “E kuptova, gjithçka e qartë”. Më pas largohen makinat përballë Vershtapenit për nisjen e garës, me holandezin që falë gomave të vëna pas incidentit të Latifit, 5 xhiro para fundit, arriti ta parakalonte Hemiltonin dhe të shpallej kampion bote.
Mesazhi i Wheatley ishte pas atij të Horner, që në kohën e “Safety Car” i kishte thënë Masit: “Pse nuk i heqim këto makina të parakaluara. Ka mbetur vetëm një xhiro”. Pas rinisjes së garës, mesazhi i Toto Volf, drejtuesit të Mercedesit, ishte: “Jo, Mickey, nuk është e drejtë kjo!”, kurse drejtori i garës iu përgjigj: “Quhen gara Toto, e kupton?”
Një shkëmbim mesazhesh mes Wheatley dhe Masit, që nuk kanë kaluar pa u vënë re nga Formula 1. Më 9 shkurt një zëdhënës i saj ka thëë për “Bbc”: “Jemi në dijeni për këtë fakt dhe është pjesë e hetimit”. Përgjegjësi i komisionit për FIA-n, Peter Bayer, në krye të hetimit, ka lënë të kuptohet se Masi nuk do të jetë në të njëjtin rol Botërorin e ardhshëm, që nis më 20 mars në Bahrein.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




