Politike

Nisma e BE kundër shpifjes qortohet nga gazetarët

Keqinformimi, lajmet e rreme dhe përhapja e shpifjeve përmes botës online është një problematikë edhe për Bashkimin Europian. Komisioni po diskuton një nismë të quajtur “Plani i Veprimit kundër keqinformimit”, ku në disa pika haset kundërshtua e organizatave dhe shoqatave të gazetarëve dhe të medias.

Tre organizata të mbrojtjes së të drejtave digjitale, “Açes Now”, “Civil Liberties” dhe “Unioni për Europën dhe të Drejtat Digjitale Europiane” kanë dalë bashkarisht me një raport, ku qortojnë në disa pika projekt/propozimin e Komisionit Europian.

“I kërkojmë Komisionit që të vetëpërmbahet dhe të bëjë kujdes me nismat e ndërmarra dhe të mos propozojë ndryshime ligjore dhe rregullatorë që minojnë të drejtën e informimit dhe lirinë e shprehjes. Ne mendojmë se ka nevojë për më shumë punë kërkimore mbi ndikimin e keqinformimit dhe propagandës online”, thonë tre organizatat.

Këto organizata kërkojnë që BE të bëjë kujdes dhe të mos nxitohet me zgjidhje sipërfaqësore.

“BE duhet të propozojë zgjidhje praktike që godasin burimin e keqinformimit, shpifjes dhe manipulimit në botën online, duke nisur që nga kompanitë e mëdha që ruajnë në serverat e tyre të dhëna të ndjeshme për përdoruesit”, thotë Maryant Fernandez Perez, këshilltar pran “European Digital Rights”.

Tre organizatat paralajmërojnë se zgjidhja e propozuar nga komisioni çalon në disa drejtime, ku kryesore thotë se është çështja e anonimatit online.

Një prej zgjidhjeve që propozohet janë ngritja, financimi dhe promovimi i nismave që verifikojnë faktet. Organizatat sjellin si shembull factchecker.org në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i ngritur që në vitin 2003, por edhe Fact Check Blog të BBC Channel 4 themeluar sipas idesë amerikane në vitin 2005.

Komisioni është dakort me këtë nismë, por nuk parashikon asgjëkundi krijimin e saj nga paratë e qytetarëve të Bashkimit Europian, por u bën thirrje organizatave dhe mediave që të vetëorganizohen dhe të vetëndërtojnë kanale verifikuese të fakteve.

Shqetësimi i Komisionit i paraprin sinjalizimeve se në rrjetet sociale dhe faqe informative online, pas të cilave dyshohet se qëndron Rusia, po përgatitet ndërmarrja e një fushate ndërhyrjeje në zgjedhjet për Parlamentin Europian, që zhvillohen në pranverën e vitit të ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë