Futboll

Një adoleshent çmend Realin, klubi francez kërkon 100 mln euro

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, kërkon të forcojë mesfushën me çdo kusht. Fiksimi i tij është i ditur, Pol Pogba, por kjo pistë nuk është e sigurt dhe ai e ka zbuluar tashmë sozinë e lojtarit të Mançester Junajtid te një tjetër francez. Edoardo Kamavinga, 17-vjeçari i Renes, e ka magjepsur trajnerin e madrilenëve dhe menjëherë ai ka nisur ofensivën për ta bërë të vetin mesfushorin e qendrës.

Edhe pse në moshë shumë të re, Kamavinga, i cili është me origjinë nga Angola, ka luajtur 16 ndeshje në Ligën 1, ku ka shënuar edhe një gol. Adoleshenti i Renes e ka bërë për vete trajnerin Zidane me personalitetin që shfaq në fushë, si të ishte një veteran. Ai është mjaft elegant dhe luan me këmbën e majtë. Drejtuesit e Realit kanë nisur kontaktet me klubin francez, por nuk do të jetë e lehtë, sepse për këtë lojtar ka edhe kërkesa të tjera, veçanërisht nga Anglia, kështu që vlera e tij është rritur shpejt.

Edoardo Kamavinga, 17-vjeçari i Renes. Gazeta Si, 17 dhjetor 2019

Drejtuesit e Renes kërkojnë 100 milionë euro nga Reali, një shifër relativisht e lartë për një 17-vjeçar. Sigurisht që gjatë tratativave mund të arrihet një akord për një shifër më të ulët, pasi madrilenët nuk mund të shpenzojnë 100 milionë euro pa pasur garanci. E sigurt është që Kamavinga është një nga emrat më të nxehtë të merkatos që po afron, me Real Madridin në “pole position”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë