Objektivi i qeverisë për shkrirjen e Agjencive dhe Inspektoriateve, i shpallur menjëherë nga kryeministri Edi Rama pas marrjes së mandatit të dytë qeverisë pritet të konkretizohet pas dy vitesh. Një projektligj i ri “Për inspektimin, në Republikën e Shqipërisë” është hedhur në një konsultim publik dhe në të parashikohet shkrirja e Inspektoriateve Shtetërore, duke i përqendruar në një disa prej tyre. Madje kryeministri nuk ngurroi t’i cilësonte këto agjenci si vatra korrupsioni, duke fajësuar edhe aleatin e tij qeverisës, LSI-në për punësimet e realizuara.
“Ndërhyrja e Qeverisë është e nevojshme sepse pa këtë ndërhyrje, situata e inspektimeve në vend do të vazhdojë të jetë e përfshirë në kushte jo të përshtatshme infrastrukture në Inspektorate, me inspektorë të pakualifikuar, me emërime nepotike, jo profesioniste, pa meritokraci dhe sistem karriere si dhe nën interferencat e ministrive përgjegjëse”, thuhet në relacionin e qeverisë.

Më tej theksohet se kjo nismë do të ketë ndikim ekonomik pozitiv për bizneset, përfshi krijimin e një klime të favorshme për zhvillimin e konkurrencës së ndershme, garantimin e rregullave të njëjta në treg, rritjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin e ekonomisë në tërësi. Do të ketë gjithashtu edhe disa lloje ndikimesh pozitive jo të drejtpërdrejta ekonomike të mundshme, duke përfshirë formalizimin e ekonomisë me synim uljen e barrës administrative dhe uljen e korrupsionit.
Nga 30 inspektoriate dhe agjenci të ndryshme do të krijohen gjashtë të tilla, duke i ndarë sipas fushave të ndryshme që do të mbulojnë. Formula është që të ketë një Inspektoriat Qendror në krye dhe të tjerat të jenë në varësi.
Objektivi i këtij projekti është riorganizimi i trupave inspektuese shtetërore sipas fushave të inspektimit me funksione të ngjashme inspektuese, për të shmangur mbivendosjet e kompetencave ligjore, si dhe për një menaxhim dhe koordinim më të mirë të ISH-ve.
Kështu parashikohet krijimi i Inspektoratin Shtetëror të Shëndetësisë dhe Ushqimit, duke krijuar një mega inspektorat, i cili duhet të jetë përgjegjës për kontrollin e sigurimit të shërbimeve të kujdesit shëndetësor dhe zinxhirit ushqimor, duke siguruar mbrojtjen e interesit publik. Pjesë e kësaj do të jenë këto institucione: Autoriteti Kombëtar i Ushqimit; Inspektorati Shtetëror Shëndetësor; Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore; Drejtoria e Shërbimit të Peshkimit dhe Akuakulturës; Drejtoria e Shërbimit Veterinar; Zyra për Mbrojtjen nga Rrezatimet
Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Inspektorati i Mbrojtjes së Tokës.

Si pjesë e reformës është edhe krijimi i Inspektorati Shtetëror të Mjedisit dhe Territorit, bashkohen nën këtë inspektorat institucionet me struktura inspektuese si: Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit; Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit;
Agjencia Kombëtar e Zonave të Mbrojtura; dhe Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore. Këto institucione, sipas relacionit të draftit do të jenë përgjegjëse për kontrollin e zbatimit të legjislacionit në fushën e mbrojtjes së mjedisit, përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, mbrojtjen e natyrës, biodiversitetit, pyjeve e kullotave, monitorimin e cilësisë së ujërave, mbrojtjen e zonës bregdetare dhe veprimtarive turistike, si dhe turizmin, duke siguruar një mbrojtje sa më efikase të mjedisit që na rrethon.
Kontrolli i naftës dhe burimeve natyrore
Inspektorati Shtetëror i Teknikës dhe Teknologjisë do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen e tregut të produkteve jo ushqimore dhe shërbimeve të destinuara për konsumatorët. Pjesë në këtë inspektorat mendohet të jenë: Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial; Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencën në Miniera; Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (MM); Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore. Cilësia e përpunimit dhe shitjes të naftës, inspektimi i sigurisë në punë, të emergjencave dhe shpëtimit në veprimtarinë minerare dhe punimeve nëntokësore të veprave hidroenergjetike janë objekti i punës së kësaj strukture të re që parashikohet të krijohet.
Inspektorati Shtetëror i Transportit dhe Infrastrukturës do të shërbejë si institucion që mbikëqyr dhe kontrollon sektorin e infrastrukturës dhe transportit rrugor, detar, hekurudhor dhe të aviacionit. Katër institucione do të jenë pjesë e tij: Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor; Autoriteti i Aviacionit Civil; Drejtoria e Përgjithshme Detare; Drejtoria e Inspektimit të Hekurudhave; Inspektorati Teknik i Digave dhe Dambave.
Tatimet dhe doganat, hetimet ndaj bizneseve
Inspektoriati i pestë është i Ekonomisë, ku pjesë e këtij inspektorati të jenë: Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut; Drejtoria e Hetimit Tatimor; Drejtoria e Hetimit Doganor. Inspektorati Shtetëror i Ekonomisë, do të garantojë ligjshmërinë për mbikëqyrjen e tregut si dhe të interesave për sa i përket anës financiarë dhe fiskale, duke siguruar tatimpaguesit, administratën tatimore, agjentët tatimorë, agjentët e mbajtjes së tatimit në burim, si dhe për persona të tjerë, të përcaktuar nga legjislacioni tatimor duke pasur veprimtari inspektuese dhe vënë masë administrative, dhe për rrjedhojë duhet të grupohen në këtë inspektorat të vetëm. Në ligje të veçanta përmenden dhe detyrimet për t’i dhënë njëri-tjetrit informacion. Duke qenë se janë institucione të veçanta, shkëmbimi informacionit mund të bëhet me vonesë dhe mund të mos performojnë si duhet.
Inspektorati Shtetëror i Çështjeve Sociale është struktura e re do të krijohet dhe në të përfshihen Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore; Instituti i Sigurimeve Shoqërore; Instituti i Sigurimeve Shëndetësore; Inspektorati Shtetëror i Arsimit; dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave.
Ky Inspektorat të mbikëqyrë legjislacionin e punës dhe sigurimeve shoqërore, si dy detyrime me natyrë fiskale dhe që kanë të bëjnë me pagesa të lidhura me punën dhe si të tilla duhet të evidentohen nga ky Inspektorat. Aktualisht, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, kontrollon zbatimin e legjislacionit të punës nga të gjithë punëdhënës e punëmarrës. Sugjerimi jonë është që t’i bashkohen edhe disa institucione të tjera që kanë në fokus zbatueshmërinë e legjislacionit të punës, sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Struktura, në varësi të kryeministrit
Inspektori i Përgjithshëm do të jetë në varësi të Kryeministrit. Sipas draftit parashikohet që Këshilli i Ministrave me propozim të Inspektoratit të Përgjithshëm Shtetëror miraton rregullat e organizimit e të funksionimit të inspektorateve shtetërore, funksionet e inspektimit në kompetencë të tyre, si dhe numrin dhe juridiksionin territorial të drejtorive të tyre, nëse ka të tilla. Struktura dhe organika e inspektorateve shtetërore miratohet nga Kryeministri, me propozim të Inspektoratit të Përgjithshëm Shtetëror. Kështu parashikohet dhe rishikimi i organikës së institucioneve të reja që krijohen nga riorganizimi apo shkrirja e tyre. Kjo do të shkaktojë edhe uljen e numrit të punonjësve.
Inspektorati Shtetëror i Shëndetësisë dhe Ushqimit do të përfshijë:
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit
Inspektorati Shtetëror Shëndetësor
Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore
Drejtoria e Shërbimit të Peshkimit dhe Akuakulturës
Drejtoria e Shërbimit Veterinar
Zyra për Mbrojtjen nga Rrezatimet
Fondi i sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor
Inspektorati i Mbrojtjes së Tokës
Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Territorit do të përfshijë:
Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit;
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit;
Agjencia Kombëtar e Zonave të Mbrojtura;
Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore
Inspektoratin Shtetëror të Teknikës dhe Teknologjisë krijohet nga shkrirja e 3 institucioneve
Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial;
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencën në Miniera;
Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (MM);
Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore.
Inspektorati Shtetëror i Transportit dhe Infrastrukturës
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor
Autoriteti i Aviacionit Civil
Drejtoria e Përgjithshme Detare
Drejtoria e Inspektimit të Hekurudhave
Inspektorati Teknik i Digave dhe Dambave
Inspektorati Shtetëror i Ekonomisë do të përfshijë:
Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut
Drejtoria e Hetimit Tatimor
Drejtoria e Hetimit Doganor
Inspektorati Shtetëror i Çështjeve Sociale do të përfshijë:
Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore
Instituti i Sigurimeve Shoqërore
Instituti i Sigurimeve Shëndetësore
Inspektorati Shtetëror i Arsimit
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




