Nga Gazeta ‘SI’ – Nisma e kryeministrit Edi Rama për të “pastruar mjedisin” nga shtesat e bizneseve akomoduese apo bar-restorantet ka nxitur një debat virtual midis tij dhe prokurorisë së Shkodrës.
Rama publikoi disa pamje nga një operacion i IKMT-së në Theth, ku po shembeshin ndërtime të ngritura pa leje në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar.
Rama e cilësoi ndërtuesin si “kriminel” dhe akuzoi publikisht prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli, për mosveprim dhe për hedhjen “në kosh” të denoncimit të policisë për ndërtimet e paligjshme në këtë zonë të ndjeshme ekologjike.
“Një kriminel ka hedhur betonin e dynjasë për të ndërtuar ‘fshatin e tij turistik’ pa asnjë leje, një krim i shumëfishtë për të cilin një prokurore e quajtur Elsa Gjeli ka refuzuar të hapë çështjen”, deklaroi Rama. Ai shtoi se operacioni do të vazhdojë dhe se Ministria e Drejtësisë është duke përgatitur një denoncim zyrtar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë ndaj prokurores Gjeli.
Reagimi i “Drejtësisë”
Pas akuzave të forta të kryeministrit, ka reaguar zyrtarisht Prokuroria e Shkodrës, e cila argumenton se vendimi për mosfillimin e hetimeve ndaj ndërtuesit në Theth është marrë në përputhje me ligjin, konkretisht me nenin 290/c të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit një procedim nuk mund të hapet nëse “fakti nuk përbën vepër penale ose nuk ekziston”.
Sipas prokurorisë, strukturat në fjalë ishin kontejnerë të përkohshëm pa themele, të cilat nuk përmbushin kriteret për t’u konsideruar objekte ndërtimi në kuptimin penal të fjalës. Institucioni i akuzës kujton gjithashtu se është një organ kushtetues i pavarur, dhe se çdo ndërhyrje apo presion politik, qoftë edhe në formën e komenteve publike, cenon ndarjen e pushteteve dhe besimin e qytetarëve te drejtësia.

Kundërpërgjigja e qeverisë
Në një reagim të dytë, kryeministri Rama përsëriti akuzat ndaj prokurores Gjeli dhe theksoi se kabinat do të konfiskohen dhe zona do të pastrohet. Ai e konsideroi veprimin e saj si “dëmtim të zemrës së Thethit” dhe shtoi se operacioni nuk do të ndalet.
“Skuadra e Bashkisë Shkodër nuk do të largohet nga Thethi pa e shëruar zemrën e qytezës magjike. Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë po përgatit denoncimin e çështjes ‘Gjeli’ në Këshillin e Lartë të Prokurorisë,” u shpreh Rama në rrjetet sociale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




