Politike

Nisma e deputetit ballist: Të pushkatuarit pa gjyq, dëmshpërblim deri në 25 vite

Bledar Hoti - Deputeti i Ballit Kombëtar Demokrat, Artur Roshi propozon ndryshimin e skemës së dëmshpërblimit të shtresës së ish-të përndjekurve politik, duke kërkuar që në këtë skemë të përfshihen edhe personat që janë pushkatuar pa gjyq dhe të vendoset zëvendësimi i shprehjes "gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991"me "gjatë periudhës 08.11.1941 deri më 1.10.1991”. I pyetur nga Gazeta Si, deputeti Roshi thekson se masa e përfituesve është te 300 persona dhe se efekti financiar nuk është i madh. “Përfitimi i dëmshpërblimeve realizohet në shtrirje në kohë dhe se nuk e rëndon buxhetin. Nuk kam negociuar ende me ministrinë e Financave, pasi kjo është edhe arsyeja sepse dëmshpërblimi i kësaj shtrese bëhet për shkak të zgjatjes në kohë”, shprehet Roshi për Gazeta "Si".

Deputeti i PKD-së, duke folur në Parlament. Gazeta Si, 28 tetor 2019


Një tjetër propozim i deputetit që drejton Partinë e Ballit Kombëtar Demokrat është ai llogaritjes së masës së dëmshpërblimit Familjarët e viktimave,të pushkatuar pa gjyq, të pushkatuar apo ekzekutuar me dënim politik të padrejtë, të përfitojnë dëmshpërblimin financiar në masën e 25 viteve kompensim dënimi me burgim,me dënimin maksimal mbas faljes së jetës. “Është non sens që një që ka humbur jetën dëmshpërblimi llogaritet me tetë vite, kur dënimi pas faljes ka qenë 25 vite burg. Që ligji të ketë një balance logjike të qëndrueshme nuk mund të pranohet ekuivalenca e humbjes së jetës së njeriut me 8 vite burg dëmshpërblim,kur dënimi mbas faljes së jetës ka qene dhe është 25 vjet burg. Kështu që referencë të dëmshpërblimit për humbjen e jetës duhet sjelle të paktën në nivelin e 25 viteve të dënimit me burg”, shprehet Roshi.
Neni 7 i ligjit aktual përcakton se “Familjarët e viktimave, të pushkatuara apo të ekzekutuara me dënim politik të padrejtë, për vuajtjen dhe persekucionin, përtojnë një dëmshpërblim nanciar të barabartë, gjithsej, në masën e 8 viteve kompensim dënimi me burgim. E drejta e familjarëve për të kërkuar dëmshpërblim është e drejtë jopasurore vetjake”. Por kjo sipas Roshit është një përcaktim jo logjik.

Faksimile e projektligjit të depozituar në Parlament. Gazeta Si, 28 tetor 2019


Një tjetër propozim është edhe ai që ish-të pëndjekurve të mos i llogaritet banesa që kanë marrë në përfitim. “Ish-të përndjekurit kanë përfituar banesa si shkolla apo konvikte që i kanë përshtatur si ambiente banesa dhe kanë kryer investime e tyre, duke i përshtatur dhe se nuk mund t’i zbritet si masë e përfitimit në momentin e llogaritjes së dëmshpërblimit. Kështu nuk mund ta llogarisë me çmimin e tregut godinën, pasi ish-të përndjekurit mund të kenë kryer investime përgjatë viteve. Pra nëse ai përfiton 50 mijë euro, nuk mund t’ia zbresësh në në 20 apo 30 mijë euro duke i llogaritur godinën e përfituar”, shprehet Roshi. Për këtë ai propozon ndryshimin e nenit 6 duke propozuar se “Nga shuma që çdo i dënuar politik përfiton nga ky ligj, të mos zbritet masa e dëmshpërblimit që ai ka përfituar me ligjet e mëparshme”.
Sipas ligjit aktual, masa e dëmshpërblimit për të burgosurit, të internuarit ose të dëbuarit politikë do të jetë si mposhtë: çdo i dënuar politik, për çdo ditë vuajtjeje dënimi të kryer, në burg, spital psikiatrik, spital burgu, izolim në hetuesi, nga data 30.11.1944 deri më 1.10.1991, dëmshpërblehet financiarisht, sipas kritereve të këtij ligji, në masën 2 000 lekë në ditë; për personat që kanë vuajtur internim në kamp me rrethim me tela me gjemba deri në vitin 1954, masa e dëmshpërblimit është 1 000 (një mijë) lekë në ditë; për personat e tjerë të internuar ose të dëbuar parashikohet një skemë pensioni, e cila do të rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Dëmshpërblimi i përcaktuar në paragraf më sipër u takon dhe familjarëve të tij, në pjesë të barabarta takuese, kur i dënuari nuk jeton më. E drejta e familjarëve për të kërkuar dëmshpërblim është e drejtë jopasurore vetjake. Deputeti Roshi duke konfirmuar se kjo mund të ketë ndikim 0,1% ndikim të buxhetit ndër vite, pasi masa dëmshpërblimit është e shtrirë në kohë deri në 15 vite, e cilëson miratimin e kësaj nisme edhe si një shërbim për një paqe sociale mes këtyre shtresave dhe që të mos ketë më dallime ideologjike mes të përndjekurve apo dhe partizanëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë